1.000 € për të paguar çerdhen apo asistencën në shtëpi për fëmijët me patologji të rënda kronike, për bijtë e lindur/birësuar nga 1 janari 2016. INPS vazhdon të përjashtojë të huajt me lejeqëndrim të thjeshtë për punë
Romë, 30 janar 2018 – Nga ora 10 e mëngjesit të 29 janarit mund të paraqiten kërkesat për të përfituar “bonusin për çerdhen”. Është fjala për, maksimumi, 1.000 euro në vit për fëmijët e lindur ose të birësuar nga 1 janari 2016 e këtej si kontribut për të paguar çerdhen publike apo private. Mund ta përfitojnë këtë shumë edhe prindërit që paguajnë “forma të ndryshme mbështetjeje pranë vendbanimit të vet” në favor të bijve nën tre vjeç me patologji të rënda kronike.
Për të përfituar këtë bonus, nuk kanë rëndësi të ardhurat e familjes por vetëm regjistrimi në çerdhe private apo publike i fëmijës e rezidenca në Itali. Për të huajt, ashtu si edhe për ndihmesa të tjera, INPS vazhdon të kërkojë, padrejtësisht, në kundërshtim me normat evropiane, që të kenë kartë qëndrimi ose statusin e refugjatit apo të gëzojnë mbrojtjen plotësuese dhe nuk mjaftohet me lejeqëndrimin e thjeshtë të lejon punësimin e mbajtësit.
Me kërkesë të prindit, bonusi jepet nga INPS-i ekskluzivisht për pagesën mujore të çerdhes së fëmijëve deri në 3 vjeç. Kontributi jepet një herë në muaj për 11 muaj. Çdo këst është 90,91 €, por kontributi nuk mund të jetë më i lartë nga shuma që prindi paguan për çerdhen. P.sh. nëse dikush paguan për çerdhen e të birit 200 €, INPS do t’i njohë prindit kontributin të plotë, por nëse paguan vetëm 80 euro në muaj, kontributi që do t’i jepet është vetëm aq, 80 euro në muaj.
Kur është fjala për fëmijë me patologji të rënda kronike – gjë që duhet dëshmuar përmes një certifikate të lëshuar nga pediatri i familjes me të cilën deklaron “pamundësinë e ndjekjes së çerdhes për shkak të një patologjie të rëndë kronike” – kontributi mund të kërkohet për të paguar asistencën në shtëpi dhe, në këtë rast, INPS do të japë bonusin të gjithë njëherësh.
Paraqitja e kërkesave
Kërkesat mund të paraqiten deri më 31 dhjetor 2017. Por, duke qenë se shuma e vënë në dispozicion për këtë bonus është e kufizuar, 250 milionë euro, kush është i interesuar ta kërkojë bën mirë të nxitojë: me mbarimin e atyre parave nuk do të pranohen më kërkesa të reja.
Kërkesa paraqitet në tre mënyra:
– përmes portalit të INPS-it. Në faqen dedikuar Bonusit për Çerdhen dhe formave të asistencës pranë vendbanimit , shtypni butonin “Accedi al servizio” e me kodin personal PIN hyni në hapësirën private e plotësohet formulari i kërkesës;
– përmes Contact Center në numrin e gjelbër 803.164 nga rrjeti fiks ose 06.164.164 nga celularët;
– përmes patronateve nëpërmjet shërbimeve telematike që ato ofrojnë.
Duhet pasur kujdes: kush do të përfitojë bonusin e çerdheve nuk do të mund të zbresë nga taksat ç’ka paguar për çerdhen.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)