in

Nga Shqipëria në Puglia. Vetëm vitin e shkuar 20 tonelata marijuanë

E pohon prokurori i Drejtorisë Antimafje në Lecce Cataldo Motta në një takim në Tiranë me kryeprokuroren e Shqipërisë Ina Rama dhe Franco Patronin, kreun  e Guardia di Finanza për Puglian

Romë, 17 janar 2012 – Rreth 20 tonelata marijuana kanë mbërritur në brigjet e Puglias nga Shqipëria vetëm gjatë vitit të shkuar. Këtë ka deklaruar dje në Tiranë prokurori i Drejtorisë Antimafje në Lecce Cataldo Motta në një konferencë shtypi me prokuroren e përgjithshme të Shqipërisë Ina Rama e komandantin krahinor të Puglias të Guardia di Finanza, gjeneralin Franco Patronin.

Por gjithsesi, Motta, foli edhe për nivelin e lartë të bashkëpunimit me organet shqiptare të drejtësisë në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, duke kujtuar disa operacione të përbashkëta, si ai “Sunrise”, vitin e shkuar, që mbetet një pikë e rëndësishme  e bashkimit ndërkombëtar.

“Për herë të parë arritëm të kryenim disa urdhër arreste në Shqipëri dhe në Itali”, tha Motta.

Sipas tij, “niveli i luftës ndaj organizatave që merren me trafikun e narkotikëve është mjaft i lartë”. “Duket edhe në Itali ndihma që na jep Shqipëria për këtë. Po punojmë mjaft mirë këtu në Shqipëri dhe Itali pikërisht mbi bazën e informacioneve që marrim nga autoritetet gjyqësore shqiptare”, tha Motta.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e vlerësoi si mjaft të rëndësishëm dhe cilësor bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe rajonit të Puljas në Itali në kuadër të luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike.

“Zhvilluam një takim pune në vazhdim të takimeve që kemi pasur prej kohësh, një takim që do ta cilësoja të frytshëm dhe të suksesshëm, të paktën për sa i takon vlerësimit që mund të bëjmë ne si palë shqiptare”, tha Rama. Ajo nënvizoi se ky është një bashkëpunim që vazhdon të ekzistojë dhe të forcohet dhe furnizohet me të dhëna të reja, çështje të reja, ngjarje të reja.

“Gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë një element shumë i rëndësishëm kontakti i drejtpërdrejtë me prokurorët dhe oficerët e Guardia di Finanzia për të konkretizuar luftën tonë të përbashkët kundër krimit të organizuar, kryesisht kundër trafiqeve të lëndëve narkotike”, theksoi Rama.

Edhe gjenerali Franco Patroni, kreu i Guardia di Finanza në Puglia, foli për rëndësinë e  bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e hetimeve për ndalimin e trafiqeve të jashtëligjshme dhe theksoi se bashkëpunimi me Shqipërinë, në luftën kundër organizatave të cilat sjellin në territorin italian sasi të mëdha lënde narkotike “është mjaft i rëndësishëm dhe cilësor “.

Lejeqëndrimi. Për përtëritjen mjafton komunikimi i punësimit

Flukset. Ministria e Punës: “Qeveria ende nuk ka vendosur”