in

Nga Elhaida Dani te Sarah Memmola, talentet që lidhin brigjet e Adriatikut

Në X Factor Albania arrin në gjysmëfinale edhe Sarah Memmola, italiane që po provon të arrijë në Shqipëri atë që Elhaida Dani arriti vitin e shkuar në “The Voice of Italy”

Romë, 12 shkurt 2014 – X Factor, formati televiziv  që zbulon talente në gjithë botën, në Shqipëri ka arritur edicionin e tij të tretë. Që këtë vit është akoma më “italian” se vitet e shkuara. Veç skenografisë së spektaklit që i është besuar Gaetano Castelli-t dhe ndriçimit që i është besuar Marcello Jazzetti-t, që për versionin italian të X Factor është drejtor fotografie, në edicionin e këtij viti ka edhe një pjesëmarrëse italiane, Sarah Memmola, që bashkë me tre konkurrentë shqiptarë ka arritur në gjysmëfinalen e spektaklit e shpreson ta fitojë atë.

E duke folur për Sarah Memmolan nuk mund të mos kujtojmë pjesëmarrjen e suksesshme të Elhaida Danit në “The Voice of Italy”.

Pas shumë pikash kontakti mes Shqipërisë e Italisë në vite, nga pushtimi fashist te emigracioni shqiptar në Itali, me një shikim sipërfaqësor, duket se marrëdhëniet Itali-Shqipëri po forcohen së fundi edhe falë talenteve e figurave televizive. Këtej njohin Kledin, Anbetën e Elhaidën, andej Alessio Vincin e Sarah Memmolan. Por për t’u përqëndruar te kënga, nëse një shqiptare u vu në provë dhe u shpall “Zëri i Italisë”, një italiane po e provon në Shqipëri e po i afrohet shumë titullit “Faktori X i Shqipërisë”.

Memmola i ka të gjitha për të fituar: jo vetëm stil, zë e bukuri por edhe njohjet e mbështetjet e duhura. Në fakt Sarah është e shoqja e Mario Nunziantes, ish konkurrent i programit Amici të Maria De Filippit dhe mikeshë e Marco Carta-s, pop star shumë i njohur mes të rinjve dhe fitues i Amici-t. Madje ky i fundit u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të votojnë Sarah Memmolan në numrin telefonik të vënë në dispozicion nga X Factor Albania për ata që jetojnë në Itali (që me thënë të vërtetën nuk kuptohet pse për një program televiziv shqiptar duhet që, përveç numrave për Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë, të vihet edhe një për Italinë).

Sarah ka arritur deri në gjysmëfinale dhe kjo padyshim falë talentit të saj me të cilin ka bërë për vete jurinë e publikun. E ka nisur këtë aventurë krejt rastësisht. “Partneri im gjendej në Shqipëri për punë dhe unë shoqëroja atë. Në këtë periudhë mbaheshin edhe audicionet e “X Factor” e në atë moment i thashë vetes, “pse të mos e provosh”?! E tani, ja ku jam!” është  shprehur ajo në një intervistë dhënë televizionit Klan.

Ka kënduar edhe në gjuhën shqipe, gjë që i ka dhënë edhe asaj emocione të mëdha. “Ka qenë e vështirë, por edhe mjaft e bukur. Një të diel në konkurrim, pasi përfundova një nga interpretimet e mia në shqip dhe pashë publikun shqiptar që u ngrit në këmbë… nuk di si t’jua përshkruaj sa emocione të forta kam përjetuar. Ishte magjike” thotë ajo.

Eksperienca në Shqipëri ka qenë e vyer. “Më ka njohur dhe mësuar me një kulturë të re dhe ndryshe. Kam takuar njerëz shumë të ngrohtë e të dashur këtu, jo ndryshe nga italianët, por që më përpara nuk e dija” thotë ajo entuziaste.

Nuk na mbetet veç t’i urojmë Sarah Memmolas suksese e të ketë në Shqipëri fatin e Elhaida Danit në Itali.

Leggi in italiano: Da Elhaida Dani a Sarah Memmola, i talent che legano l’Albania e l’Italia

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Durrës. Arrestohet Elton Balliu i dënuar në Itali me 26 vjet burg

Rocco Casalino (M5S): “Il romeno? Ha un odore agrodolce, anche se si lava”