in

Ongini: “Me nxënës nga e gjithë bota, Italia ka vetëm përfitim”

“Flitet vetëm për problemet e shkollës multikulturore. Në të vërtetë, në shumë e shumë shkolla, bijtë e imigrantëve përbëjnë një mundësi pasurimi për realitetin italian. Duhet krijuar më shumë dialog  mes mësuesve dhe prindërve, italianë e të huaj”. Intervistë me Vinicio Onginin, ekspert i integrimit në ministrinë e Arsimit, mësues dhe autor i shumë librave

Romë, 19 shtator 2011 – Ka rënë zilja e parë e shkollës e bashkë me të ka nisur të flitet sërish për “problemin” e fëmijëve të huaj në shkollat italiane, për kufirin maksimal të tyre në klasë, apo për shkollat e klasat të ashtuquajtura geto.

Vinicio Ongini, nuk është ndër ata që alarmohen e të thotë copë: “jam lodhur së dëgjuari gjithnjë të flitet për klasa geto, shkolla geto. Janë terma që nuk i përdor asnjë mësues apo drejtor shkolle. Janë togfjalësha të shpikur nga figura që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me këto ambiente”. Ongini i përket kategorisë së personave largpamëse, që të huajt në klasat e shkollave italiane i sheh si pasuri e jo si problem. Mësues për 20 vjet, ekspert në zyrën e Integrimit të nxënësve të huaj në Ministrinë e Arsimit dhe autor i shumë librave dedikuar përballjes së kulturave në bankat e shkollës, së fundi ka botuar “Noi domani. Un viaggio nella scuola multiculturale” (Ne nesër. Udhëtim në shkollën multi-kulturore).

Libri është dëshmi e njeriut që ka parë me sytë e tij, nga Alpet në Sicili, si funksionon shkolla italiane shumëngjyrëshe. Ka folur personalisht me protagonistët e saj, mësues, nxënës, prindër e drejtorë, për t-i gjetur përgjigje pyetjes: “A fiton, dhe sa fiton shkolla italiane nga nxënësit e huaj?”.

“Kam parë shumë e shumë shkolla, edhe të panjohura, ku gjithçka shkon më së miri e për to nuk flet kush. “Peizazhi multi-kulturor i shkollës italiane – tregon Ongini – prej disa vitesh karakterizohet nga prania e fëmijëve me shtetësi jo italiane edhe në zona periferike dhe qendra të vogla. Për më tepër, shtetësitë e nxënësve janë nga më të ndryshmet, gjë që e dallon Italinë nga vendet e tjera europiane ku janë të pranishme më pak kombësi. E thënë ndryshe, në Itali klasat janë shumëngjyrëshe”.

Ka të reja në këtë drejtim?

“Gjatë dy viteve të fundit ka një ngadalësim të dukshëm të rritjes së numrit të nxënësve të huaj, ndoshta për shkak të krizës ekonomike që ka frenuar imigracionin. Janë krejtësisht të gabuar titujt e gazetave që flasin për boom të të huajve. Për më tepër harrojnë që nxënësit e huaj sot janë të tillë vetëm për dokumentet, shumica janë të ashtuquajturit brezat e dytë. Janë të tillë tashmë 50% e nxënësve të huaj në shkollat fillore dhe 80% e atyre që regjistrohen në arsimin parashkollor.

Është e rëndësishme një gjë e tillë?

Po, sepse i kundërvihet rrëfimit me ankth mbi numrin e lartë të bijve të imigrantëve apo atyre që duan të vënë kufij maksimalë apo të bëjnë rishpërndarje nxënësish. Kur këta djem e vajza të rritur në Itali hyjnë në shkollë flasin italisht, apo në dialekt njësoj si bashkëmoshatarët e tyre italianë, situatë kjo e ndryshme nga ajo e atyre që sapo kanë mbërritur, për të cilët vevojiten nisma të posaçme, veçanërisht për mësimin e gjuhës.

Pra, nëse ligji për shtetësinë do të ishte ndryshe, nuk do të ekzistonte gjithë ky alarmizëm mbi fëmijët e huaj në shkolla?

Natyrisht! Alarmizmi mediatik mbi dukurinë do të ishte shumë më i kufizuar. Nëse këta fëmijë do të bëheshin menjëherë italianë as që do të hynin në statistikat e famshme mbi të cilat diskutohet çdo fillim viti shkollor. Në Francë, për shembull, përqindja e nxënësve jo francezë është më e ulët se në Itali, dhe jo sepse atje ka më pak imigrantë, por sepse atje është ndryshe ligji i shtetësisë. ë

Flitet shpesh për fëmijët e pak për adoleshentët?

Gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i nxënësve jo italianë në shkollat e mesme, madje në to përqindja e të lindurve jashtë Italisë është e lartë e për këtë arsye do të meritonte më shumë vëmendje. Duhet të interesohemi pse pjesa më e madhe e tyre zgjedh institute teknike e profesionale, e kanë më të lehtë? a ka një orientim të përshtatshëm? Janë familjet që vendosin?

Sa rëndësi ka marrëdhënia mes shkollës dhe familjes?

Është një aspekt shumë i rëndësishëm e fatkeqësisht i nënvlerësuar. Gjatë udhëtimit tim nëpër Itali kam parë shkolla që funksionojnë mirë edhe pse me përqindje të lartë nxënësish jo italianë , dhe kjo falë krijimit të një marrëdhënieje të mirë dhe të ngushtë me familjet. Në shkollën Manin në Romë, shoqata e prindërve është krijuar nga italianë dhe imigrantë. Ata përfshihen konkretisht në mbarëvajtjen e shkollës, për shembull, duke bashkëpunuar edhe për ngritjen e laboratorëve. Është një mënyrë për të dhënë mesazhin se shkolla është një shtëpi e përbashkët.

Sipas jush këta nxënës pasurojnë shkollën italiane?

Është pyetja që u shtrova shumë mësuesve që takova, nga veriu në jug të Italisë. Dhe përgjigjja që më dhanë ishte: Italia fiton prej tyre. Më kanë treguar, për shembull, që mes nxënësve të huaj ka angazhim më të madh në studime dhe që edhe familjet e tyre duken se i japin rëndësi shkollimit të bijve më shumë se italianët. Qëndrimi i familjeve të huaja sot është ai i familjeve italiane dy-tre dekadave të shkuara, që sot duket se kanë humbur. Ky fakt duhet të na shtyjë të mendojmë çfarë është shkolla për ne sot.

Ka dallime në favor të bijve të imigrantëve vetëm në disiplinë? Po në mësim-nxënie?

Shembujt janë të shumtë. Disa mësuese filloreje në veri çuditeshin me gatishmërinë e nxënësve të huaj për pastrimin e rregullimin e klasës pas orëve të mësimit. Më flisnin për fëmijë të përgjegjshëm që shkonin në shkollë me çelësat e shtëpisë në qafë. Apo të tjerë më tregonin për aftësi të komuniteteve të ndryshme për të mësuar më me lehtësi gjuhët e huaja.

Është e vërtetë që kinezët janë të zotët në matematikë?

Shumë mësuese kanë vërejtur që fëmijët kinezë janë veçanërisht të dhënë pas numrave. Është ndoshta çështje metodologjie. Në fakt disa shkolla amerikane vendosën të adoptojnë për matematikën programin shkollor të Kinës. Pse, përtej rastit specifik, të mos bëjmë edhe ne një gjë të tillë? Pse të mos shkëmbejmë dije në fushat ku jemi më të dobët?

A ka burime të mjaftueshme për të administruar shkollën multietnike?

Resurset janë të pakta, veçanërisht në ditët e sotme. Por mund të bëhet diçka edhe pa shpenzuar, si për shembull të krijohet mundësia që të dërgohen mësuesit më të motivuar e më të mirë në ato shkolla që kanë më shumë nevojë. Nevojitet edhe formim i vazhdueshëm dhe në shkallë të gjerë, veçanërisht i drejtorëve të shkollave që duhet të bashkëpunojnë me shkolla të tjera, të ndërmarrin nisma me familjet e të koordinojnë punën me entet lokale.

Nevojitet vetëdije mbi faktin që fillimisht mund të ketë një çorientim të pashmangshëm, por më pas gjithçka mund të funksionojë dhe të kthehet në një pikë force. Nuk duhet dramatizuar situata por duhet gjetur dialogu mes mësuesve e prindërve, italianë e të huaj. Shkollat që sot quajmë “shkolla geto” janë bërë të tilla sepse prindërit italianë kanë pasur frikë të regjistrojnë në to fëmijët e tyre. Nëse dikush do t’u kish shpjeguar avantazhet e një shkolle multi kulturore, nuk do të arrinim në raste ekstreme emergjence.

Së fundi, nevojitet apo jo kufiri maksimal i 30%-shit të të huajve për klasë?

Nuk mund vlerësoj një zgjedhje të ministrisë së Arsimit, për të cilën punoj. Do të doja të kujtoja që prej vitit 2006 një qarkore e ministrisë këshillonte shkollat për një shpërndarje të drejtë të nxënësve jo italianë. Tani e quajmë kufi-tavan, që sidoqoftë nuk është i ngurtë siç tregojnë përjashtimet e shumta të lejuara në mbarë Italinë. Unë nuk dua të flasim gjithnjë për shifra. Të përqendrohemi në veprime konkrete.

Elvio Pasca

Janë kosovarë gjysma e turistëve të Shqipërisë

Dyvjeçari bie nga dritarja. Fraktura në kokë por nuk rrezikon jetën