in

OSBE/ODIHR: Nuk shohim bazë ligjore për hapjen e kutive nga KQZ

Mbërrin raporti i dytë i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, që ngre një sërë pikëpyetjesh mbi administrimin e votës dhe ndikimin e forcave politike mbi KQZ-në, veçanërisht për rezultatin për kryebashkiakun e  Tiranës. Lexo raportin e plotë

21 maj 2011 – Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it ka dhënë mbrëmë në darkë një tjetër raport, jo përfundimtar për zgjedhjet në Tiranë. Ky raport i dytë është më negativ se i pari i shpallur dy ditë pas zgjedhjeve. Sipas raportit, “numërimi i votave në 66 Vende të Numërimit të Votave (VNV) vazhdoi deri në mbylljen e tij në mënyrë përgjithësisht transparente, pavarësisht ritmit të ngadaltë” por procesi i numërimit u karakterizua nga një nivel i lartë mosbesimi ndërmjet partive politike, çka çoi në debate, vonesa dhe bllokim në disa VNV. Vonesat rritën tensionin në Tiranë, veçanërisht për shkak të ngushtësisë  mes rezultateve paraprake”.

Dhe pikërisht për Tiranën, raporti ka më shumë vërejtje dhe fajin kryesor ia vë KQZ-së. Deri në çastin e mbylljes së këtij raporti “KQZ-ja nuk i kishte njoftuar rezultatet zyrtare për garën për kryetar bashkie të Tiranës. KQZ-ja ende nuk i kishte hedhur në faqen e internetit  rezultatet e kutisë së fundit të numëruar për kryetar bashkie të Tiranës, dhe faqja e internetit tregonte Zotin Basha si kryesues të garës”. Pas numërimit të kutive për kryetarin e bashkisë së Tiranës në të gjitha VNV, kur u pa që Edi Rama fitonte me vetëm 10 vota, “zyrtarë  të PD-së, përfshirë Kryeministrin Sali Berisha, i kërkuan KQZ-së  të konsideronte si vota të vlefshme për kryetar bashkie të Tiranës ato që u gjetën gjatë numërimit për zgjedhjet për kryetar minibashkie”, vëren raporti që më tej shpjegon: “Kodi Zgjedhor nuk parashikon drejtpërdrejt vlefshmërinë  e  fletëve të votimit gjetura në një kuti votimi, të ndryshme nga ajo që i korrespondon llojit  të zgjedhjes për atë  fletë.  Ai as nuk parashikon ndonjë procedurë  për vlerësimin e fletëve të votimit të gjetura në kuti të tjera. Anëtarët e grupeve të numërimit ishin trajnuar për t’i konsideruar fletë të tilla votimi të pavlefshme dhe fletët e votimit të hedhura gabim ishin konsideruar të pavlefshme në Tiranë deri në mbylljen e numërimit për  kryetar bashkie të Tiranës më 14 maj”.

Raporti tregon me hollësi ç’ndodhi në KQZ më datë 17 e 18 maj kur po vendosej të hapeshin kutitë me fletët e gjetura në kutitë e gabuara duke e thënë qartë që nuk gjen një bazë ligjore për mënyrën e veprimit të zgjedhur nga KQZ-ja. “Më 18 maj, pas votimit të një vendimi “në parim” (me 4 pro e 3 kundër), ndonëse nuk ishte miratuar asnjë vendim përfundimtar, KQZ-ja filloi hapjen e 60 kutive të votimit identifikuara në kërkesë dhe numërimin e fletëve të votimit për kryetar bashkie dhe këshillin për Tiranën. Për MVZ-në  e OSBE/ODIHR-it, baza ligjore për hapjen e kutive të votimit ishte e paqartë”.

Pushimi nga puna i punonjësit të varur

Dy ish krerë të KQZ-së, mendime të kundërta mbi numërimin votave të këtyre ditëve