Tiranë, 4 tetor 2011 – Një grup prej rreth 25 investitorësh nga Krahinës i Friulit-Venecia Xhulia, takuan sot në Tiranë, Ministrin e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço. Sipas ATSh-së, gjatë takimit, përveç se u lançuan e projekte të përbashkëta në kuadër të programit IPA (Projektit te Kooperimit Territorial), u pa dhe mundësia për hartimin e projekteve të tjera.
Në lidhje me këtë, delegacioni i ardhur nga Italia, vlerësoi vendin si tërheqës.”Shqipëria, është një partner strategjik për të zgjeruar biznesin tonë. Prandaj është mjaft e rëndësishme hartimi i projekteve të përbashkëta si dhe thellimi mëtejshëm i atyre ekzistueseve”, theksuan ata, duke diskutuar më tej mbi projektin e Programit të Kooperimit Territorial, IPA.
Ministri i Ekonomisë Naço, i siguroi investitorët italianë, mbështetje të plotë në ecurinë e tyre. “Ministria që unë përfaqësoj, do të jetë aleati më i mirë dhe mbështetësi kryesor i çdo investimi të huaj në vendin tonë. Programi IPA, është një program i rëndësishëm në kuadër të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të dy vendeve”, nënvizoi Naço. Ministri i Ekonomisë u shpreh se programi IPA, është pjesë e projekteve të përbashkëta me Zyrën e Kooperimit dhe Zhvillimit të Italisë
Në takim u diskutua edhe mbi mundësitë për hapjen e zyrave të institucioneve financiare të Krahinës së Friulit në Shqipëri për thithjen e investitorëve, për të cilat të dyja palët shprehën entuziaste dhe i vlerësuan atë me nota pozitive.