in

Nga shtëpia-muze e Ibrahim Kodrës te varri i Aleksandër Moisiut

Fëmijët e shkollës shqipe Scanderbeg të Parmës, të shoqëruar nga prindërit e mësuesit, kanë zhvilluar një ekskursion edukativ për të njohur më shumë dy figura të shquara të kulturës shqiptare

Në nëntor 2014, me rastin e Javës së Kulturës Shqiptare në Parma u hap ekspozita me veprat artistike të njërit nga më të mëdhenjtë e pikturës shqiptare, mjeshtrit Ibrahim Kodra. Kjo ekspozitë u ndoq me shumë interes nga qindra bashkatdhetarë të cilët admiruan e vlerësuan punimet kaq të veçanta dhe plot ngjyra të këtij mjeshtri. 

Po në këtë mjedis, i pranishëm ishte edhe televizioni shtetëror shqiptar TVSH që bëri jehonë veprave të Kodrës si dhe vlerësoi punën e mirë të kryer, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e këtyre veprave nga miku i Kodrës, Fatos Faslliu, tashmë president i fondacionit Ibrahim Kodra. Duke marrë fjalën në emër të fondacionit, Faslliu falënderoi shoqatën Scanderbeg në Parma për nismën e ftoi  shkollën shqipe “Scanderbeg Parma” të vizitojë shtëpinë – muze të maestros Ibrahim Kodra. 

Dhe pikërisht me 22 mars 2015 shkolla shqipe në Parma organizoi këtë eskursion edukativ së bashku me prindërit dhe mësuesit e shkollës. 

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte njohja e dy figurave të rëndësishme të artit dhe kulturës shqiptare, Aleksandër Moisiu dhe Ibrahim Kodra, kaq pak të njohur për ne por jo për vendet ku ata jetuan.
Gjatë rrugës mësuesit e shkollës sollën informacione mbi jetën dhe veprën e artistëve.

Para shtëpisë muze të mjeshtrit Kodra na priti familja Faslliu (Fatosi, e shoqja dhe vajza e palodhur Raisa) siç e do tradita shqiptare. Më pas Fatosi na paraqiti veprat dhe pjesë nga jeta e mjeshtrit Kodra, që nga koha e studentore viti 1938 e deri në pjesën e fundit të jetës së tij. 

Veprat e Kodrës ishin të ekspozuara shumë bukur, në një ambjent intim e familjar por me dimensione e prespektiva të veçanta ashtu siç ishte vetë maestro, origjinal por në të njëjtën kohë pranë realitetit. Punimet e tij ishin të shoqëruara edhe me vlerësime nga artistë të kohës si Pikaso, Kafka, etj. Ishin të ekspozuara edhe shume trofe të dhëna nga personalitete dhe bashki të qyteteve të ndryshme të Italisë.

Nxënësit panë nga afër mjetet e punës dhe tabllo të maestros, tavolinën dhe sendet e tij personale. Më pas të gjithë vendosën emrin e tyre në një kornizë si kujtim i kësaj vizite. Durim Lika, si përfaqësues i shoqatës dhe kordinator i shkollës, falënderoi për mikpritjen dhe rëndësinë e këtij takimi në kuadrin e njohjes së brezave të rinj me figura të shquara, pasuri i gjithë popullit shqiptar.

Një pjesë e veprës se Ibrahim Kodrës ishte e ekspozuar në ambientet private të Behxhet Pacolli, mik i maestros Kodra në Lugano të Zvicrës, që ishte edhe ndalesa e dytë e udhëtimit.

Të gjitha piktura origjinale e me vlera të mëdha artistike. Veshje të tij, e vënë në pah patenta e dhënë nga autoritetet italiane ku shënohej vendlindja e tij Ishëm (DR), për të cilin ai ishte aq krenar, atje ku edhe sot prehen eshtrat e tij. Mohimin e hyrjes së tij në Shqipëri nga regjimi komunist, ai e kompensoi me vizita të shpeshta në Kosovë ku është pritur me nderime të mëdha. Poeti i madh Gjergj Fishta dhe kitara ishin pasionet e maestro Kodrës.

Në Morcote, Lugano, eskursionistët vizituan vendin ku prehet aktori shqiptar me famë botërore Aleksandër Moisiu. Nxënësit vendosën një kurorë me lule me mbishkrimin “Shoqata Scanderbeg Parma – Shkolla Shqipe Parma”. Kjo vizitë përkoi me 80-vjetorin e vdekjes së Aleksandër Moisiut.

Presidenti i fondacionit Kodra i cili na shoqëroi për gjatë gjithë udhëtimit, bëri një përmbledhje mbi jetën e veprën e aktorit Aleksandër Moisiu, falenderoi prindërit, nxënësit e mësuesit e shkollës shqipe për edukimin e fëmijëve me ndjenja patriotike, duke mbyllur: – Ju uroj vetëm suksese, vizita juaj është gëzim dhe emocion i vërtetë për mua, ju faleminderit!

Më pas i gjithë grupi vizitoi vende turistike të Zvicrës si parku “Zvicra në miniaturë”, qytetin e Luganos, etj.

Me përshtypjet më të mira përfundoi ky aktivitet dhe Shpresim Tuga, përfaqësuesi i prindërve, falënderoi mësuesit e shkollës shqipe Erlinda Hoxha, Aurela Lashi, Mimoza Cerri, Sonila Otobashi, Elvira Lashi e Durim Lika. Ata janë vërtet për t’u admiruar, të palodhur dhe të pasionuar pas këtij profesioni fisnik, sa nuk gjej fjalë për t’i falënderuar.

Bujar Tabaku, Parma

Amber Light, operacioni evropian i policisë në kërkim të migrantëve të parregullt

Jam italian, ajo është e huaj e nuk ka leje qëndrimi. A mund të martohemi?