in

Një migrant përballë merendinave

Nga Rando Devole
Libri i ngjason ndonjëherë asaj shishes me mesazh brenda, që pasi hidhet ne det nga autori, mes valësh e rrymash, bën rrugëtime të gjata e të çuditshme, derisa prek tokën, ku kapet rastësisht nga një kalimtar/lexues në rërën e plazhit. Me siguri kështu ka ndodhur edhe për sprovën “Fenomenologia della merendina” (Clichy, 2016) të Riccardo Ventrella, që më ra në dorë krejt rastësisht.

E rastësia u referohet më shumë tipareve të mia si lexues, se sa ndodhive të udhëtimit të librit vetë. Sipas gjasës autori, ose vetë libri, nuk e ka imagjinuar kurrë se do të lexohej një ditë nga dikush që e ka kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën pa merendina. Sepse, tekefundit, mesazhi në shishe kërkon gjithnjë një njeri që nuk është analfabet, ose që e njeh gjuhën me të cilën është shkruar. Përndryshe, duhet të mendojmë për vlerën tjetër të mesazhit, atë të kureshtjes për shembull, meqë mesazhi i padeshifrueshëm na bën të zbulojmë të tjera rrugë e mistere.

“Fenomenologia della merendina” është një udhëtim në kujtesën e shijeve të italianëve. Një lloj “katalog i arsyetuar i nostalgjisë” me pesëdhjetë e dy zëra. Pra nostalgjia është aspekt i rëndësishëm në rrugën midis merendinave të djeshme e të sotme, veçanërisht nëse është i lidhur me fëmijërinë. Megjithatë, jo i vetmi, ngaqë merendina në pamje të parë duket element pa rëndësi, e megjithatë fsheh shumë informacione, që evokojnë periudha dhe histori të tjera. Natyrisht, historia nuk bëhet, as me nostalgji, as me merendina, por pa ato historia, ose më mirë kujtesa kolektive, do të ishte më pak e pasur.

Në sprovën hyrëse të librit autori rreket të ofrojë një kuadër të përgjithshëm të zëmrës (merenda) dhe të merendinës. Prejardhjen si fjalë, konceptimin e dikurshëm, përhapjen gjatë mirëqenies ekonomike, roli i shpërndarjes dhe i paketimit, liria e zgjedhjes dhe e konsumit, reklama, ndikimi i konsumizmit, ardhja e produkteve nga jashtë shtetit, merendina si status symbol, ndërlikimet me dietat, krijimtaria e industrisë ushqimore, e të tjera si këto.

Temat vetëm sa preken, pa pretendime plotësie, por vetëm si ftesë për të reflektuar, individualisht e kolektivisht, për shije që bashkojnë breza të tërë. Pastaj janë skedat, pesëdhjetë e dy gjithsej, secila kushtuar një merendineje. Girella, Fiesta, Tin Tin, Duplo, Kinder Cioccolato, Buondì, Ringo, Togo, Saiwa, Toblerone, Succo Billy, Big Babol, Tuc, Cipster, Calippo, Tegolino, Frollini Galbusera, Fonzies, etj. Pak penelata tekstuale për secilën merendinë: kujtime, reklama, vlerësime, histori, shije, paketa, krahasime… Vërtet pak për ata që duan të njohin më shumë, shumë për ata që duan vetëm të evokojnë kohët e së kaluarës.

Libri u drejtohet kryesisht atyre që kanë pasur një përvojë të drejtpërdrejtë, d.m.th. atyre që i kanë ngrënë merendinat, kur ishin fëmijë ose të rritur; që sigurisht kanë perceptim ndryshe nga i imi. Në fakt, në Shqipërinë totalitare, d.m.th. deri në fillim të viteve 1990, merendinat nuk ekzistonin. Në ekonominë e centralizuar, pra jo kapitaliste, nuk kishte vend për merendinat me marka e prejardhje të ndryshme. Për të mos folur për varfërinë, që nuk ka lidhje me merendinat. Natyrisht, po flasim për zëmrat e për merendinat si sende, pra si artikuj ushqimorë, siç i njohim sot.

Duhet sqaruar menjëherë se zëmra tregon si kohën midis drekës dhe darkës ashtu edhe ushqimin që hahet në këtë kohë. Meqë ra fjala, ky dallim meritonte më shumë vëmendje nga libri i lartcituar, sepse diçka ka ndryshuar me kalimin e viteve. Zëmrat dhe merendinat, me karakterin praktik të tyre (mund të mbahen me vete e mund të hahen kudo e me shpejtësi) kanë ndikuar edhe në orarin e vakteve.

