Shkolla është e hapur për të gjithë, por “Udhëzimet për pritjen dhe integrimin” e Ministrisë së Arsimit parashikojnë që në çastin e regjistrimit të tregohet leja e qëndrimit. ASGI: “Praktikë e jashtëligjshme, në kanë thënë se do ta heqin”
Romë, 20 maj 2014 – Shkollimi në Itali është i hapur për të gjithë, edhe për bijtë e imigrantëve të parregullt. Këta mund, madje duhet, të çojnë në shkollë e detyruar fëmijët e tyre, pa pasur frikë se mund të paditen. E drejta e shkollimit para së gjithash. E pikërisht në bazë të këtij parimi, në vitin 2009, nuk shkoi përpara propozimi i Legës në kuadrin e famëkeses “paketë sigurie” për të transformuar drejtorët e shkollave në “gjahtarë klandestinësh”.
Edhe teksti unik mbi imigracionin, kur përcakton regullin e përgjithshëm sipas të cilit në marrëdhëniet me Administratën Publike duhet treguar leja e qëndrimit, bën disa përjashtime. E mes këtyre përjashtimeve janë pikërisht “marrëdhëniet që kanë të bëjnë me arsimin e detyrueshëm”.
Gjithçka e qartë? Po, po të mos ishin “Udhëzimet për pritjen dhe integrimin e nxënësve të huaj”, të botuara në shkurt nga Ministria e Arsimit, që duket se parashikojnë të kunërtën. Në fakt thonë se, pas regjistrimit online, sekretaria e shkollës duhet t’i kërkojë familjes edhe “lejen e qëndrimit dhe dokumentet e Gjendjes Civile”.
“Leja e qëndrimit – shpjegohet në Udhëzimet e ministrisë – i lëshohet prindit nëse nxënësi është nën 14 vjeç, e drejtpërdrejt nxënësit nëse e ka mbushur këtë moshë. Në pritje të lëshimit të lejes së qëndrimit, drejtori i shkollës pranon kuponin e kuesturës që dëshmon paraqitjen e kërkesës për lejeqëndrim”.
E bukura është se pak rreshta ma poshtë kujtohet që “në mungesë të dokumentit, shkolla rregjistron sidoqoftë të miturin e huaj”. “Pozita e parregullt – shkruajnë këtë radhë saktësisht ekspertët e ministrisë – nuk ndikon në ushtrimin e të drejtës së shkollimit. Kush punon në shkollë nuk ka detyrimin të padisë qëndrimin e parregullt të nxënësve që po ndjekin shkollën dhe që po ushtrojnë kështu të drejtën që u njihet me ligj”.
Atëherë , derisa këta nxënës mund të regjistrohen pavarësisht faktit nëse e kanë apo jo lejen e qëndrimit, ç’kuptim ka që ky dokument t’u kërkohet? A nuk rrezikohet kështu që të tremben “të padukshmit” që me të drejtë kanë vendosur të çojnë fëmijët në shkollë?
Të parët që ngritën këtë problem ishte Shoqata e Studimeve Juridike mbi Imigracionin, ASGI, që i nisi letër ministrisë së Arsimit duke i kërkuar të heqë nga Udhëzimet kërkesën e lejes së qëndrimit dhe duke e kërcënuar se në të kundërt do ta hedhë në gjyq.
Ajo kërkesë, ka shkruar ASGI, është “e paligjshme, për shkelje të hapur të nenit 6, paragrafi 2, të dekretit legjislativ 286/1998” që nuk parashikon lejen e qëndrimit për shkollimin e detyrueshëm. Dhe është “diskriminuese, sepse pengon në mënyrë të paligjshme regjistrimin në shkollë të qytetarëve të huaj”.
Është një kërkesë “e paarsyeshme”, sepse “krijon varësinë e regjistrimit në shkollë nga një dokument krejtësisht të padobishëm në këtë aspekt” lidh regjistrimin me të qenit titullar i një dokumenti krejtësisht të kotë” dhe mbi të gjitha “e dëmshme” sepse mund “të shkurajoja prindërit pa leje qëndrimi të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollë”.
Një lëmsh, me pak fjalë, që duket se po zgjidhet pozitivisht. “Menjëherë pas letrës, ministria e Arsimit na kontaktoi për të na paralajmëruar se Udhëzimet shumë shpejt do të modifikohen” thotë për stranieriinitalia.it avokati Livio Neri i ASGI-t. “E kanë pranuar që kërkesa e lejes së qëndrimit është e paligjshme, që është një gabim nga anë e ministrisë dhe se do të hiqet nga udhëzimet për sekretaritë e shkollave”.
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)