in

“Niko, cittadino del mondo”, epika e një emigranti

Më 15 shkurt, në Palazzo Vecchio – Salone dei Cinquecento, në Firencë, u zhvillua ceremonia e prezentimit të librit “Niko – Nikolin Gjeloshi – cittadino del mondo” i Paolo Seganti-t. Në dhomën e mahnitshme, ku historia merr krenari, ku arti e kultura si dhe dijet botërore kanë fillim, bashkë me prezentimin e librit të botuar nga shtëpia botuese Edilalbo Edizioni, u kombinua me paramëndim përkujtimi i 10 –vjetorit të binjakëzimit mes Firences dhe Tiranës. Miqësia, dialogu dhe kujtesa mes dy popujve ishin subjektet e ndërhyrjeve të ndryshme të bëra nga Dr. Eugenio Giani, Kryetari i Këshillit Komunal të Firencës, nga Sh. T. Llesh Kola, Ambasadori i Shqipërisë në Romë, dhe Paolo Seganti, aktor dhe autor i librit, sidhe aktori i mirënjohur Giovanni Guidelli.

Mbrëmja u hap me fjalën e Kryetarit të Këshillit të Komunës së Firences Dr. Eugenio Giani, i cili krahasoi historinë e sipërmarrësit shqiptar, Nikolin Gjeloshi, me më të madhin  designer të këpucëve të shekullit të njëzetë, Salvatore Ferragamo. «Të dy emigrantë të varfër dhe me mungesë formimi profesional, por me një dëshirë të madhe për sukses, dëshiruan dhe ia arritën objektivave» – theksoi ai. «Fati i njëjtë i bashkon italianët dhe shqiptarët, ashtu si dhe historia tashmë epike e emigrantëve si e protagonistit të librit, sepse italianët me fytyra të habitura para Statujës së Lirisë në SHBA, ishin ashtu si shqiptarët kur sbrisnin para brigjeve të ndriçuara të Italisë» – vazhdoi mëtej ai. «Shqipëria është vendi ku një italian ndihet më në shtëpi se në çdo vend tjetër në botë» – kujtoi ai.

Piktori shqiptar Alfred Milot i ofroi Dr. Giani-t një portet të stilit pop-art, duke bashkuar kartolinat e qytetit të Firencës me falënderimin special që ky personazh i ka dhënë shqiptarëve në vite. «Mënyra e të folurit për shqiptarët e Dr. Giani-t, të bën të ndihesh më krenar dhe të besosh më shumë në prejardhjen tënde» – shpjegoi Miloti. «Edhe kur shqiptarët ishin të emargjinuar nga italianët, ai dhe bashkatdhetari i palodhur Nikolin Gjeloshin kanë punuar me vite për t’i dhënë forcë dhe siguri psikologjike shqiptarëve të qytetit rilindas» – përfundoi Miloti.

Ndërhyrja e Ambasadorit Kola vazhdoi mëtej me falënderimin ndaj toskanëve dhe italianëve që pritën dhe ndihmuan shqiptarët në këto 20 vite bashkëjetesë. «Nikolini, ashtu sidhe migrantët e tjerë shqiptarë, ishin optimist dhe të qëndrueshëm për të mos kërkuar dhurata. Duke punuar shtatë ditë në javë, dhe me peshën e sindromës së ekstrakomunitarizmit, nuk u lëkundën. Bënë atë që dinin të bënin më mirë, punë dhe arritën të krijonin diçka personale. Këto janë për ne sot një vlerë e shtuar, dhe nëse dikush ju pyet: nuk dukeni si shqiptar, përgjigjuni, nuk e njihni aspak Shqipërinë» – përfundoi Kola.

Në ngjarjen simbolike u bashkua dhe Presidenti i Confartigianato-s së Pistoiës, Massimo Donnini, i cili falënderoi shqiptarët për kontributin e tyre në rritjen e ekonomisë së zonës, duke e shndërruar në qytetin më të rëndësishëm për ekportin e pemëve dhe luleve në të gjithë rajonin. «Po të mos kishin qenë shqiptarët nuk di ku do ishte sot ekonomia e Pistoiës» – theksoi ai. Motivi i ndërhyrjes së tij ishte dhurimi i Medaljes së veçantë e bërë nga skulptori Jorio Vivarelli, që simbolizon treshen tipike të një zejtari, “Truri- Syri- Krahu”, e dhënë për merita të jashtëzakonshme për kreativitet dhe ndërmarrësi. Në këtë rast ia dha Nikolinit për këmbëngulje, guxim dhe ndershmëri për vete dhe për të tjerët, dhe që ka treguar aftësi të jashtëzakonshme si sipërmarrës.

Mes një publiku të madh, të nderuar me pjesëmarrjen e rreth 450 persona në Sallën  madhështore, ceremonia u shoqërua me leximin e një fragmenti të librit, shumë e ngarkuar emocionalisht, një dramë e cila u bë edhe më i dukshme me interpretimin e vetë autorit dhe të aktorit Paolo Seganti. Radha i takoi pastaj aktorit, Giovanni Guidelli që lexoi një tjetër pjesë nga të librit Niko, me të cilën i dha akoma më shumë ngjyrë mbrëmjes.

Nikolin falënderoi gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe nënvizoi që mundësoi krijimin e këtij libri si dhe organizimin e ceremonisë për të treguar historinë e tij dhe të shumë emigrantëve të tjerë, për të mos harruar të kaluarën. «Frika që një ditë fëmijët tanë mos të kujtojnë atë që ndodhi për gati 20 vitet e emigracionit shqiptar më nxiti të arrij në këtë pikë»- theksoi ai.

Firence 16.02.2011

 

“Jam italian i vërtetë!”, brezat e dytë në Sanremo

Shqipëria feston 20 vjetorin e rrëzimit të diktatorit