in

OSBE. Kriza ekonomike frenon lejet e qëndrimit. Edhe për shqiptarë

Kanë rënë me 25% në një vit lejet e reja të qëndrimit, kryesisht ato për motive pune. Por gjithsesi të huajt në Itali përbëjnë 13% të të punësuarve. Rezidentët shqiptarë në Itali janë 497.761 persona. Lejet e reja të qëndrimit lëshuar shqiptarëve kanë qenë rreth 19 mijë gjatë vitit të shkuar, kundrejt 25.006 të vitit 2011 apo 48.330 të vitit 2010
Të dhënat e International Migration Outlook 2013

Romë, 9 tetor 2013 – Imigracioni në Itali nuk është ndalur as në vitet e krizës: janë të huaj 7,3% e rezidentëve, 13% e të punësuarve, 12% e sipërmarrësve, 8,4% e studentëve. Por kriza ndihet në aspektin e punës. Dhe rritja e papunësisë shoqërohet me një frenim të lejeve të qëndrimit. Këto janë të dhënat e raportit të International Migration Outlook 2013 të OSBE-së e prezantuar sot Romë.

Rezidentët

Sipas bilancit të fundit demografik, janë 4.387.721 të huajt rezidentë në Itali, përbëjnë 7,3% të popullsisë. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit numri i të huajve është rritur me 11% në vit, me një rritje të përgjithshme prej thuajse 3 milionë personash. Thuajse dy të tretat e të huajve jetojnë në Italinë e veriut, kryesisht në Lombardi, ku përqendrohet 23,4% e të huajve dhe ku përbëjnë 10,5% të popullsisë. Në të kundërt, në Jug të vendit jetojnë vetëm 615 mijë të huaj dhe përbëjnë më pak se 3% të popullsisë.

Rezidentët shqiptarë në Itali janë 497.761 (të dhënat ISTAT, më 1 janar 2013). Thuajse gjysma e shqiptarëve të Italisë jeton në tre krahina. Vetëm në Lombardi jeton mëse një e pesta e të gjithë shqiptarëve të Italisë (në vlera absolute, 103.617). Krahinat e tjera me përqendrim të lartë shqiptarësh janë Toscana, 71.055 shqiptarë, dhe Emilia Romagna me 63.084 persona). Në tabelën në krah, shpërndarja sipas krahinave e tre vjetëve të fundit.

Pasojat e krizës ekonomike

Edhe në vitin 2012 konfirmohen pasojat negative të krizës ekonomike mbi flukset e imigrantëve, që për të parën herë u vërejtën gjatë vitit të shkuar. Lejeqëndrimet e reja për jokomunitarë të lëshuara gjatë vitit të shkuar kanë qenë 246.760, 25% më pak se në vitin 2011 dhe 58% më pak se në 2010-tën (në vitet pararendëse, 2008, 2009, 2010, numri i lejeve të reja të qëndrimit ishte mbi 500 mijë)

Reduktimi i lejeve të qëndrimit vjen, në pjesën më të madhe, për shkak të rënies së numrit të lejeve të qëndrimit të lëshuara për motive pune. Numri i këtyre është reduktuar me 81,4% një vit, duke kaluar nga mëse 359 mijë të vitit 2010, në 119.342 të vitit 2011 dhe së fundi në 66.742.

Nga ana tjetër, konsolidohet prirja e vitit 2011: numri i lejeve të qëndrimit të lëshuara për bashkim familjar është më i lartë se ai i lejeve të lëshuara për punë. Gjatë vitit 2012 janë lëshuar 119.745 leje qëndrimi të reja për motive familjare, përbëjnë 48,5% të të gjitha lejeve të lëshuara (në vitin 2011 përbënin 43% të të gjithave, në 2010 përbënin vetëm 30%).

Sipas të dhënave ISTAT, për sa i përket komunitetit shqiptar, lejet e qëndrimit të reja të lëshuara gjatë vitit të shkuar kanë qenë 18.889, kundrejt 25.006 të vitit 2011 apo 48.330 të vitit 2010. Prej rreth 19 mijë lejeve të vjetshme, vetëm 3.520 të lëshuara për motive pune, ndërsa 11.406 janë lëshuar për motive familjare. E thënë ndryshe, lejeqëndrimet e reja janë lëshuar kryesisht për motive familjare në 60,4% të rasteve, vetëm 18,6% për punë, 3% për studime dhe 0,7% për strehim politik e mbrojtje humanitare. 17,2% e lejeve të reja të vitit 2012 janë lëshuar për motive të ndryshme nga të sipërpërmendurat.

Keti Biçoku

Bonino në Tiranë: Marrja e statusit brenda vitit, objektiv i arritshëm për Shqipërinë

Bonino në Tiranë i kënaq të gjithë, majtas e djathtas