in

Padova. Pensionisti plagos me armë 33-vjeçarin Çaushi, ish të dashurin e kujdestares

Është arrestuar për tentativë vrasjeje Paolo Meneghetti, 67 vjeç, që para dy ditësh, në Noventa Padovana, i ka qëlluar me armë duke e plagosur në vithe e bark, 33-vjeçarit Dritan Çaushi.

Romë, 7 janar 2012 – Pensionisti Paolo Meneghetti, 67 vjeç, nuk ka duruar më kërcënimet e veprimet e dhunshme të Çaushit, 33 vjeç, që nuk ka pranuar fundin e historisë së dashurisë me gruan që shërbente pranë familjes Meneghetti (si badante). Ish e fejuara e Çaushit, shqiptare edhe ajo, ishte punësuar nga Meneghetti kohë më parë për t’i qëndruar pranë të shoqes së sëmurë rëndë. Edhe pas vdekjes të së shoqes, Meneghetti kishte lejuar shqiptaren të vazhdonte të qëndronte në shtëpi të tij.

Kur shqiptarja i ka dhënë fund historisë së dashurisë, Çaushi është nxehur keq, dhe inatin e tij ia ka nxjerrë jo vetëm ish të dashurës por edhe Meneghettit e më pas gjithë banorëve të pallatit. Shpesh shkonte nën shtëpi të Meneghettit ku gruaja punonte e jetonte. Vizita e fundit për Vit të Ri, për të cilën  karabinierët e kishin detyruar të kalonte një natë në qeli.

Mbrëmjen e 5 janarit Çaushi është paraqitur sërish poshtë pallatit, krejtësisht i dehur, dhe ka marrë me grushte një Toyota Yaris, e Livio Melchiorit, një mik i Meneghettit, që me të parë ç’po ngjante ka shkuar drejt makinës për të ndaluar 33-vjeçarin. Kanë nisur të zihen, por duke qenë Çaushi më i ri, e ka vënë poshtë. Në këtë çast ka zbritur nga shtëpi e tij edhe Meneghetti i armatosur me pistoletë që ka qëlluar në drejtim të 33-vjeçarit. Plumbi, i ka hyrë në vithe dhe i ka dalë në bark, dhe tani Dritan Çaushi është shtruar në spital në gjendje të rëndë.

I moshuari është arrestuar për tentativë vrasjeje. Situata e tij rëndohet edhe më shumë për shkak se u përpoq të fshihte gëzhojën dhe nuk thirri menjëherë ndihmën e shpejtë për të plagosurin.

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Qeveria në punë për “reduktim të ndjeshëm”

Afati i deklarimit të të ardhurave shtyhet për në shtator