in

Nga sot lejeqëndrim për një vit për të papunët

Vijnë sot në fuqi, normat e reja të parashikuara nga reforma e punës. Një prej tyre në veçanti  do të tutelojë më shumë emigrantët që kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës, e që rrezikojnë të humbasin edhe të drejtën e qëndrimit në Itali. Parashikohet regjistrim në listat e të papunëve për të paktën 12 muaj, e sidoqoftë për të gjithë kohëzgjatjen e amortizatorëve socialë.

Romë, 18 korrik 2012 – Nga sot emigrantët që kanë humbur vendin e punës do të kenë të paktën një vit lejeqëndrim në pritje punësimi, pra më shumë kohë për të gjetur një vend të ri pune. Një “brez shpëtimi” i nevojshëm në një periudhë krize që godet rëndë punësimin, edhe atë të të huajve.

Në fakt sot 18 korrik vjen në fuqi ligji 92/2012 “Dispozita në çështjen e reformës së tregut të punës”, i botuar në Gazetën zyrtare më 3 korrik. Mes të tjerash, reforma e tregut të punës përmban norma që modifikojnë tekstin unik mbi imigracionin për të tuteluar emigrantët që mbesin pa punë veçanërisht tani në kohë krize, që për të huajt është edhe më e rëndë: veç humbjes së vendit të punës rrezikohet edhe humbja e të drejtës së lejes së qëndrimit dhe hyrja në klandestinitet.

Reforma parashikon që kush ka humbur vendin e punës sepse ka dhënë dorëheqje apo e kanë pushuar, mund të regjistrohet në listat e punësimit e të marrë një leje qëndrimi për pritje punësimi për të paktën një vit (sot është gjashtë muaj) e sidoqoftë për gjithë kohëzgjatjen e amortizatorëve socialë si kompensimi për papunësinë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, do të mund të qëndrojë rregullisht në Itali vetëm ai që do të dëshmojë se ka të ardhura të mjaftueshme për t’u mbajtur, në përllogaritjen e të cilave do të futen edhe të ardhurat e familjarëve të tjerë që bashkëjetojnë me të.

Ndërkaq me anë të një qarkoreje, Ministria e Brendshme ka njoftuar të gjitha kuesturat mbi këtë risi që më 9 korrik 2012.

Elvio Pasca

Trageti vonon për avari. Mes pasagjerëve edhe presidenti Topi

Sanatoria. Ministri Riccardi: “Është një mundësi për integrimimin”