in

Nuk do të kem pension nga puna, a mund të kërkoj çekun social?

Jam shqiptar, kam punuar në Itali, por shpesh në të zezë, ndaj nuk kam aq vite kontribute për pension. Pas pak mbush 65 vjeç, a kam të drejtë të kërkoj çekun social? Çfarë kushtesh duhet të plotësoj që të mund ta kërkoj? Si paraqitet kërkesa?

Çeku social është një lloj ndihmese e natyrës ekonomike që jepet nga INPS, instituti italian i sigurimeve shoqërore. Është një shumë në para, tip asistence e ndihme për të moshuarit që janë në gjendje jo të mirë ekonomike. Për të pasur të drejtën e këtij çeku nuk është e nevojshme të kesh derdhur kontribute. Por natyrisht, jo të gjithë kanë të drejtë të marrin këtë çek, që ta përfitojnë duhet të plotësojnë disa kushte të përcaktuara. Madje është mirë të dihet që e drejta e çekut nuk është e përhershme, jepet vetëm për sa kohë plotësohen disa kritere si për shembull ai i “rezidencës efektive, të qëndrueshme dhe të zakonshme” në Itali.

Kriteret për marrjen e çekut social

Për të përfituar çekun social, personi duhet të përmbushë këto kritere:

– të ketë mbushur 65 vjeç e 3 muaj (nga 1 janari 2013 kriteri i moshës është ndryshuar, duke shkuar nga 65 vjeç në 65 vjeç e tre muaj);
– të ketë pasur rezidencë në Itali efektive dhe të zakonshme për të paktën dhjetë vjetë (kriter i futur nga 1 janari 2009);
– të ketë rezidencë efektive, të qëndrueshme dhe të zakonshme në Itali;
– të mos ketë asnjë të ardhur ose të ketë të ardhura nën kufijtë e përcaktuar me ligj.

Për vitin 2014, për të kërkuar çekun social, të ardhurat nuk duhet të kalojnë kufirin e 5.818,93 eurove në vit, të shumëzuara për dy, pra 11.637,86 euro, për personat e martuar.

Edhe shtetasit e huaj kanë të drejtë të kërkojnë çekun social. Qytetarëve të BE-së nuk u kërkohet asgjë me shumë se italianëve, ndërsa jokomunitarët duhet të jenë titullarë të kartës së qëndrimit ose të lejes së qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë.

Kërkesa

Kërkesa për marrjen e çekut social i drejtohet INPS-it ekskluzivisht në rrugë telematike:

1. Internet: përmes faqeve online të INPS-it duke përdorur “shërbimet telematike”, tek të cilat qytetari mund të hyjë me kodin e tij PIN;
2. Telefon: duke telefonuar në numrin e gjelbër falas 803164 nga rrjeti fiks, në numrin 06164164 nga celulari (kundrejt një pagese normale sipas programit tarifor të ofruar nga kompania telefonike) 
3. Patronatet dhe entet ndërmjetësuese: në këtë rast janë ato që i përcjellin telematikisht INPS-it kërkesën e qytetarit.

Çeku apo pensioni social nis nga data 1 e muajit që pason atë në të cilin paraqitet kërkesa.

Shuma

Shuma e çekut vlerësohet çdo vit, dhe për vitin 2014 është përcaktuar 447,61 euro në muaj për 13 këste në vit.

Nëse kërkuesi ka edhe të ardhura të tjera, (pension në atdhe, dëmshpërblime të paguara nga shteti italian apo shtete të tjera) shuma vjetore e çekut social do të jetë sa diferenca mes kufirit të parashikuar çdo vit për të pasur të drejtën e çekut (5.818,93 për vitin 2014) dhe të ardhurave të deklaruara.

Derdhja e çekut nis nga dita e parë e muajit pasardhës së atij të paraqitjes së kërkesës. Shuma e parave mund të derdhet, me kërkesë të të interesuarit edhe drejtpërdrejt në llogarinë rrjedhëse në bankë apo postë.

Çeku ka karakter të përkohshëm, pra jepet për aq kohë sa përmbushen kriteret.

Çdo vit, në fakt, në periudhën maj-qershor, titullarët e çekut social duhet të deklarojnë, me një formular të posaçëm, nëse të ardhurat e tyre kanë ndryshuar, nëse kanë mbajtur rezidencën në Itali apo nëse e kanë transferuar jashtë shtetit, dhe së fundi edhe nëse kanë qenë të shtruar në ndonjë strukturë publike me shpenzime në ngarkim të shtetit.

Ndër kriteret që më shpesh nuk respektohet, veçanërisht nga të huajt, është ai i “rezidencës efektive, të qëndrueshme dhe të zakonshme” në Itali. Sa herë që Guardia di Finanza ndërmerr fushata kontrollesh për verifikimin e kushteve për të ruajtur të drejtën e kësaj shume të dhënë nga INPS edhe atyre që nuk kanë derdhur asnjë qindarkë në arkat e institutit italian të sigurimeve shoqërore, gjen gjithnjë nga ata që konsiderohen “mashtrues të shtetit”, e mes tyre nuk mungojnë shqiptarët. (Shih rastet e sjella në fund të artikullit)

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Ariano Irpino. Një tjetër i moshuar shqiptar paditet pse e merr padrejtësisht çekun social
Savona. Merrnin padrejtësisht pensionin social, paditen 19 të huaj
Albenga. Paditet nga financierët pse tërheq pensionin e prindërve të kthyer prej vitesh në atdhe
Macerata. Merrnin padrejtësisht pensionin social, denoncohen 14 shqiptarë 
Paditen 25 emigrantë. I kanë vjedhur INPS-it 200 mijë euro me pensione
Terni. Marrin pension social pa pasur të drejtë, paditen 15 vetë 
Fabriano Marrin padrejtësisht pensionin social. Probleme për 15 të huaj 
Terni. Merrnin çekun social, por jetonin në atdhe 
Merrnin pension padrejtësisht. Paditen 26 shqiptarë rezidentë në Pistoia 
Merrnin çekun social pa qenë në Itali. Probleme për 53 të moshuar në Bra të Cuneos
Modena. Merrnin pensionin social pa pasur të drejtë. Telashe për 23 pleq të huaj
Rreth 8 mijë shqiptarë marrin pension në Itali 
 

Redi Hasa dhe Maria Mazzotta në Auditoriumin “Parco della Musica” në Romë

Universitetet italiane. Nga sot testet e pranimit, edhe për studentët e huaj