in

Ngjarjet kryesore sportive shqiptare gjatë vitit 2010

Tiranë 6 janar 2011, ATSh, – Disa nga datat më të rëndësishme për sportin shqiptar gjatë vitit që sapo lamë pas

19 janar – Shuhet legjenda e futbollit shqiptar, Panajot Pano
Pas një infarkti kardiak, ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare Panajot Pano, i cilësuar si futbollisti më i mirë shqiptar i shekullit të 20-të. Ai u shua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhej për një vizitë familiare tek e bija. Ish-sulmuesi që mori famë tek ekipi i Partizanit lindi më 7 mars 1939 në Durrës dhe gjatë karrierës 18-vjeçare si futbollist luajti 24 ndeshje me fanellën e kombëtares. Me Partizanin, Pano fitoi katër kampionate dhe pesë kupa. Ai është nderuar me çmime si “Mjeshtër i Madh”, “Urdhri i Punës i Klasit të Parë”, “Urdhri Naim Frashëri i Klasit të tretë”, “të dytë” e “të parë” dhe medaljen “Urdhri i Meritës” për 100 vjetorin e FIFA-s. Por nderimin më të madh Panajot Pano e ka marrë më 6 mars 2009, kur u dekorua nga presidenti Bamir Topi me titullin “Nderi i Kombit”, hera e parë që një futbol¬list merr një nderim të tillë.

9 mars – Armand Duka rizgjidhet në krye të FSHF-së

8 prill – Romela Begaj, nënkampione e trefishtë e Evropës
Peshëngritësja Romela Begaj, e vetmja femër që përfaqësoi Shqipërinë në delegacionin prej katër sportistësh, koleksionoi tri med¬alje të argjendta në Kampionatin Evropian që u zhvillua në Minsk të Bjellorusisë. 24-vjeçarja shkroi një tjetër faqe të lavdishme të peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, teksa u shpall nënkampione e trefishtë e Evropës në peshën 58 kg. Begaj ngriti në dygarësh 207 kg, duke lënë pas polaken Marieta Gotfid (206 kg). Peshëngritësja që trajnohet nga trajneri Hektor Shaqiri ngriti në shkëputje 96 kg (medalje argjendi), ndërkohë që në shtytje e fiksoi shtangën në 111 kg (gjithashtu medalje argjendi), me 207 kg në dygarësh, duke siguruar medaljen e tretë të argjendtë. Në garën e meshkujve, Erkand Qerimaj u kthye nga Minsku me medalje bronxi.

22 prill – Dinamo, 18 herë kampione e Shqipërisë
Dinamo u rikthye tek titulli kampion pas vetëm një sezoni mungesë. Ky ishte titulli i tretë kampion në drejtimin e presidentit Besnik Su¬laj, pas dy të parëve të fituar në sezonet 2001-2002 (trajner Faruk Sejdini) dhe 2007-2008 (Ilir Daja). Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, riktheu titullin në 60-vjetorin e themelimit të klubit blu, ndërkohë që vetë tekniku fitoi titullin e katërt si trajner, pas atyre me Tiranën në sezonet 1994-1995, 1999-2000 dhe 2006-2007. Muça iu bashkua 10 trajnerëve të tjerë që kanë shpallur kampione Dinamon. Spikat re¬kordi i Zihni Gjinalit, jo vetëm me 6 trofe – askush më shumë se ai në Shqipëri, por për faktin që i ka fituar si trajner-lojtar. Trajnerë të tjerë që kanë fituar titullin kampion me Dinamon kanë qenë nga 2 herë Skënder Jareci dhe Durim Shehu. Ndërsa teknikët që janë shpallur një herë kampion me dinamovitët janë: Zyber Konçi, Sabri Peqini, Stavri Lubonja, Fatmir Frashëri, Bejkush Birçe, Faruk Sejdini dhe Ilir Daja.

