in

Nis Festivali i Këngës në RTSh. Pak këngëtarë në garë, katër prezantues

Gjatë dy netëve të para, të pranishëm edhe artistë të njohur të cilët do të këndojnë në duete me konkurrentët e këtij viti këngë të njohura të edicioneve të shkuara  të festivalit të RTSh-së. Ndër të ftuarit specialë, Elhaida Dani

Romë, 26 dhjetor 2013 – Nis sot në mbrëmje edicioni i 52-të i evenimentit më të vjetër e më të rëndësishëm të muzikës së lehtë.  Festivali i Këngës do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë e do të transmetohet drejtpërdrejt nga RTSh.

Nëse nga njëra anë, bie në sy reduktimi në 16 i këngëve në garë, kundrejt 26 të vitit të shkuar, dhe mungesa e artistëve me përvojë në muzikën shqiptare, nga ana tjetër shkon në katër numri i prezantuesve. Në fakt në krah të Enkel Demit nuk do të jetë Diellza Kolgeci, siç ishte vendosur fillimisht, por aktorja Klea Huta, ish Miss Universi 2011 Xhesika Berberit dhe modelja Marinela Meta.

Formula e re e këtij viti parashikon që mbrëmjen e sotme të prezantohen tetë këngë konkurrente dhe tetë të tjerat nesër. Siç është bërë traditë e këtyre tre viteve të fundit secila prej këngëve konkurruese do të interpretohet live, me shoqërimin e Orkestrës së RTSh-së. Gjatë dy netëve të para nuk do të ketë seleksionim dhe në natën e tretë të 16 këngët konkuruese do të ngjiten në skenë duke i dhënë kështu mundësi publikut të njohë akoma më mirë këngët dhe konkurrentët e këtij viti.

Gjatë dy netëve të para, në skenën e Festivalit të Këngës do të jenë të pranishëm edhe artistë të njohur, “Big”, të cilët do të këndojnë në duete me konkurrentët e këtij viti, këngë të njohura të edicioneve të shkuara  të festivalit të RTSh-së. Ndër duetet mund të përmenden Altin Goci me Edmond Mancakun dhe Entela Zhulën, Flaka Krelani me Saimir Brahon, Rovena Dilo me Klodian Kaçanin, Mira Konçi me Luiz Ejllin, Juliana Pasha me Marjeta Billon, Kastriot Tusha me Herciana Matmujën, Elton Deda me Rezarta Smajën, Kejsi Tola (fituese dhe perfaqësuese e Shqipërisë në Eurosong), me Renis Gjokën etj.

Të ftuarit specialë të këtij viti janë fituesja e Eurosong 2013, danezja Emmelie Charlotte-Victoria de Forest dhe Elhaida Dani fituese e “The Voice of Italy”.

Këtë vit drejtor i Festivalit është Alfons Zeneli, njëherësh edhe drejtor i Radio Tirana. Drejtorët artistikë janë Edmond Zhulali dhe Shpëtim Saraçi, ndërsa producent muzikor është Alfred Kaçinari. Regjia e festivalit të këtij viti i është besuar Petri Bozos, skenari Alda Bida ndërsa skenografia mjeshtrit Adnan Kastrati.

Kënga fituese e vitit 2012 ishte “Identitet”, e kënduar nga Bledar Sejko & Adrian Lulgjuraj, që përfaqësuan Shqipërinë në Eurovizion, por pa arritur të hyjnë në finale. Për këtë arsye, fituesit të këtij edicioni të Festivalit të Këngës, që do të shkojë në Eurovizion, do t’i duhet të konkurrojë në netët gjysmëfinale, për të hyrë më pas në finale. 

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Shqipëria uron, Shqipëria dhuron

Europa “e krishterë” dhe Shqipëria “myslimane”