1.000 € për të paguar çerdhen apo asistencën në shtëpi për fëmijët me patologji të rënda kronike, për bijtë e lindur/të birësuar nga 1 janari 2016. Përfitojnë edhe të huajt, por vetëm nëse kanë kartën e qëndrimit
Romë, 17 korrik 2017 – Nga mëngjesi i sotëm mund të paraqiten kërkesat për të përfituar “bonusin për çerdhen”. Është fjala për 1.000 euro në vit për fëmijët e lindur ose të birësuar nga 1 janari 2016 e më pas si kontribut për të paguar çerdhen publike apo private. Mund ta përfitojnë këtë shumë edhe prindërit që paguajnë “forma të ndryshme mbështetjeje pranë vendbanimit të vet” në favor të bijve që janë nën tre vjeç e vuajnë nga patologji të rënda kronike.
Për të përfituar këtë bonus, nuk kanë rëndësi të ardhurat e familjes por vetëm regjistrimi në çerdhe private apo publike i fëmijës e rezidenca në Itali. Për të huajt, ashtu si edhe për ndihmesa të tjera, INPS vazhdon të kërkojë padrejtësisht, në kundërshtim me normat evropiane, që të kenë kartë qëndrimi ose statusin e refugjatit apo të gëzojnë mbrojtjen plotësuese dhe nuk mjaftohet me lejeqëndrimin e thjeshtë të lejon punësimin e mbajtësit.
Bonusi është maksimumi 1.000 euro e jepet nga INPS-i ekskluzivisht për pagesën mujore të çerdhes së fëmijëve deri në 3 vjeç. Kur është fjala për fëmijë me patologji të rënda kronike kontributi mund të kërkohet për të paguar asistencën në shtëpi. Kontributi jepet një herë në muaj për 11 muaj. Çdo këst është 90,91 €, por nëse shuma që prindi paguan për çerdhen është më e vogël se aq, ai do të marrë aq sa ç’paguan e jo këstin e plotë. P.sh. nëse paguajnë 200 €, INPS do t’i njohë prindit kontributin të plotë, por nëse paguan vetëm 80 euro në muaj, kontributi që do t’i jepet është vetëm aq, 80 euro në muaj. Për të gjithë fëmijët që kanë qenë në çerdhe gjatë vitit 2016-2017, bonusi do të njihet që prej datës 1 janar 2017, datë e ardhjes në fuqi të bonusit. Për ata që kërkojnë 1.000 euro për asistencë pranë familjes, INPS do të japë bonusin të gjithë njëherësh.
Paraqitja e kërkesave
Kërkesat mund të paraqiten nga sot deri më 31 dhjetor 2017. Por, duke qenë se shuma e vënë në dispozicion për këtë bonus është e kufizuar, 144 milionë euro, kush është i interesuar ta kërkojë bën mirë të nxitojë: me mbarimin e atyre parave nuk do të pranohen më kërkesa të reja.
Kërkesa paraqitet në tre mënyra:
– përmes portalit të INPS-it. Në faqen dedikuar Bonusit për Çerdhen dhe formave të asistencës pranë vendbanimit , shtypni butonin “Accedi al servizio” e me kodin personal PIN hyni në hapësirën private e plotësohet formulari i kërkesës;
– përmes Contact Center në numrin e gjelbër 803.164 nga rrjeti fiks ose 06.164.164 nga celularët;
– përmes patronateve nëpërmjet shërbimeve telematike që ato ofrojnë.
Duhet pasur kujdes: kush do të përfitojë bonusin e çerdheve nuk do të mund të zbresë nga taksat ç’ka paguar për çerdhen. Gjithashtu, nuk do të përfitojë as çeqet për çerdhe apo babysitter të parashikuara për nënat që heqin dorë nga largimet nga puna për arsye familjare që nuk janë të detyrueshme (congedo parentale non obbligatorio) e që ligji i Bilancit 2017 rifinancon për dy vjetët e ardhshëm.