10 maj – Besa fiton Kupën e Shqipërisë
Besa u shpall fituese e edicionit të 58-të Kupës së Shqipërisë, pasi mposhti 2-1 Vllazninë pas 120 minutave në një “Qemal Stafa” entu¬ziast. Golin fitues e shënoi Paulin Dhëmbi në minutën e 97-të, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1. Sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Bala, realizoi në minutën e 65-të, por Renato Arapi barazoi për Besën minutën e 85-të. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi kapitenit të Besës, Orges Shehi, trofeun e Kupës së Shqipërisë, në shoqërinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Pas asaj të vitit 2007 (kur mundi 3-2 Teutën), kjo ishte e dyta Kupë për Besën. Për trajnerin kavajas, Shpëtim Duro, trofeu i parë në karrierë.

17 gusht – Besa fiton Superkupën e Shqipërisë
Besa u shpall fituese e Superkupës së Shqipërisë, pasi mundi 3-1 Dinamon kampione në finalen e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Besa vinte në këtë takim si fituesja e Kupës së Shqipërisë, ku mposhti në finale Vllazninë me rezultatin 2-1. Dinamo kaloi e para në avantazh me Elis Bakajn katër minuta nga fundi i pjesës së parë, ndërkohë që kavajasit përmbysën rezultatin me Poçin (64’ me penallti), Dhëmbin (74’) dhe të riun Shtini (85’).

19 tetor – 80-vjetori i FSHF, Platini viziton Tiranën
80-vjetori i krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit (6 qershor) solli për të dytën herë në Shqipëri kreun e UEFA-s, Mishel Platini. Ndalesa e parë e francezit ishte kompleksi sportiv “Skënder Halili”, ku përuroi fushën e re stërvitore me bar sintetik të të rinjve të Tiranës. Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë, Edi Rama, presidenti i FSHF-së, Armando Duka etj. Më pas Platini zhvilloi një takim me kryeministrin Berisha, në qendër të të cilit ishte ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytetin shqiptar. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, kryeministri Berisha informoi se presidenti Platini po shqyrton mundësinë që ky stadium të përurohet në mënyrën më madhështore dhe më të denjë, me një superkupë të luajtur me këtë rast. Kjo ishte e dyta herë që Mishel Platini vjen në Tiranë në rolin e presidentit të UEFA-s, pas Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së më 12 nëntor 2008. Asokohe vizita e tij zbuti jo pak atmosferën e rënduar midis qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

17 nëntor – Rekord i kombëtares, e 58-ta në renditjen e FIFA-s
Përveç fitoreve radhazi në miqësoret e zhvilluara dhe nisjes shumë të mirë të eliminatoreve, Shqipëria regjistroi një tjetër rekord pozitiv gjatë 2010-ës. Në renditjen mujore të FIFA-s me të gjitha përfaqësueset e globit, kuqezinjtë e Josip Kuzhes mbanin vendin e 58-të si asnjëherë më parë. Rekordi i mëparshëm ishte ai i vitit 2004, kur u ngjitëm deri në vendin e 62-të.

24 nëntor – Peshëngritje, Shqipëria ar e argjend në Evropianin e Qipros
Tri medalje ari dhe tri argjendi për Shqipërinë në kampionatin evropian të peshëngritjes për të rinj dhe U-23 në Limasol të Qipros. Briken Calja dhe Daniel Godelli shkëlqyen në peshën 69kg, duke u ngjitur në të dyja stilet dhe në dygarësh në dy vendet më të larta të podiumit. Calja mori tri medalje ari: shkëputje, shtytje dhe dygarësh, ndërsa Godelli e ndjek me tri argjendi. Të dy shtangistët ngritën të njëjtën peshë në të dy stilet (140 në shkëputje, 170 në shtytje dhe 310 në dygarësh), duke bërë që pesha më e vogël trupore të favorizojë Calen.

Integra Onlus: “Ne Italianët, portretet e reja të Italisë”

Viareggio. Zhduket pa lënë gjurmë Raimonda Zefi