in

Nga Gonxhe në Nënë Tereza, shenjtore e të varfërve

Me siluetën e saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë, me shirita ngjyrë blu, Nënë Tereza është bërë simboli i ndihmës për “më të varfrit e të varfërve”, të cilëve ajo u kushtoi jetën e saj. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, në vitin 2003, ajo u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i hapi rrugë shenjtërimit të saj që do të bëhet nesër, më 4 shtator 2016

 

Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza u lind në Shkup, më 1910 nga prindër shqiptare. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

Nënë Tereza nuk mund të braktiste urdhrin e saj pa pëlqimin e arkipeshkvit të Kalkutës, Ati Ferdinand Periers, i cili nuk e vlerësonte sa duhet. “Është një fillestare që nuk do të ishte në gjendje të ndizte si duhet një qiri”, mësohet të ketë thënë prelati.

Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo. Dhe në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhri.Bëhet atëherë Nënë Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua tërësisht të varfërve.

Në vitin 1952, takimi me një grua të braktisur që po jepte shpirt mbi një trotuar në rrugët e Kalkutës, me këmbët të brejtura nga minjtë, e bënë atë të ndërmerrte një nga detyrat për të cilat ajo u admirua më shumë, kujdesin për njerëzit duke dhënë shpirt.

Siç ka kujtuar Nënë Tereza “e morëm këtë grua në shtëpinë tonë, ku e ndihmuam shumë. Pas pak orësh ajo u nda nga kjo botë, por vdiq ne paqe. Sa ishte gjallë nuk pushoi së uruari për ndihmën që i kishim dhënë. Unë mund ta ndihmoj një njeri qe te vdes ne paqe dhe me dinjitet”.

Pas këtij rasti kritikoi ashpër autoritetet e Kalkutës dhe arriti të siguronte një ndërtesë të shekullit të XIX, pranë tempullit Kali, Perëndesha hindu e vdekjes. Atje do të priste të gjithë ata që vuanin nga tuberkulozi, nga dizenteria, ose tetanosi, të cilët nuk i pranonin spitalet. Për 40 vjet, më se 30 000 persona vdiqën atje. Për Nënë Terezën, garantimi i “një fundi të denjë” për ata që kanë “jetuar si kafshë” është një detyrë.

Krahas kësaj, misioni i saj punonte në ndihmë të strehimit të fëmijëve të braktisur në gjithë botën, kurimit të leprozëve, në ndihmë viktimave të Sidës,  dhe kishte hapur një qendër për ta në Shtetet e Bashkuara.
E veshur gjithnjë me mantelin e bardhë me shirita blu të urdhrit të Misionareve të Bamirësisë, Nënë Tereza e kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse “një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh”. Por, shtonte ajo, “nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t’i mungonte detit”.

Në shtëpinë e Lowe Circular Road, një rrugë e vogël në qendër të Kalkutës, ajo bënte jetën e thjeshtë të postulateve të kongregacionit të saj, merrte pjesë në punët shtëpiake të komunitetit. Dhoma e saj e vogël ishte e mbushur me dosje dhe libra fetarë, të vetmit që ajo pranonte të lexonte.

E lidhur me vlerat më tradicionale të Kishës, besimtarja kishte siguruar një ditë se nëse do të kishte jetuar në periudhën e Galileut, ajo do t’i kishte dhënë të drejtë Kishës kundër tij. Ajo kundërshtonte gjithnjë të gjitha format e abortit.
Grua e vendosur, e guximshme, pragmatike dhe e pajisur me njohuri të mira për bizneset, një ditë kur po kalonte në Romë, i kërkoi Gjon Palit II një pjesë të pasurive të Vatikanit për të varfrit e saj. Papa i dhuroi makinën e tij Rolls Royce, që ajo e shiti në ankand me një çmim shumë të leverdishëm për të siguruar fonde në ndihmë të të varfërve.

Disa e qortuan se kishte siguruar fonde nga persona pak të pëlqyeshëm, si ish-diktatori haitian Jean-Claude Duvalier. Nënë Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit. Bëri një jetë të thjeshtë, pa pasuri.Por fama e Nënë Terezë u përhap në vitin 1970, kur gazetari i njohur britanik, Nugerigj shkroi një libër dhe xhiroi një film për jetën e saj të titulluar ” Diçka e bukur për zotin”. Ish-ateist ai tha se ajo kishte influencuar jashtëzakonisht shumë në konvertimin e tij në katolik.

Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.

“Shenjtore e të varfërve”, Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, të cilin e formoi në vitin 1950.

Lexo edhe:
Nënë Tereza do të shpallet Shenjte më 4 shtator 2016
Shenjtërimi i Nënë Terezës. Rama: “Uratë për lumturimin e 40 martirëve shqiptarë”
“Vals Hyjnor”, himni kushtuar Nënë Terezës
Lumturimi i flamujve. Në përvjetor të Lumnimit të Nënë Terezës
Mesazhi largpamës i Nënë Terezës
“Halla ime Nënë Tereza”
Imzot Gjergj Lusha: “Nënë Tereza, dashuri e pastër në veprim”
Motrat e Nënë Terezës në Shqipëri. Misioni vazhdon
Kujtime nga vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri
Ekspozitë e përhershme për Nënë Terezën, në muzeun historik kombëtar
Gjon Kolndrekaj: “Rrëfej Nënë Terezën kur ishte Gonxhe”
1979 – Kur Nënë Tereza për Shqipërinë ishte “agjente e Vatikanit”
1989, kur Nënë Tereza vinte për herë të parë në Tiranë
Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/2
Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/3

 

 

Mesazhi largpamës i Nënë Terezës

Ekspozitë e përhershme për Nënë Terezën, në muzeun historik kombëtar