in

Një familje shqiptare që i druhej hakmarrjes në Shqipëri, fiton azilin në ShBA

Si rrallë herë vitet e fundit për shqiptarët, Edmond Demiraj dhe familja e tij kanë fituar të drejtën e azilit në ShBA. Demirajve u është dashur të paraqesin çështjen e tyre deri në Gjykatën e Lartë amerikane duke tërhequr kështu vëmendjen e mediave

Qeveria amerikane i dha strehim shqiptarit Edmond Demiraj  dhe familjes së tij, në një rast që tërhoqi vëmendjen në Shtetet e Bashkuara pasi çështja u paraqit deri në Gjykatën e Lartë vitin e kaluar.

Demiraj kishte thënë se kishte frikë se do ta ekzekutonin nëse kthehej në Shqipëri.

Zyra legale që kishte marrë përsipër mbrojtjen e kësaj çështjeje, Orrick, Herrington&Sutcliffe e bëri të ditur lajmin përmes një deklarate.

Demiraj kishte rënë dakord të dëshmonte kundër një kryetari bande shqiptar, Bill Bedini, i akuzuar për trafik njerëzor para një dekade, në këmbim të një premtimi nga prokurorët federalë që atij dhe familjes së tij t’i garantohej siguria dhe t’i jepej Karta e Gjelbër e qëndrimit të përhershëm. Por kur Bedini la Shtetet e Bashkuara para gjyqit, autoritetet e riatdhesuan Demirajn në Shqipëri.  

Sipas një vendimi të Gjykatës së Apelit dhe dokumenteve të gjykatës të vitit 2011, atje Bedini e rrëmbeu Demirajn, e rrahu dhe e qëlloi me armë zjarri. Plumbi pothuajse preku veshkat. Demiraj u kthye në Shtetet e Bashkuara ku iu dha leje e përkohshme qëndrimi, por ndërkaq autoritetet dhanë urdhër që gruaja e tij Rudina dhe i biri Rediol, që ishin në Shtetet e Bashkuara që në vitin 2000 në mënyrë të paligjshme, të riatdhesoheshin. Familja i druhej hakmarrjes së Bedinit, gjë që e kishte pranuar edhe një juriste në Departamentin e Drejtësisë. Gjykata e apelit kishte rënë dakord që Rudina dhe Redioli rrezikoheshin, kështu që të dy ata i paraqitën një apel Gjykatës së Lartë që më në fund u dha të drejtë.

Rasti i  familjes Demiraj u mbështet nga organizata të të drejtave të njeriut, profesorë të së drejtës dhe rreth 40 ish-zyrtarë të rendit, përfshirë Dick Thornburgh që ishte prokuror i përgjithshëm në administratat e Presidentëve Ronald Reagan dhe George Bush.

“Jemi shumë të lumtur për familjen Demiraj. Gjatë gjithë kësaj kohe ata donin të jetonin ëndrrën amerikane në mënyrë të ligjshme dhe të sigurt”, u shpreh në deklaratë Joshua Rosenkranz, një nga avokat e firmës që përfaqësoi familjen. Ai tha se vlerësonte vendimin për “të ndrequr një gabim të madh”.

Sipas gazetës Neë York Times, Demiraj, që sot banon me familjen pranë Houstonit të Teksasit, thotë se “ka rilindur përsëri”, pas atij që ai e quajti “një tmerr të vërtetë”. (Zëri i Amerikës)

Në foto Edmond Demiraj, me të shoqen Rudina, dhe bijtë, Redioli, 18vjeç, Albani, 10, dhe Ariana, 4, në shtëpinë e tyre në Texas.

 

Emi Aliçka, studiuesja durrsake e muzikës mes Shqipërisë dhe Europës

Në Shqipëri 36 sportele punësimi për emigrantët e kthyer