in

Një çmim italian për çiklistët e Gjergj Xhuvanit

“Lindje perëndim lindje” merr çmimin si filmi më i mirë në Festivalin e Filmit të Busto Arsizios dhe pritet ngrohtë nga publiku. Historia e çiklistëve shqiptarë që mbeten të bllokuar mes kufijve, në përpjekjet e tyre për t’u kthyer në atdhe, është e dhimbshme dhe dëfryese në të njëjtën kohë. Ajo të bën të reflektosh mbi absurditetin e kufijve, në një shoqëri ku shpesh i mëshohet “vërshimit të të huajve” kur nga ana tjetër ekonomia përjeton epokën e globalizimit

East West East, i regjisorit Gjergj Xhuvani fiton më 27 mars çmimin si filmi më i mirë në edicionin e tetë të Festivalit të Filmit të Busto Arsizios. Filmi, bashkëprodhim kryesisht italo-shqiptar, është vlerësuar nga juria e drejtuar Carlo Lizzani dhe është pritur shumë ngrohtë nga publiku. Historia e grupit të çiklistëve shqiptarë që mbeten të bllokuar mes kufijve, në përpjekjet e tyre, jo për t’u larguar, por për t’u kthyer në atdhe, është e dhimbshme dhe dëfryese në të njëjtën kohë. Ajo të bën të reflektosh mbi absurditetin e kufijve, në një shoqëri ku shpesh i mëshohet “vërshimit të të huajve” kur nga ana tjetër ekonomia përjeton epokën e globalizimit.

Protagoniste kryesore e filmit të Xhuvanit është Shqipëria e vitit 1990. Gjithçka nis kur nga Franca vjen një ftesë për të marrë pjesë në një garë çiklistësh, amatorë. Dhe pikërisht pjesëmarrësit në këtë garë janë edhe personazhet e filmit: një ish kampion që thirret nga komiteti i Partisë për të drejtuar ekipin, disa çiklistë të rinj, njerëz të zakonshëm me ëndrra të vogla, postieri i fshatit që ua kalon të gjithëve dhe zbulohet rastësisht si një talent, dhe natyrisht spiuni i radhës, figura që nuk u mungonte asnjëherë delegacioneve të shqiptarëve që merrnin rrugën për jashtë kufijve hermetikë dhe ende hijerëndë të shtetit shqiptar.

Secili nga personazhet bart brenda imazhin e vet të botës që pret të gjejë jashtë Shqipërisë, dhe e sheh atë si një zgjidhje të problemeve të veçanta personale. Janë njerëz të dashuruar me ëndrrën e tyre, që shkon nga televizori me ngjyra apo biçikleta e modelit të fundit deri te kura për të mbetur shtatzënë, nga ëndrra e djaloshit të bukur që dëshiron të bëjë dashuri me një vajzë të huaj deri te ajo e të shoqes së njërit prej çiklistëve për një palë të brendshme të kuqe. Problemit të tyre të përbashkët, vështirësive ekonomike, i shtohen edhe bllokimet politike të Shqipërisë totalitare. Të gjithë së bashku përbëjnë një personazh të vetëm, gjatë aventurave në Trieste ku ngelen të bllokuar e pastaj  gjatë kthimit të gjatë e plot peripeci drejt Shqipërisë nëpër Jugosllavi.

E teksa ndjek rrugën e këtyre të rinjve vëren se si kapërcen çdo ëndërr tyren të vogël, solidariteti me njëri tjetrin, krenaria kombëtare përpara policit kufi, apo dëshira për të mos mbetur në borxh as edhe një qindarkë të vetme.  Gjatë udhëtimit të tyre zbulon marrëdhëniet mes qytetarëve të një shteti “të pafuqishëm” dhe forcave kufirit ku ashtu si në realitet nuk mungojnë problemet, gërricjet. Zbulon marrëdhëniet mes personash të kombësive të ndryshme, veçanërisht ato mes ballkanasve. Janë marrëdhënie të mrekullueshme, mes popujsh që dashur padashur kanë shumë pika të përbashkëta.

Ndër aktorët kryesorë, më i njohuri është Ndriçim Xhepa ndërsa të tjerët janë aktorë të rinj që po afirmohen dita ditës me rolet e tyre në filma të ndryshëm si Helidon Fino, Lulëzim Zeqja, Gentian Hazizi e Ervin Bejleri. Spikat mes tyre edhe një aktor “i ri”, modeli Oni Pustina, i cili e kapërcen me sukses provën e tij të parë para telekamerës. Filmi që do të dalë së shpejti mban etiketën e një bashkëproduksioni me shtëpinë italiane Fast Rewind, me atë angleze High points film e me shqiptaren Albanian General Vision. Muzika e filmit është e Enrico Ruggeros.

Urime për çmimin. Sa rëndësi kanë çmimet për artistin e veprën?

Gjergj Xhuvani: Çmimet i bëjnë mirë veprës artistike dhe janë një vlerësim ledhatar për sedrën e autorit. Por jo gjithnjë çmimi nënkupton suksesin e filmit në publik.

