in

Nga sot gjoba më të rënda për shkelësit e rregullave të qarkullimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj: “ndryshimet e bëra në kodin rrugor  janë bazuar në përvojën e vendeve të BE-së. Ato do të ndikojnë në rritjen e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve  dhe uljen e viktimave në trafik”

Tiranë, 9 janar 2012 – Hyn sot në fuqi kodi i ri rrugor, i miratuar me konsensus  në Kuvend pak javë më parë. Drejtuesit e automjeteve duhet të tregohen më të kujdesshëm në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Kodi Rrugor ka pësuar ndryshim në mbi 30 nene të tij. Ndryshimet ligjore, të bëra në Kodin Rrugor, parashikojnë masa të ashpra ndëshkimore, dyfishim të gjobave për kundravajtësit për shkelje si ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, mospërdorim të rripit të sigurimit, konsumim të pijeve alkoolike, etj,  që shpesh herë janë bërë shkak për aksidentet. Njëkohësisht, ato  përcaktojnë qartësisht veprimet e punonjësve të policisë,  përpilimin e procesverbalit në mënyrë elektronike etj.

Sipas ndryshimeve në Kodin Rrugor, në rast se një drejtues automjeti tejkalon shpejtësinë e parashikuar me 10 km/orë, atëherë ai do të detyrohet të paguajë një gjobë që shkon nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë.

Në rast se tejkalimi i shpejtësisë do të jetë nga 10 kilometra deri në 20 kilometra, atëherë gjoba parashikohet të jetë në vlerën nga 2 deri në 6 mijë lekë. Kur tejkalimi i shpejtësisë është mbi 20 kilometra, atëherë gjoba parashikohet të jetë në një vlerë që shkon nga 5 mijë deri në 15 mijë apo edhe pezullim të lejes së drejtimit të automjetit.

Po ashtu, penalizimi është ashpërsuar edhe për ata zotërues automjetesh të cilat ia japin automjetin për drejtim një personi pa leje drejtimi. Për raste të tilla, parashikohet gjobë me një vlerë nga 25 mijë deri në 100 000 lekë apo edhe pezullim të patentës për 1 vit.

Me ndryshimet e reja ligjore, drejtuesit e automjeteve do të duhet të mendohen dy herë para se të ngasin automjetin kur kanë konsumuar alkool. Cilido që drejton një mjet nën ndikimin e alkoolit ndëshkohet me gjobë nga dymijë e pesëqind lekë deri në shtatë mijë e pesëqind lekë. Pas verifikimit të shkeljes zbatohet masa administrative e pezullimit të lejes së drejtimit nga 6 muaj deri në 1 vit dhe nga 1 vit deri në 2 vjet kur subjekti përsërit shkeljen brenda një viti, sipas Kodit.

Ndërsa për ata të cilët drejtojnë automjetin pa mbajtur rripin e sigurimit, penalizimi shkon nga 500 deri në 1500 lekë.

Ndryshimet e reja parashikojnë gjoba nga 1 deri në 3 mijë lekë për ata drejtues automjetesh që nuk respektojnë sinjalet e policisë, bëjnë parakalim të gabuar apo japin sinjale të gabuara në momentin kur drejtojnë automjetin.

Mes modifikimeve në kodin rrugor, interesante është edhe aplikimi i patentës me pikë, por ky ndryshim nuk do të realizohet më 11 janar. Pas 18 muajsh, lejet e drejtimit do të jenë me sistem pikësh. Çdo drejtues automjeti do të zotërojë në lejen e tij të drejtimit 20 pikë, ruajtja e të cilave do të varet nga zbatueshmëria e rregullave të qarkullimit rrugor.

Për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj,  ndryshimet  e bëra në Kodin Rrugor do të ndikojnë në rritjen e sigurisë rrugore. “ndryshimet e bëra në kodin rrugor  janë bazuar në përvojën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe  do të ndikojnë në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore,  parandalimin e ngjarjeve aksidentale si  dhe uljen e viktimave në trafik“ është shprehur kreu i Policisë së Shtetit në një takim me drejtuesit e policisë rrugore. 

 “Për Policinë e Shtetit nuk do të jetë qëllim në vetëvete ndëshkimi, por ndërgjegjesimi dhe edukimi me normat e këtij kodi”, tha Burgaj. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kërkoi nga shërbimet e  policisë rrugore që të manifestojnë profesionalizëm,  etikë komunikimi dhe shkallë të lartë përfaqësimi,  duke rritur në mënyrë të ndjeshme cilesinë e këtij shërbimi, ndërsa i beri thirrje qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet normat e qarkullimit  rrugor.

Donazzan (Pdl): “Edhe unë do të kisha qëlluar mbi atë shqiptar”

Skënderbeu i qeverisë Monti jep dorëheqjen