in

Nuk po u mjafton djersa, duan edhe gjakun tonë!

Dy qeveritë shqiptare, as ajo e Kosovës as ajo e Shqipërisë, nuk e panë të udhës të reagojnë me “notë” proteste ndaj qeverisë italiane për vrasjen e dy qytetarëve të vet në Rajonin Marche. Ajo çka është edhe më e rëndë, asnjë shoqatë, klub apo organizatë shqiptare që vepron në Itali, përveç Skanderbegut të Fermos, nuk e pa të udhës të reagojë ndaj këtij rasti makabër, kur fatkeqësisht, nesër secilin prej nesh mund ta presë i njëjti fat tragjik i Nexhmedinit dhe Valdetit
Nga Florim Zeqa

Vrasja e dyfishtë që ndodhi para disa ditësh në Rajonin Marche, tronditi opinionin e gjerë vendor dhe ndërkombëtar. Lajmin e kobshëm për vrasjen e dy shqiptarëve nga Kosova e shpërndanë pothuajse të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike në Itali.

Pothuajse nuk kishte gazetë ditore që nuk e kishte në ballinën e saj vrasjen e dy shqiptarëve nga Kosova. Autor i vrasjes së dyfishtë është Gianluca Ciferri, 48 vjeç, pronar i një firme që la të vrarë dy shtetas kosovarë: Nexhmedin Mustafa 38 vjeç dhe Valdet Avdyli 26 vjeç. Dy shtetasit kosovarë, ishin punëtorë të G. Ciferri-t, i cili muaj më parë i kishte larguar nga puna për pasojë të krizës ekonomike pa u paguar pagat për disa muaj rresht.

Deklaratat e vrasësit Ciferri, se gjoja dy të rinjtë shqiptarë e kishin kërcënuar, në asnjë rrethanë nuk e justifikon aktin kriminal të vrasjes së dy të rinjve të lodhur e të rraskapitur nga kriza e rëndë sociale, që nuk kishin kërkuar asgjë më pak dhe asgjë më shumë se t’u paguhej djersa e tyre. Pavarësisht se kërkesat e tyre ishin të drejta dhe legjitime, padronit (pronarit) të tyre sikur nuk u mjaftoi djersa, iu desh edhe gjaku i tyre për t’i larguar përfundimisht nga regjistri i borxheve, duke harruar se para çdo borxhi material mbetet i freskët gjaku i dy mërgimtarëve në tokë të huaj.

Përkundër faktit se lajmin e publikuan edhe mediat e dy shteteve shqiptare (Shqipëri dhe Kosovë), ai nuk arriti të depërtojë mjafueshëm tek qeveritë e dy shteteve shqiptare, nuk arriti të prekë ndëgjegjen e krerëve shtetërorë të vendeve tona! Cilitdo komb t’i ndodhte një tragjedi e tillë, do të ishin të mënjëhershme reagimet zyrtare, duke filluar nga përfaqësitë diplomatike e deri të ato shtetërore. Madje çdo qeveri respektive do t’i dërgonte “notë” proteste qeverisë italiane për vrasjen e dy bashkatdhetarëve të vet.

Për habi dy qeveritë shqiptare nuk e panë të udhës ta bëjnë një gjë tillë! Vetëm disa orë nga vrasja e dy kosovarëve në Rajonin Marche, në Milano takohen dy ministrat e jashtëm shqiptarë: Ditmir Bushati (Shqipëri) dhe Enver Hoxhaj (Kosovë), në inaugurimin e konsullatës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, në prani edhe të autoriteteve italiane, dhe për habi në këtë takim ceremonial u hesht ngjarja tragjike në Marche ku u privuan nga jeta dy bashkatdhetarët e ministrave shqiptarë. Sikur të ishte prezente vetëdija morale tek ministrat (qyqarë) shqiptarë, para inaugurimit të konsullatës do duhej mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave shqiptare!

Mirëpo ironia më e madhe është se, deri më tani, asnjë shoqatë, klub apo organizatë shqiptare që vepron në Itali, përveç Skanderbegut të Fermos, nuk e pa të udhës të reagojë ndaj këtij rasti makabër në Marche. Ndoshta drejtuesit e shoqatave shqiptare (kosovare) po presin reagimin e ndonjë komuniteti tjetër ndaj rastit në fjalë, gjë e cila ka pak gjasa të ndodhë. Për një gjë jam tejet i sigurtë, sikur të thirrej ndonjë protestë kundër vrasjes së dy bashkatdhetarëve tanë nga ana e shoqatave shqiptare (kosovare), me siguri se do të bashkangjiteshin edhe komunitetet tjera. Organizimi i protestave nga ana e shoqatave në bashkëpunim me organizatat sindikale do të ndikonte në sensibilizimin e opinionit në parandalimin e rasteve tjera tragjike, për t’ju bërë thirrje publike “padronëve” të pangopshëm për respektimin e rregullave dhe ligjeve, si dhe për parashtrimin e kërkesave ndaj qeveritarëve italianë në përmirësimin e skemave sociale si përgjigje ndaj krizës ekonomike, e cila tashmë në këtë vend ka marrë përmasa katastrofale.

Ku janë aktivistët dhe veprimtarët që aq shumë trumbetojnë me kauzën kombëtare, “patriotët” shqiptarë të cilët gjatë tubimeve festive, inauguruese apo promovuese (të ndonjë libri me poezi), ua qajnë kokën bashkatdhetarëve të tyre me referate të gjata patriotike duke u munduar të shesin patriotizëm dhe “vlera” intelektuale me referate (hartime) të nivelit fillestar. Pse rrinë të strukur duke e kaluar në heshtje këtë vrasje makabër, kur nesër secilin prej nesh mund ta presë i njëjti fat tragjik, pse nuk reagojnë kur kriza ekonomike në këtë vend është në përmasat alarmante. Heshtja dhe indiferenca ndaj këtij rasti e tregon më së miri katandisjen dhe largimin nga vlerat humanitare, solidariteti dhe traditat fisnike të popullit tonë. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve Mustafa dhe Avdyli për humbjen e më të dashurve të tyre, Nexhmedini dhe Valdeti do të mbetën të paharruar në kujtesën e mërgimtarëve shqiptarë në Itali.

Lexo edhe:
Fermo. Kortezh në kujtim të kosovarëve të vrarë nga punëdhënësi
Fermo. Ndihmoni familjet kosovare Mustafa dhe Avdyli 
Kosovarët e vrarë nga punëdhënësi. Cgil: “Prej kohësh kërkonin rrogat e disa muajve” 

Cittadinanza. Alfano: “Domande online e nuove norme per tagliare i tempi”

Mbetet pa parà, 16-vjeçari shkon kërkon ndihmë në polici