in

Një “mini–unë”

Nga Adela  Kolea

Fëmijët tuaj
Fëmijët tuaj, nuk janë tuajit, janë bij e bija të vetë forcës së jetës. Lindin nëpërmjet jush, por jo nga ju. Jetojnë me ju, por, sidoqoftë, nuk ju përkasin. Mund t’u jepni atyre dashurinë tuaj, por jo idetë tuaja, pasi ata zotërojnë idetë e tyre ..”
Kahlil Gibran 

Një “mini – unë”
Deri ku shkon kufiri i kënaqësisë prindërore në veshjen njëlloj me fëmijën, e kur ky tejkalohet e arrihet në egoizëm, ekzagjerim?
Deri ku, shprehja që njohim ne shqiptarët “bëmë mama, të të ngjaj”, nuk ndalet në trashëgiminë, në genin, ngjashmërinë thjesht fizike apo karakteriale, ku, ajo pretendon të “zgjerohet” deri në ngjashmërinë edhe në veshje?

Qëllon gjithnjë e më shumë të hasësh një dukuri sot: atë të veshjes në të njëjtën mënyrë, fëmijë – prind dhe, atë nënë – vajzë, kryesisht. Kjo, kuptohet, zakonisht deri në çastin që vajza të jetë deri rreth moshës 5 vjeç, pasi më tej, relativisht, e  kjo ndryshon nga fëmija në fëmijë, theksohen parapëlqimet, shijet  vetjake edhe në veshje të fëmijës dhe dallohet individualiteti i tij/saj.  Në disa raste, për të thënë: ”Më në fund!”

Derisa  për vajzat e vogla, kjo të jetë një diçka e konsiderueshme si lojë, si zbavitje, si “ndihmë” fundja, që i ofron mamaja në faktin që vajza, kushedi sesa herë ka dashur të veshë rrobat apo këpucët me taka të saj, të imitojë mamanë e saj në veshje, aksesorë, ecje, makijazh etj. (kemi qenë të gjitha të vogla), atëherë kemi të bëjmë me një paraqitje të dukurisë në fjalë, në mënyrë të këndshme.
Në këtë rast, përballemi edhe me një lloj të mësuari apo të edukuari të fëmijës me shijen në veshje, ecje, në raportimin e saj me mjedisin rrethues, që prej moshës së vogël.

Dihet edhe që është një lloj veshjeje ajo identike në prerje, modele, ngjyra, materjale, – e ndryshme vetëm në masat – që nuk gjendet lehtësisht në treg. Kjo të bën të mendosh që angazhimi i nënës është i dukshëm, jo i papërfillshëm, ngaqë këto mundësi i ofrojnë zakonisht vetëm markat e njohura, të cilat vendosin në dispozicion të klientelës, edhe formatin  “baby” të veshjeve.

Si në çdo aspekt, edhe këtu, janë teprimet ato që përbëjnë dallimin e vënë shumë pikëpyetje:
Një, dy, tre herë, dalja në publik të veshura njëlloj mama – bijë, shfaqet si diçka e këndshme për sytë, madje, sa më të shtrenjta veshjet, sa më e njohur marka, aq më e lartë cilësia e veshjes, në të dyja formatet, si të nënës, edhe të vogëlushes, aq më e spikatur dhe e personalizuar bëhet pamja që të shfaqet para syve.  Aq më frytdhënës, njëkohësisht  duhet pohuar, edhe marketingu i markave të ndryshme.

Por, në momentin që kjo gjë fillon, nga ana e një nëne, të bëhet jo si diçka e rastësishme, e rrallë, por si rreptësisht e rregullt, sistematike, atëherë, personalisht, disa skrupuj nuk më lënë të qetë.

Respekti  për dëshirën dhe pavarësinë e fëmijës, qoftë edhe në paraqitjen e saj të jashtme, cënohet apo jo?  Shpesh, gjykohet në këtë mënyrë edhe në veshjen e njëjtë të fëmijëve binjakë, ndërkohë që ata dëshirojnë të vishen ndryshe nga njëri – tjetri, duke qenë dy individë të ndryshëm, me tipare fizike të njëjta.

Kjo gjë është thjesht një dëshirë nëne, apo tejkalohet e kthehet në një tekë, ambicje për të shumëfishuar projektorët drejt vetes, duke shfrytëzuar efektin e veshjes “në katror”, ku ajo që bie më tepër në sy, është veshja në format “baby” e fëmijës?
Kjo gjë nuk do të ndikojë edhe më pas në autostimën e fëmijës, në vendosmërinë e saj për të zgjedhur vetë e për të marrë një vendim të pavarur e të pakushtëzuar?
A nuk cënohet brishtësia apo forca e mendimit të lirë të fëmijës në një të ardhme?

Ç’të thuash për disa emra të sajuar  fëmijësh, të shpikur e prejardhur nga ky apo ai imitim si majmunët, – mundësisht për t’i bërë të ngjashëm me ata të disa familjeve fisnike, pa pasur asgjë të tillë në gjak? Për emrin fëmija nuk ka pasur hapësirë zgjedhjeje, atë emër i kanë vënë dhe, të paktën derisa të arrijë moshë pjekurie që të vendosë  ta mbajë apo ndryshojë atë, ai emër, qoftë edhe nga më të çuditshmit, do ta ndjekë. Por për këtë, mund të diskutojmë një herë tjetër.

Po për veshjen?
Fëmija, kur të rritet, do ta shohë si “kënaqësi”  këtë lloj zgjedhjeje të nënës (prindit) për ta veshur e ekspozuar  – në më shumë se një rast – njëlloj si veten? Apo do të ndihet disi “viktimë”?
Nëna e konsideron fëmijën si të vetin padyshim, por a arrin gjithnjë ta shohë edhe si një individ më vete, me botën e vet komplekse, në çdo aspekt?
Apo e konsideron atë thjesht si një “klon”?
Mos vallë edhe vetë nëna është “viktimë” e konformizmit  apo modës?

Bonus bebe. Edhe për 2016-tën çeku për prindërit e rinj, italianë e imigrantë

Regjistrimi i shqiptarëve jashtë atdheut, Qeveria miraton projektligjin