in

Nga sot Azem Hajdari prehet në varrezat e dëshmorëve

15 vjet pas humbjes së jetës si pasojë e një atentati pranë selisë së vjetër të PD-së, me një ceremoni të organizuar nga Bashkia e Tiranës, eshtrat e Azem Hajdarit janë çuar në varrezat e Dëshmorëve të Kombit

Tiranë, 12 Shtator 2013 – Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë, u shoqërua sot në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, përmes një ceremonie të organizuar nga Bashkia e Tiranës, në 15 vjetorin e vrasjes së tij.

Për më shumë se dy orë në Pallatin e Kongreseve personalitete të larta të jetës politike, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryeministri Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Demokratike, ministra të qeverisë Rama, përfaqësues të partive politike në vend, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, etj., bënë homazhe në nderim të udhëheqësit të Levizjes Studentore 1990, që çoi në rrëzimin e regjimit komunist. Homazhe bënë gjithashtu edhe Ambasadori i SHBA, Arvizu, ai i BE-së, Sequi dhe i OSBE, Wilton.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se “kujtimi i Azem Hajdarit do të jetë i paharrueshëm. Ne do të na duhet të tregojmë më shumë urtësi dhe përgjegjshmëri që ëndrra e tij dhe e gjeneratës së tij  të bëhet realitet sa më shpejt”.

Rreth orës 12:30 kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, u nis për në Varrezat e Dëshmorëve, ku u zhvillua dhe ceremonia e rivarrimit.

Kryetari i Partisë Demokratike e njëkohësisht dhe i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së rivarrimit, u shpreh se Azem Hajdari “ishte prijësi i lëvizjes studentore prandaj edhe u vra. Se kishte qenë protagonist për hapjen demokratike të vendit, se kishte qënë themeluesi i PD-së, se kishte qenë mbrojtës i demokracisë dhe çështjes kombëtare. Nuk është e vërtetë se përmbysja e komunizmit u bë në mënyrë paqësore, lëvizja për demokraci ka dhënë liderin e saj të parë. Sot figura e tij apelon për unitet dhe bashkim për vlerat kombëtare”.

Azem  Hajdari u lind më 11 mars 1963 në qytetin e Bajram Currit. Ai filloi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike në 1987, ku u diplomua në vitin 1993 për filozofi. Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës. Angazhimi i tij politik nis në dhjetor 1990 si udhëheqës i Lëvizjes Studentore, më tej si Kryetar i Komisionit Nismëtar të krijimit të Partisë Demokratike. Në vitet 1991 – 1993 ai u caktua Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues. Në 31 mars 1991 Azem Hajdari u zgjodh deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën. Në 22 mars 1992 u zgjodh deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun.  Në 26 maj 1996, u bë pjesë e Kuvendit si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën,  dhe në 29 qershor 1997 si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën. U vra më 12 shtator 1998 për motive të errëta.

Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë, mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhërin e Flamurit” dhe urdhërin më të lartë në Republikën e Kosovës “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish-Presidenti Ibrahim Rugova.

Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjitha bashkive dhe komunave të Shqipërisë.

 

 

Disiplina gjuhësore e Shtetit{br}Zhdukja e ë-së dhe ç-së

Rivënia e vizave. Rrezikojnë të ndëshkohen vendet e Ballkanit perëndimor