in

Ngjarjet që i dhanë tonin vitit 2011 në Shqipëri

BE-ja, integrimi

Vendimi i tetorit i Komisionit europian për Shqipërinë ishte një refuzim i paralajmëruar. Ngërçi i gjatë politik kishte lënë pasoja të forta dhe asnjë nga 12 rekomandimet e Brukselit nuk ishte përmbushur. Vetëm në fund të vjeshtës, nën trysninë, po të BE, palët në Shqipëri duket se kuptuan se nuk mund të vazhdonin pa fund në këtë gjendje dhe arritën një marrëveshje të parë mes tyre.

Zhvillimet kritike në Shqipëri rritën vëmendjen e Brukselit, kryesisht për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës duke nxitur palët që të fokusoheshin te përparësitë e procesit të integrimit dhe 12 objektivat e lëna detyrë që vitin e shkuar. Përfaqësues të niveleve të larta të Bashkimit europian do të vizitojnë shpesh Tiranën, ndërsa mungesa e sinjaleve shpresëdhënëse nga politika shqiptare dhe komplikimi i procesit zgjedhor në kryeqytet bënë që presidenti i Komisionit europian Jose Manuel Barroso, të anulonte vizitën e parashikuar më 20 maj. Për Shqipërinë do të diskutohet në nivele të larta të Brukselit si dhe në parlamentin europian.

Rrëzimi për herë të dytë i dhënies së Statusit të vendit kandidat në tetor nuk habiti askënd.

“Në Shqipëri përparimi u pengua nga vazhdimi i ngërçit dhe zhvillime të tjera konfrontuese”, tha komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle duke lexuar vendimin për Shqipërinë.

Komisioni do të vlerësojë se Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë prej 12 kritereve.
Ndërkohë disa sinjale pozitive kishin nisur të shfaqeshin. “Bojkoti e ka kryer misionin e vet”.

Në asamblenë e 2 Korrikut zoti Rama do të flasë për një kurs të ri politik. Në shtator  socialistët do të prezantojnë një pakt me 10 pika. “Propozoj një pakt për Shqipërinë si gjithë Europa”. Një propozim i tillë ishte bërë pak ditë më parë nga dy ministrat e jashtëm të Italisë dhe Greqisë që vizituan Tiranën më 12 Shtator.
Socialistët ofrojnë bashkëpunimin për realizimin e një serie reformash, përfshirë edhe ndryshimet në kushtetutë. Por shumica është kategorikisht kundër. “Atyre që bërtasin të ndryshojnë kushtetutën sa herë u lëviz karrigia, atyre u them se ky vend ka nevojë të zbatojë kushtetutën”, deklaroi kryeministri Berisha. Demokratët do të pranojnë vetëm realizimin e reformës zgjedhore dhe ndryshimet në rregulloren e parlamentit. Nën trysninë e komisionit europian marrëveshja do të vijë disa javë më vonë.  Do të ngrihet komisioni i reformës dhe ai për rregulloren, si dhe përcaktohet një kalendar për ligjet me tre të pestat. Disa miratohen në parlament. Në komisionin e Integrimit palët bien dakord për rishikimin e Planit të Veprimit ndërsa në fund të dhjetorit do të emërohet me konsensus dhe avokati i popullit i propozuar nga socialistët.

Nga Armand Mero, Zëri i Amerikës

100 telefonata ish të dashurës natën e Vitit të Ri. Arrestohet për stalking

Udhëtimi me avion. Asnjëherë më i sigurt se në vitin 2011