Këtë herë, çmimi dhe pritja e mirë e filmit në Busto Arsizio më jep një kënaqësi të veçantë. Çdo çmim është i rëndësishëm por në këtë rast një çmim i marrë në Itali, më ngroh në mënyrë të veçantë. Filmi trajton një histori, por edhe një problem, që prek drejtpërdrejt Italinë, është xhiruar në Itali, muzikën e tij e ka bërë një artist italian, Enrico Ruggero, këtu i është bërë montazhi, ndaj edhe vlerësimi i tij nga personalitete të kinematografisë italiane më kënaq në mënyrë të veçantë. Duke qenë se edhe pritja e publikut italian ishte shumë e ngrohtë, jam dyfish i lumtur.

Filmi është shfaqur për publikun e ka marrë edhe në festivale të tjera, në Shqipëri e Kosovë. Me East West East kam fituar edhe çmim në TIFF-in e Tiranës.

Ç’mendoni se sjell filmi për publikun italian?

Thonë që është një film që në Itali ka munguar sepse është një lloj filmi ku personazhet nuk janë asnjëherë të izoluara por janë gjithmonë bashkë, kjo është një risi në kinemanë e tanishme italiane. Pastaj sot italianëve u ka humbur solidariteti njerëzor, është e pamendueshme skena për shembull ku Oni Pustina shihet të bëjë dashuri me një femër që nuk i pëlqen aspak, vetëm për t’i marrë të linjtat e kuqe që shokut të tij ia kishte kërkuar gruaja në Shqipëri. Janë emocione që mungojnë në ditët e sotme, natyrisht nuk bëhet fjalë për emocione të forta të papërsëritshme, por një ndjenjë njerëzore që shoqëria sot po humbet. Kisha parë kolegët italianë të produksionit herë të buzëqeshnin e herë të përloteshin. Vura re pak a shumë të njëjtin reagim edhe në sallë në Busto Arsizio, dhe kjo gjë më bën qejfin.

Si ka lindur nevoja për të prodhuar filmin në Itali?

Së pari paratë që të jep shteti shqiptar nuk mjaftojnë për të bërë një film të pranueshëm për publikun ndërkombëtar. Nuk mjafton të bëhet një film vetëm për standardet e brendshme shqiptare. Dihet cilat janë këto standarde dhe ç’prurje ka ky publik që nuk shkon as në dy milionë. Kinemaja ka lindur si një art popullor, ndaj një treg i kufizuar shkon kundër logjikës së saj.

Një problem tjetër është që për të bërë një film të mirë duhet prodhuar me një teknologji bashkëkohore, që bën progres ditë pas dite, që jo gjithnjë e gjen në Shqipëri. Meqenëse ky film për nga natyra është ndërkombëtar ishte detyrimisht e nevojshme që të ishin të pranishme edhe mendimet dhe përvoja ndërkombëtare. Filmi detyrimisht duhej të xhirohej në Itali sepse aty do të ndodhte një pjesë e tij, një pjesë tjetër nuk mund të mos i besohej produksionit maqedonas, për pjesën e filmit që u xhirua në ish-Jugosllavi, përndryshe do të kisha pasur probleme të jashtëzakonshme, nuk do të kisha qenë në gjendje të gjeja njerëzit, shtëpitë, ambientet, e aq më pak të merresha vesh në gjuhët e tyre, do të kisha praktikisht të pamundur.

Në kinemanë tuaj, vihet re një prirje në të cilën ka një kthim të kinemasë në përmasën e saj antropologjike, ndërsa në vitet ’90 për shumë kohë vihej re artificializim i kinemasë, personazhet silleshin si të mos ishin pjesë e kulturës shqiptare…

Ky është ligj, kush nuk kupton këtë nuk ka kuptuar asgjë nga ky zanat. Është diçka e shkruar e zezë në të bardhë. Themelues i saj është Charlie Chaplin, detyrë e kinemasë është të fiksosh kohën, thoshte ai. Pse është një film gjigand filmi “Kohet moderne”? Sepse ka kapur kuptimin e një kohe e një periudhe. Unë u mësoj këtë koncept studentëve të mi dhe nëse ata devijojnë nga një gjë e tillë jam i detyruar t’i ngel, sepse kineasti nuk duhet të jetë alien ndaj shoqërisë së vet. Nëse dikush del jashtë kohës, filmi është i pashikueshëm. Fakti që ka ekzistuar një fenomen i tillë në kinemanë shqiptare ka të bëjë me faktin e mosnjohjes së kinemasë. Problemi ynë ishte se një pjesë e mirë e jona nuk e njihnin mirë kinemanë, nuk bëmë shkolla të mira kinemaje, na u desh të mësonim, të specializoheshim më pas. Ata që erdhën nga shkollat e huaja të paktë ishin ata që kishin studiuar për regjisurë, një pjesë e mirë e tyre ishin drejtorë fotografish, jo regjisorë, megjithatë ata filma ishin bërë me logjikën e kohës.

Bota shqiptare 233 – 1 prill 2010

Haki Doku: “S’ka më bukur se të jesh i pavarur”

Zgjatet orari i zyrave të shërbimeve për pasaportat biometrike