in

Një kompani shqiptare lundrimi mbulon linjën Durrës-Bari

Është themeluar në Durrës kompania e parë shqiptare e lundrimit Albanian Ferries që prej dy javësh ka nisur udhëtimet në linjën Durrës Bari me tragetin e saj Adriatica Queen. Shumë shpejt do të nisë lundrimet edhe Adriatica King

Tiranë 3 tetor 2011 – Prej dy javësh në linjën detare Durrës-Bari-Durrës ka nisur të lundrojë trageti “Adriatica Queen”. Është ky trageti i parë i të parës kompani lundrimi shqiptare, “Albanian Ferries” të themeluar  rreth dy muaj më parë nga pesë biznesmenë shqiptarë në fushën e transporteve. Brenda tetorit, kompania shqiptare do të mbulojë linjën Durrës-Bari me një tjetër traget, që quhet “Adriatica King”.

Aurel Kaçulini, administrator i agjencisë KAD, agjencia e përgjithshme e “Albanian Ferries “, thotë “Kompania  Albanian Ferries lindi si nevojë e transportuesve të kamionëve, të cilët ndienin mungesën e seriozitetit në tregun e lundrimit, që dominohet nga të huajt. Rezervimet e vështira veçanërisht në periudhat e fluksit të lëvizjes së udhëtarëve dhe ndryshimet e çmimeve të lundrimit në vartësi të kërkesave, ishin dy elementët kryesorë që bashkuan pesë firma të njohura në fushën e transpedicionit”. 

Janë drejtuesit e kompanisë “Pelikan”, Genc Mataj, e kompanisë  “Muka speed”, Ardian Muka, e “Konserv-Alba”, Etrit dhe Ardian Hasnedari,  e “Shega Trans”, Ervin Shijaku dhe drejtuesi i “Lami Trans”, Xhaferr Lami, që pas një përgatitjeje gati njëvjeçare, krijuan kompaninë krejtësisht shqiptare “Albanian Ferries”, për  transportin e udhëtarëve dhe automjeteve, në një treg të mbuluar për 20 vjet nga kompani të huaja, kryesisht italiane dhe greke.
“Trafiku vjetor i kamionëve gjatë vitit 2010 vetëm në linjën Durrës –Bari dhe kthim ka pasur një vëllim vjetor prej 27.700 automjetesh të mëdha në largim nga Durrësi dhe 28.800 të tjerë në mbërritje. Pa mbajtur parasysh lëvizjet drejt porteve të Ankonës dhe Triestes këto janë shifra të larta dhe një pjesë e mirë e kamionëve të transportuar janë në pronësi apo në shërbim të kompanive transportuese, të cilat vendosën krijimin e një kompanie shqiptare lundrimi si dhe blerjen e dy trageteve të mëdha” sqaron Aurel Kaçulini.

Trageti “Adriatica Queen” është blerë në Estoni dhe ka një gjatësi prej 153,8 metra. Mban 1300 udhëtarë që mund të akomodohen pjesërisht në 260 kabinat me 708 shtretër, ndërsa kapaciteti i automjeteve arrin në 30 kamionë dhe 50 autovetura së bashku.

“Adriatica King” i blerë në Greqi dhe që pret të nisë lundrimet brenda këtij muaji është diçka më i vogël (123 metra) me kapacitet udhëtarësh  1200 vetë si dhe të njëjtin kapacitet automjetesh me “Adriatica Queen”: 30 kamionë dhe 50 autovetura.

Sipas Kaçulinit, “tragetet e kompanisë shqiptare do të kenë siguri dhe komoditet të plotë në lundrim. Sa për çmimet, ato janë e do të mbeten padyshim konkurruese”.  “I kërkojmë shtetit të kontrollojë respektimin e tabelave të çmimeve të paraqitura nga kompanitë, çka do ta bëjë tregun e lundrimit detar shumë më serioz në marrëdhëniet me partnerët dhe klientët” përfundon drejtuesi i agjencisë detare të kompanisë “Albanian Ferries”.

Lind në Sulmona shoqata “Centro-qendra Abruzzo”

Sa kohë duhet kaluar në Shqipëri nga një udhëtim Schengen në tjetrin për turizëm?