in

Odisseo: Ndokush vendos të kthehet

Nëse një i ri shqiptar me moshë  nga 18 deri në 25 vjeç,  jeton në Itali por dëshiron të kthehet në Atdhe, duhet të dijë që mund të përfitojë një mbështetje të vogël, falë projektit Odisseo

Projekti më i fundit për riatdhesimin vullnetar të ndihmuar dhe për integrimin në Shqipëri është Odisseo. I realizuar nga Virtus Italia Onlus dhe Engim Internazionale, i financuar nga Bashkimi Europian dhe nga Ministria e Brendshme italiane, projekti ka për qëllim të ndihmojë 25 të rinj që duan të kthehen në Shqipëri. Ndihma që ata mund të përfitojnë konsiston jo vetëm në biletën e kthimit por edhe në një mbështetje të vogël financiare për familjen, në asistencë legale në Itali dhe Shqipëri, në ndihmë për gjetjen e një sistemimi me strehim, shkollë dhe punë, për ndjekjen e një kursi apo stazhi profesional në atdhe. Me dy fjalë, projekti kërkon të ndihmojë sado pak dikë që pas vitesh në emigrim ka nevojë të integrohet sërish në vendlindje.

Siç shpjegon Dorian Qoli, përgjegjës i projektit për Virtus Italia Onlus, “nuk kemi për qëllim të detyrojmë të rinjtë të kthehen në atdhe. Kush e ka marrë vendimin për t’u kthyer në atdhe, është mirë të dijë që mund të mbështetet te ky projekt”.
Për të marrë informacione mbi projektin është e thjeshtë, mjafton të bëhet një telefonatë në numrin e gjelbër falas 800-034-570.

Praktikisht projekti bëhet me disa faza. Fillimisht i interesuari që bën kërkesë për riatdhesim të ndihmuar thirret për një bisedë. Grupi i punës studion një rrugëtim të posaçëm për realizimin e projektit të riatdhesimit individual. I riu niset për Shqipëri i shoqëruar nga një nga edukatorët që ndjek projektin. Nëse është e nevojshme, personi vendoset fillimisht në një strukturë pritjeje dhe ndihmohet të gjejë një strehim. Pas kësaj, në mirëkuptim mes të interesuarit dhe ndjekësve të projektit, përcaktohet rruga që duhet ndjekur për sistemimin e tij me punë. Mundësitë e ofruara nga projekti janë të shumëllojshme: mund të ndiqet një kurs formimi për gjuhë të huaj, për asistent zyre, informatikë, sekretari ndërmarrjeje, rrobaqepësi, elektroaut, elektricist, mekanik apo marangoz; mund të bëhet një stazh në një prej 100 ndërmarrjet në Shqipëri që bashkëpunojnë me projektin; ose mund jepet një ndihmë për hapjen e një aktiviteti privat.

“Me krizën ekonomike ka nga ata që mendojnë të kthehen. – thotë Dorian Qoli – Është mirë të dihet që Odisseo mund të japë një dorë, që të rikthyerit të mos ndihen të huaj edhe në atdhe”.

Numri i gjelbër 800-034-570; www.progetto-odisseo.it; info@progetto-odisseo.it

Manifesto Fli. Fini: “Firmino anche gli immigrati”

Sanatore për të gjithë? Qeveria vendos të shqyrtojë këtë mundësi