Zemërgjerë, i qeshur e plot gjallëri. Lulzim Vulashi, 35-vjeçar nga Shkodra, furrtar në Firence, nga 1 marsi, për gjashtë muaj rresht do të japë bukën falas për të gjitha gratë që sapo kanë lindur. Sepse “beson në të ardhmen e vepron sot”, sepse e di ç’do të thotë të mos kesh e të jesh në vështirësi.
Zemërgjerë, i qeshur e plot gjallëri. Janë tiparet që të bien menjëherë në sy sapo njeh Lulzim Vulashin. 35-vjeçar nga Shkodra, jeton në Firence që prej vitit 1995. Sot është furrtar e pronar i një lokali, “Pane, amore e fantasia”, në të cilin janë punësuar 7 vetë, ku veç bukës gjen edhe gatime të ndryshme e verëra të mira. Sot Lulzim Vulashi është i njohur në qytet për nismën e bukur që ka menduar: të japë bukë falas për nënat e reja.
Sepse e mban mend shumë mirë ç’ka hequr e tani që punët i shkojnë mirë, mendon të ndihmojë të tjerët. Nga 1 marsi, çdo ditë do t’u japë bukën falas të gjitha grave që sapo janë bërë me fëmijë, deri kur këta të bëhen gjashtë muajsh. Lajmi ka disa javë që ka marrë dhenë në qytet, madje edhe kryetari i bashkisë, sot kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, i ka shkruar për ta përgëzuar.
Ndërsa flet me Lulzimin kupton se është njeri i punës dhe shumë zemërgjerë, se kjo e tanishmja është vetëm e fundit por jo e vetmja nismë që ndërmerr për të ndihmuar të tjerët. Papritur, e sikur të tregonte gjënë më të zakonshme, të thotë se prej shumë vitesh, një herë në javë shkon u ofron darkë të pastrehëve. “E bëj nga viti 2007, çdo të premte marr furgonin e mbush me ushqime të përgatitura në lokalin tim, me bukë, makarona e të tjera gjëra e shkoj në kishën e rrugës Boccherini ku mblidhen të pastrehë. U përgatis dhe u shtroj darkën e pastaj iki”.
“Për të ndihmuar”, saktëson Lulzimi që nuk do në asnjë mënyrë që ato që bën të kalojnë për “lëmoshë” e të ofendojnë ndonjë.
Një tjetër karakteristikë e Lulzimit është dashuria për artin, jo më kot ndoshta erdhi në Firence që në moshë të re. Por vështirësitë, nevoja për të siguruar bukën e gojës e detyroi të mos studionte por të kërkonte menjëherë punë si ndihmës në një furrë. Pasionin për artin e muzikën në një farë mëyre e kultivoi duke organizuar për vite me radhë festa e spektakle duke sjellë artistë shqiptarë në kryeqendrën toskane.
Ka nisur punë në moshë të re, në fillim si ndihmës-furrtar, më pas është vënë në shoqëri me italianët për të cilët punonte e gjithnjë në moshë të re ka nisur të administrojë vetë furrë e dyqan buke.
Prej vitit 2006 është pronar i “Pane, amore e fantazia”, gastronomia në rrugën Ponte alle Mosse të Firences. Lokali i tij është i njohur jo vetëm për llojet e shumta të bukëve, por edhe për biskotat tipike toskane “cantucci” që nëna e tij Sherifja i bën të buta (origjinalët janë të të forta e zakonisht ngjyhen në verë), për pjatat e para të ngrohta, për djathërat, sallamet, si edhe për verërat e ndryshme. Me të punojnë nëna, babai, vëllai Besnik, kushëriri Elvin dhe dy italianë.
Si lindi ideja e dhënies falas të bukës për nënat e reja?
Lulzimi Vulashi: Tani, në kohë krize secili mendon për vete, njerëzit bëhen më egoistë. Për të mos thënë që italianët qahen e ankohen shumë. Ideja më lindi duke dëgjuar gra të reja të thonë “E si të ngresh shtëpi në këto kohë?”, “Të bësh një fëmijë? Nuk ke ç’i jep për të ngrënë”. Unë u përgjigjesha fillimisht si me të qeshur “Bëjini ju, se bukën ua jap unë fëmijëve”. E thuaj njëherë, thuaj herë tjetër, mendova ta bëj vërtet. Pse jo? Nga 1 marsi të gjitha gratë që bëhen nëna do të marrin falas bukën tek unë. Çdo ditë, deri sa fëmija të bëhet gjashtë muajsh.
