in

Një paketë e re sigurie diskutohet në parlament

Risitë janë të shumta edhe për të huajt: nga përtëritjet ë do t’u besohen komunave e deri te riatdhesimet më të lehta për komunitarët

Në Senat ka mbërritur projekti të ri të ligjit mbi sigurinë. I aprovuar në nëntor të vitit të shkuar nga qeveria, diskutimi i këtij projekti në Senat pritet të nisë javët e ardhshme.

Si çdo tekst sigurie i kohëve të fundit, edhe ky parashikon shumë risi për imigrantët, por këtë radhë shtrëngimet kanë të bëjnë vetëm me komunitarët. Natyrisht jokomunitarëve nuk kanë ç’t’u shtrëngojnë më.

Praktikisht, lejeqëndrimet, flukset, papunësia dhe riatdhesimet e komunitarëve, këto janë çështjet mbi të huajt që përmban dekreti.

Një risi shumë e rëndësishme është ajo që ka të bëjë me të huajt që humbasin vendin e punës. Nëse i huaji është regjistruar në listat e zyrës për gjetje pune (liste del collocamento), ai do të mund të përtërijë lejen e qëndrimit për sa kohë merr kompensimin/çekun e papunësisë apo ndonjë formë tjetër asistence shtetërore në mbështetje të të ardhurave. Pas kësaj periudhe do të ketë të paktën gjashtë muaj të tjerë për të gjetur një vend të ri pune, me një lejeqëndrim me motivin për kërkim pune.

Sipas projektit të paketës së re të sigurisë, duhet  të jenë komunat dhe jo më kuesturat, ato që do të merren me përtëritjen e lejeve të qëndrimit. Në këtë mënyrë mendohet të kursehet dhe të lirohen forca policie nga punë zyre për t‘iu dedikuar “detyrave të rendit dhe sigurisë publike”. Detajet e këtij kalimi kompetencash do të përcaktohen nga qeveria, me një dekret për të cilin Parlamenti duhet të japë një gjykim.

Projekti i paketës së re të sigurisë eliminon dokumentin programatik trevjeçar me të cilin duhet të përcaktohen politikat migratore dhe flukset e hyrjes. Bashkë me dokumentin programatik, që në të vërtetë kjo qeveri nuk ka nxjerrë asnjëherë, zhduket edhe faza e konsultimit me entet lokale, palët sociale dhe shoqatat.

Për dekretin e flukseve mbetet në fuqi procedura e dyfishtë: ajo standarde që parashikon një kalim të tekstit në konferencën e unifikuar (ku marrin pjesë përfaqësues të Komunave, Provincave dhe Krahinave) dhe në komisionet parlamentare. Procedura urgjente (që është edhe më e përdorura), parashikon vërtet kalimin në konferencën e unifikuar, por nëse gjykimi i konferencës nuk mbërrin brenda 30 ditëve, shkohet përpara edhe pa të.

Për qytetarët komunitarë, risia kryesore ka të bëjë me dëbimet e atyre që nuk përmbushin kriteret për të jetuar në Itali për mëshomë se tre muaj. Sot, në raste të tilla vetëm i ftojnë të largohen nga Italia. Sipas projektit të ligjit, kush nuk kthehet me dëshirë në atdhe pas fletë-dëbimit të parë dhe kapet sërish në Itali do të mund të riatdhesohet me forcë.

Këto janë risitë kryesore të projektit të ligjit të sigurisë, por rrugëtimi i tij parlamentar sapo ka nisur dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë përpara se teksti të kthehet në ligj e të botohet në gazetën zyrtare.

Elvio Pasca

A duhet të ndihen të fyer shqiptarët nga fjalët e Guendalinës?

INPS lajmëron datat për kontributet e bashkëpunëtorëve familjarë