in

Nisin regjistrimet në shkollën “Scanderbeg” të Parmës

Romë, 12 shtator 2010 – Për të dytin vit radhazi shoqata Scanderbeg e Parmës organizon kursin “shkolla shqipe” për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në qytetin e provincën e Parmës. Kushdo që dëshiron që fëmija i tij të mësojë jo vetëm të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe por edhe të dijë pak nga letërsia, histori dhe gjeografia e Shqipërisë, nuk duhet të bëjë tjetër veçse të lidhet me shoqatën Scanderbeg e të kryejë regjistrimin.

“Do të nisim mësimet më 2 tetor e do t’i përfundojmë më 29 maj të vitit të ardhshëm. – thotë për shqiptariiitalisë.com, koordinatorja e shkollës dhe nënkryetarja e shoqatës Scanderbeg, Anila Kadija. – Ashtu si edhe vitin e shkuar mësimet do të zhvillohen të shtunën e çdo jave për dy orë, gjatë cilave fëmijët do të mund mësojnë fillimisht abetaren dhe më pas edhe letërsi, histori dhe gjeografi të Shqipërisë”.

Viti i vjetshëm shkollor mblodhi në shkollën Scanderbeg rreth 20 fëmijë me moshë nga 6 deri në 12 vjeç dhe siç shpjegon Durim Lika, përgjegjës i organizimit të shoqatës, mund të konsiderohet “një përvojë e brishtë por e suksesshme dhe domethënëse”. I gjithë organizimi dhe mbajtja e leksioneve nga katër mësuesit profesionistë (vullnetarë) u mbulua me shpenzimet e shoqatës Scanderbeg Parma, me ndihmën e prindërve të nxënësve dhe veçanërisht të sipërmarrësit shqiptar në Parma Shpendi Ndreu.

“Fatkeqësisht nga Shqipëria – tregon Lika – nuk na u dha asnjë lloj ndihme. Blemë vetë të gjitha mjetet e nevojshme, duke filluar nga abetaret. Vetëm shkolla e Plazhit në Durrës, nëndrejtoresha e të cilës, Mira Mullici, mori për zemër iniciativën tonë, na dhuroi materiale didaktikë dhe libra. As në Italia nuk patëm asnjë ndihmë, me përjashtim të ‘Libri Albanesi’ të Ismail Ademit që i dhuroi shkollës sonë 50 libra për fëmijë në gjuhën shqipe. Edhe për klasën që përdornim njëherë në javë paguam çdo muaj një shumë të vogël për mirëmbajtjen e shpenzimet e ujit dhe të dritave”.

Megjithatë vështirësitë nuk i kanë dekurajuar aspak organizuesit e shkollës pasi për ta “mësimi i gjuhës shqipe fëmijëve të emigrantëve, dhe më në përgjithësi ruajtja e traditave, kulturës, gjuhës shqiptare, mbetet një nga qëllimet parësore të punës”, siç thonë me krenari qoftë Durimi qoftë Anila. Ndaj, të patundur në bindjen e tyre mbi nevojën e shkollës, i kanë hyrë punës (për gjetjen e librave, të ambienteve të përshtatshme, të mësuesve vullnetarë etj.) që edhe këtë vit të mund t’u mundësojnë sa më shumë fëmijëve ndjekjen falas të mësimeve në gjuhën shqipe.

Për regjistrime, sugjerime dhe bashkëpunim kontaktoni shoqatën Scanderbeg në
info@scanderbeg.org dhe 0521.291583

(red.)

Lexo edhe: Dy vjeç, por është ndër më aktivët Skënderbeu i Parmës

Brezat e dytë, të parët e klasës

Bevete Cacao Van Houten! në Torino

Flukset: Dhjetë mijë ardhje për të marrë një profesion