E si do të verifikoni moshën?
As që më shkon nëpër mend! Unë i njoh klientet e klientët e mi. Edhe sikur të vijë ndonjë që nuk njoh që të më gënjejë pak me moshën e bebit, nuk prish ndonjë punë.
E si u prit ideja juaj?
Janë të gjithë entuziastë. Para nja një muaji kur nisa të publicizoj këtë nismë, erdhën e më intervistuan nga mediat lokale. Më përshëndesin e më buzëqeshin të njohur e të panjohur. Më nisi një mesazh urimi e përgëzimesh edhe kryetari i bashkisë, Matteo Renzi.
Mua, natyrisht më bëhet qejfi e ndihem mirë, por nuk është qëllimi im që të flasin për mua. Dua ta them qartë, unë ofroj bukën falas sepse e di ç’do të thotë të mos kesh, të jesh në vështirësi. Por e imja është thjesht një ndihmë që u jap të tjerëve, me atë që mundem, që bëj vetë. Nuk është lëmoshë, në asnjë mënyrë.
Lulzim kur keni ardhur në Toskanë?
Në vitin 1995, kur isha 16 vjeç. Kam jetuar te disa miq në fillim. Prindërit e vëllai erdhën pas disa vjetëve.
Hasët vështirësi për dokumentet e qëndrimit?
Aspak. Atëherë ishte shumë më e thjeshtë se tani: u paraqita në kuesturë e kërkova lejeqëndrimin.
Si e mësuat zanatin e bukëbërësit?
Zanatin e mora duke ndihmuar në një furrë. Kur erdha në Firence më pëlqente shumë arti, por nuk mund të ndiqja shkollën sepse duhet të punoja për të jetuar. E kështu bëra. Menjëherë shkova e ndihmova një furrxhi. Pas një viti hyra në shoqëri me të e më pas akoma mora një furrë për llogarinë time e më pas edhe një dyqan buke.
Në vitin 2006 vendosa të lë furrën e dyqanin në qendër e të marr këtë lokalin që kam sot, “Pane, amore e fantasia”. Është tip “tavola calda” apo “gastronomi”. Kemi furrën e kuzhinën ku gatuajmë, dhe në sallë ofrojmë edhe për të ngrënë.
E mora kur kriza sapo kish nisur, po të them të vërtetën nuk e kam ndier shumë. Punët po shkojnë mirë, aktiviteti është rritur nga viti në vit. Fillimisht ishte vetëm një i punësuar sot jemi shtatë vetë. Mes tyre edhe e gjithë famija ime: nëna, babai, vëllai, kushëriri. Dhe kemi klientelë të rregullt mjaft të madhe. Për t’ju dhënë një ide unë njoh rreth 1.200 klientë që vijnë thuajse përditë apo rregullisht një herë në javë.
Për çfarë shquhet lokali juaj?
Tek ne nuk gjen vetëm bukë. Por edhe pjata të ndryshme të ngrohta që bën ime më, djathëra e sallame, produkte të ndryshme të zonës. Jemi bërë të famshëm për “cantucci morbidi” që janë biskotat e zonës, ato të fortat që hahen duke pirë verë të ëmbël. I bën ime më, e cila ka modifikuar pak recetën origjinale dhe i bën të buta. Të shkrihen në gojë. Pëlqehen shumë.
Një tjetër karakteristikë e lokalit janë edhe verërat e shumta. Kam rreth 150 etiketa të ndryshme.
Ju pëlqen puna që bëni?
Zanati i furrtarit është i vështirë, i lodhshëm. Zgjohesh pa gdhirë, përditë. Por është gjë shumë e bukur të bësh e t’u japësh të tjerëve bukën e gjithë gjërat e tjera të mira që përgatisim në “Pane, amore e fantasia”. Kënaqësia e klientëve dhe falënderimet e tyre ia vlejnë mundin e punës sonë.
Keti Biçoku
In italiano: Pane, amore e fantasia. Il dono quotidiano di Lulzim Vulashi (Stranieriinitalia.it)