in

OKB : “Projektligji i përgjimeve duhet tërhequr”

Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara reagon ndaj projektligjit të përgjimeve. Raportuesi special i OKB-së për lirinë e fjalës, Frank La Rue thotë se në formën aktuale minon të drejtën e lirisë së fjalës

Qeveria italiane “duhet të zhdukë ose, të paktën, të modifikojë projektligjin për përgjimet telefonike sepse nëse do të miratohej në formën e tanishme mund të rrezikonte të drejtën e lirisë së fjalës në Itali”, ka deklaruar me një komunikatë, raportuesi special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për lirinë e fjalës, Frank La Rue.

La Rue deklaroi se është “i vetëdijshëm për faktin se projektligji i përgjigjet shqetësimeve në lidhje me publikimin e informacioneve të përgjuara për proceset gjyqësore dhe për çështjen e jetës private”, por vuri në dukje se “projektligji në formën e tij aktuale nuk i përgjigjet në mënyrën e duhur këtyre shqetësimeve dhe kërcënon të drejtën për lirinë e fjalës”.

Duke kujtuar manifestimet kundër projektligjit të 9 korrikut, eksperti e këshilloi qeverinë italiane të “mos e miratojë ligjin në formën e tanishme dhe të angazhohet në një dialog me të gjitha palët e interesuara, në veçanti me gazetarët dhe organizatat e shtypit, për të garantuar se shqetësimet e tyre do të merren në konsideratë”. La Rue deklaroi gjithashtu se është “i gatshëm të japë mbështetje teknike për të garantuar që projektligji të respektojë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për të drejtën e lirisë së shprehjes”.

Projektligji në fjalë, i njohur me nofkën shtupë për gazetarërt, parashikon mes të tjerash se “ai që nuk është akredituar si një gazetar profesionist mund të dënohet deri në katër vjet heqje lirie për regjistrimin e çfarëdo komunikimi ose bisede pa konsensusin e personit të përfshirë dhe shpërndarjes së atyre informacioneve”. “Një sanksion kaq i ashpër do ta cënonte seriozisht të drejtën e të gjithë individëve në përpjekje për të kërkuar dhe komunikuar informacione, në kundërshtim me Konventën ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike, pjesë e të cilës është edhe Italia”, ka vënë në dukje raportuesi i OKB-së.

La Rue, i ngarkuar nga Këshilli i të drejtave njerëzore të OKB-së për të monitoruar situatën e të drejtës për lirinë e opinionit dhe shprehjes në botë, shprehu më tej shqetësim për futjen e planifikuar të një sanksioni për gazetarët dhe botuesit që publikojnë material të përgjuar para fillimit të një procesi. “Një sanksion i tillë, që përfshin deri në 30 ditë burgim dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh për gazetarët dhe 450 mijë euro për botuesit, është e pavend krahasuar me shkeljen. Këto masa mund të pengojnë punën e gazetarëve dhe të cënojnë gazetarinë hulumtuese për çështjet e interesit publik, ndër të cilat edhe korrupsioni, duke marrë në konsideratë zgjatjen e proceseve gjyqësore në Itali, nënvizuar disa herë nga Këshilli i Evropës”, ka shtuar ai.

Lexo edhe: Projektligji ‘shtupë’ i informacionit

 

Sanatore e ndihmësve familjarë: verë pa lejeqëndrim

Histori e pasaportave shqiptare të tranzicionit