Tani merendinat hahen edhe në orën e drekës, sa për të futur diçka në gojë, kur “na errësohen sytë nga uria”, siç thotë pak a shumë një reklamë, sikurse mund të konsumohen gjatë paradites. Për të mos folur për periudhat e depresionit, kur merendinat gëlltiten në vend të barnave.

Merendina ime, në Shqipërinë totalitare, ishte e pa paketuar dhe rrallë herë e ëmbël. Le t’i përjashtojmë pastat dhe ëmbëlsirat, sepse për pjesën më të madhe të popullsisë nuk mund të konsumoheshin përditë. Gjithsesi, buka nuk mungonte kurrë, shpesh e shoqëruar me gjëra me kripë, p.sh. me djathë të bardhë, ose të mbuluar me sheqer, me pak vaj sipër, kur nuk kishte gjalpë. Asnjë paketim për t’u hapur, për t’u tutëluar dhe për t’u hedhur. Asnjë produkt nuk reklamohej, sepse në ekonominë e centralizuar reklama do të ishte e pakuptimtë, ngaqë mungonte konkurrenca dhe tregu i lirë.

Merendinat që shikoheshin në televizionin italian – i cili ndiqej rreptësisht në mënyrë të fshehtë e ilegale – nuk dukeshin reale, por sikur i përkisnin një universi të largët, praktikisht irreal, sepse i paarritshëm. Ato pak merendina që mund ta kapërcenin izolimin, përfundonin të copëzuara në kafshatëza dhe ndaheshin nga e gjithë familja, aq sa nuk kuptohej mirë se çfarë shije kishin. Kurse paketa, qesja mbështjellëse, ruhej me xhelozi si relike e një bote tjetër.

E meritonte, pa dyshim. Ishte e bukur, me ngjyra, e lëmuar. Me imazhin ilustrues në plan të parë, sikur kishte dalë nga ndonjë ëndërr e bukur. Më kujtohet se një nga gjërat e para që bëra kur erdha në Itali ishte shijimi i të gjitha merendinave. I ndryshoja vazhdimisht, pavarësisht nga parapëlqimi.

Sipas gjasës ishte një mënyrë për ta njohur vendin, zakonet e tij ushqimore, ose një orvatje për të rindërtuar shpejt e shpejt një fëmijëri, që nuk e kisha jetuar mirë. Nuk mund të përjashtohet, natyrisht, që ishte thjesht grykësi.

Tani, kur kthehem në Shqipëri, e cila ka ndryshuar rrënjësisht nga kjo pikëpamje, shoh në supermarkete shumë merendina: disa prej tyre nuk ekzistojnë fare në raftet italiane. Të tjerë artikuj, të tjerë emra, të tjera imazhe, të tjera gjuhë. E nuk mungojnë, nga ana ime, përpjekje konkrete për të kuptuar, me fjalë të tjera kollofitje të shumëfishta, për të zbuluar shije të vjetra e të reja, e për të metabolizuar një botë që më përket, por në transformim të shpejtë edhe nga ana ushqimore.

Merendina, si të gjitha gjërat për t’u ngrënë, nuk është thjesht ushqim, një farë karburanti për trupin. Pas merendinës ka marrëdhënie njerëzore, komunikim, identitet, histori, ndryshime. Elemente që duhen zbuluar e rizbuluar. Për shembull, në kohën time pa merendina, shokëve u kërkohej ose u ofrohej një kafshatë. E bashkëndarja ishte e padiskutueshme, fundja duke i zgjatur fetën e bukës për kafshatën e zakonshme prej aligatori. Po në kohërat e merendinës, çfarë kërkohet e çfarë ofrohet? Një copë apo e tërë merendina? Pastaj, si e ku pozicionohet merendina në kohë/hapësirën moderne?

Nuk duhet të harrojmë se në botën e mirëqenies së përhapur, merendina e këndshme dhe joshëse shfaqet shpesh si sirenat e Uliksit. Nëse teprohet, mund të kthehet në rrezik. Mund të çojë në obezitet, në rast se është hiperkalorike. Ana e errët e ushqimit masiv qëndron në masën e përdorimit të tij.

Ja pra, një ushqim i thjeshtë e popullor si merendina, transformohet (edhe kur mungon) në një mjet njohjeje të vetes e të të tjerëve.

P.S. Shkrimi në italisht është botuar nga e revista kulturore “VIA PO – Conquiste del Lavoro” (18 shkurt 2017) me titull “Le merendine e la memoria”. Përshtatur e shqipëruar nga autori.

 

Një thikë pas shpine për Vettingun

Flukset 2017. Teksti i dekretit dhe udhëzimet për kërkesat