in

Paketa e sigurisë, çfarë mungon ende

Marrëveshja e integrimit, testi i gjuhës për kartën e qëndrimit dhe taksa mbi  dokumentin e qëndrimit. Ku kanë përfunduar?

Romë – Ka kaluar mëse një vit nga ardhja në fuqi e ligjit të ri mbi sigurinë, i shpallur nga qeveria, me legistët në krye, si një nga rezultatet e saj kryesore.
Në qendër të rregullave të reja të kërkuara me forcë nga Maroni & Co, ishte kryesisht një shtrëngim rripash kundër emigracionit klandestin, si futja e veprës penale të klandestinitetit, qëndrime më të gjata në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit apo ndalimin e martesës në Itali për ata që nuk kanë leje qëndrimi. Por ligji i ri parashikonte edhe një sërë të rejash shtrënguese për emigrantët e rregullt, por ato më kryesoret, deri më sot, kanë mbetur ende vetëm në letër.

Nuk ka hyrë ende në fuqi, për shembull, marrëveshja e integrimit, që shtrëngon emigrantët të arrijnë disa objektivë të caktuar (njohja e italishtes, edukimi qytetar etj.) për të pasur të drejtën e qëndrimit të mëtejshëm në Itali, me fitimin apo humbjen e pikëve në bazë të sjelljes. Rregullorja e marrëveshjes së integrimit është miratuar tashmë nga qeveria, por tani është në shqyrtim të Këshillit të Shtetit dhe të Konferencës së Unifikuar dhe vështirë se do të hyjë në fuqi para vitit 2011.

Një tjetër risi vetëm e lajmëruar është provimi i gjuhës italiane i detyrueshëm për ata që kërkojnë kartën e qëndrimit. Në këtë rast rregullorja zbatuese është miratuar madje është përcaktuar edhe data për ardhjen në fuqi: 9 dhjetor 2010. Por duhet parë nëse Sportelet Unike të Imigracionit – gjithnjë me personel të pamjaftueshëm – do të jenë gati për të administruar edhe provimet e gjuhës.

Në fund, fatmirësisht janë humbur gjurmët e taksës së re mbi lejet e qëndrimit. Sipas ligjit mbi sigurinë duhet të jetë nga 80 euro deri në 200, por ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë ende nuk kanë përcaktuar as tarifën e as mënyrën e pagesës. Ndoshta presin të shkurtojnë më parë kohën e lëshimit dhe të përtëritjes së dokumenteve para se t’u kërkojnë emigrantëve të paguajnë shtrenjtë një shërbim kaq të ngadaltë.

Elvio Pasca

Lexo edhe:
Italia, vendi i pikëve
Shtohen taksat, ndrydhen të drejtat

Legalizimi i të mashtruarve

Ndërron jetë presidenti Cossiga