in

Nga 9 dhjetori, karta e qëndrimit vetëm me test italishteje

Kanë nisur sot prenotimet on-line në http://testitaliano.interno.it  për mbrojtjen e provimit të gjuhës italiane

Romë, 9 dhjetor 2010 – Nga sot të gjithë ata që kërkojnë kartën e qëndrimit (që ndryshe quhet edhe lejeqëndrimi CE për qëndruesit afatgjatë), duhet të tregojnë se njohin gjuhën italiane. Të paktën në nivelin A2.
Një kusht i ri që u shtohet të tjerave si zotërimi i strehimit të përshtatshëm, të ardhurave të mjaftueshme, 5 vjetëve rezidencë të rregullt në Itali.

Nuk duhet të kalojnë provën e testit të gjithë të huajt që kanë:
1. Një dëshmi që certifikon se njohin gjuhën italiane në nivel A2  të QCER-it (Quadro Comune di Riferimento Europeo);
2. Diplomë të shkollës së mesme apo tetëvjeçare italiane, ose certifikatë të ndjekjes së kurseve universitare, pasuniversitare apo të doktoraturave;
3. Dëshmi që kanë hyrë në Itali dhe kryejnë punë të parashikuara nga neni 27, paragrafi 1, gemat a), c), d), e), dhe q) i Tekstit Unik mbi Imigracionin.
4. Testi nuk duhet bërë as nga të huajt që kanë certifikatë mjekësore, të lëshuar nga një strukturë shëndetësore publike, që deklaron se i huaji ka aftësi të kufizuara në mësimin e gjuhës për arsye që kanë të bëjnë me moshën, patologji mjekësore apo ndonjë gjymtim.

Të gjithë të tjerët janë të detyruar të bëjnë testin, të cilin duhet ta prenotojnë në sitin http://testitaliano.interno.it.

Shkurtimisht procedura që – duke nisur nga sot, 9 dhjetor 2010 – duhet të ndjekë i huaji që kërkon të bëjë provimin e gjuhës, dhe rrugëtimi i praktikës deri në marrjen e rezultatit pozitiv është e mëposhtmja:
1. I interesuari lidhet në internet me http://testitaliano.interno.it të Dipartamentit për Liritë Civile dhe Imigracionin;
2. Përpilon kërkesën për të bërë provimin e gjuhës dhe fut të gjitha të dhënat personale që i kërkohen, si edhe adresën ku dëshiron të marrë njoftimin për datën dhe vendin e provimit;
3. Në fund, dërgon telematikisht kërkesën.
4. Më pas janë Prefekturat (është kompetente ajo e rezidencës së imigrantit) ato që administrojnë kërkesat për provimet e gjuhës: kontrollojnë që i huaji përmbush kriteret e mëposhtme: ka leje qëndrimi, moshë mbi 14 vjeç, dhe që nuk ka një kërkesë tjetër në emër të tij apo e ka kapërcyer ndërkohë testin. Më pas, nëse kontrollet janë pozitive, brenda 60 ditëve nga kërkesa Prefekturat i çojnë letër të interesuarit në adresën që ka shënuar në kërkesë, me datën kur ai duhet të kryejë provimin e gjuhës. Nëse kontrollet nuk janë pozitive, Prefektura i nis një letër të huajit me të cilën i kërkon ratifikimin e informacioneve dhe rinisjen e kërkesës.
5. I huaji kryen testin pranë Qendrës Provinciale për Shkollimin e të huajve. Provimi i gjuhës konsiderohet i marrë nëse i huaji mbledh 80% të pikëve të mundshme. Nëse e kalon këtë provim i huaji paraqet kërkesën për të marrë kartën e qëndrimit, në të kundërt duhet të përsërisë provimin duke kërkuar nga e para të zhvillojë një tjetër test.
6. Në të njëjtën kohë, rezultati i testit regjistrohet në bankën e të dhënave të Departamentit të Lirive Civile dhe të Imigracionit dhe u dërgohen Kuesturave. Edhe i huaji mund të kontrollojë rezultatin on line duke u lidhur sërish me http://testitaliano.interno.it. (ke.bi.)

Lexo edhe: Një pengesë më shumë për kartën e qëndrimit

Shkarko Broshurën sqaruese të Ministrisë së Brendshme

Një bashkëpunim i sanksionuar me ligj, por ende i munguar

Shkrim Migrant, mes letërsisë dhe gazetarisë