in

Papa në Shqipëri. Mesha në sheshin Nënë Tereza

Njoftohet programi i vizitës njëditëshe e Papa Françeskut, më 21 shtator. Për këtë rast është krijuar edhe një logo e veçantë

Tiranë, 1 gusht 2014 – Në katedralen e Shën Palit në Tiranë u zhvillua takimi për dhënien e programit të udhëtimit apostolik të Papa Françeskut në Tiranë më 21 shtator. Në takimin e organizuar ishin të pranishëm SH.T. imzot Rrok Mirdita, SH.T. imzot Angelo Massafra, SH.T.  imzot George Frendo .

Sipas SH.T. imzot Angelo Massafra, “Papa Françesku vjen për të inkurajuar dialogun ndërfetar”, ndërsa për SH.T. imzot George Frendo “kjo vizitë është një dhuratë për katedralen dhe për bashkësinë dioqezane e kishtare shqiptare.

Mësohet se Ati i Shenjtë do të niset nga Roma në orën 07:30 të datës 21.09.2014 dhe pritet të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza”, në orën 09:00, ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama.

Menjëherë pas mbërritjes në Tiranë, Ati i Shenjtë do të pritet në një ceremoni në zyrtare në Presidencë rreth orës 9 e 30 minuta. Në orën 10:00 Ati i Shenjtë do të mbajë Meshën e Shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”, shesh i cili do të ristrukturohet.

Në orën 13:30 Papa Françesku do të ketë një drekë me Ipeshkvijtë shqiptarë dhe më pas do të takojë edhe krerët e besimeve të tjera në Shqipëri.

Në orën 17:00 do të kremtohet lutja mbrëmësore në Katedrale. Në 18:30 Papa do të takojë fëmijët e qendrës “Betania” në Fushë-Krujë dhe në orën 19:45 do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes së Papës në aeroport. Ati i Shenjtë niset drejt Romës nga aeroportin “Nënë Tereza”në orën 20:00.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur t’i japë Papa Françeskut titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës.

Koordinatori i përgjithshëm  i vizitës së Papa Françeskut, në Tiranë, Albert Nikolla  ka shpjeguar gjatë takimit me mediat edhe logon e krijuar me rastin e vizitës.

Sipas tij, personi në qëndër të logës simbolizon mishërimin e Zotit tek njeriu duke drejtuar duart drejt kryqit, ndërsa gjurmët e gjakut poshtë këmbëve të personit simbolizon sakrificën dhe vuajtjen e martirëve. Për Nikollën, motoja e vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri “Së bashku me Zotin drejt një shprese që nuk na zhgënjen”, është një thirrje e madhe për besimtarët e krishterë.

“Përsa e përket ngjyrave të zgjedhura, e kuqja dhe e zeza simbolizojnë ngjyrat e flamurit shqiptar, e  verdha dhe e bardha ato të Vatikanit”, tha koordinatori Nikolla për mediat.

Udhëtimi në Shqipëri është i katërti që Papa bën jashtë Italisë, i pari në Evropë. Për Shqipërinë kjo është vizita e dytë e një Pape, pas asaj të Gjon Palit II më 25 prill 1993, kur vendi sapo kishte dalë nga regjimi komunist.  

PROGRAMI I UDHËTIMIT APOSTOLIK TË PAPA FRANÇESKUT NË TIRANË SHQIPËRI:

E diel, 21 shtator 2014
7.30 NISJA me avion nga Aeroporti i Roma Fiumiciono-s për Tiranë
9.00 MBËRRITJA në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës
Pritja zyrtare nga Kryeministri i Shqipërisë
9.30 CEREMONIA E MIRËSEARDHJES në oborrin e Presidencës
VIZITË KORTEZIE PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
10.00 TAKIM ME AUTORITETET në Sallën e Pritjes së Presidencës – Fjalim i Atit të Shenjtë
11.00 MESHA E SHENJTË në Sheshin “Nënë Tereza”. Predikimi i Atit të Shenjtë
LUTJA E ENGJËLLIT TË TËNZOT dhe fjalët e Atit të Shenjtë
13.30 TAKIM DHE DREKË ME IPESHKËVINJTË SHQIPTARË dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike
16.00 TAKIM ME KRERËT E BESIMEVE TË TJERA DHE KOMUNITETEVE TË KRISHTERA në Universitetin Katolik “Nëna e Këshillit të mirë” – Fjalim i Atit të Shenjtë
17.00 KREMTIM I LUTJES SË MBRËMËSORES me Meshtarët, rregulltarët, rregulltaret, seminaristët dhe lëvizjet laikale në Katedralen e Tiranës – Fjalim i Atit të Shenjtë
18.30 TAKIM ME FËMIJËT E QËNDRËS BETANIA dhe me një përfaqësi personash të qëndrave të tjera të bamirësisë të Kishës në Shqipëri në Qendrën Betania – Fjalim i Atit të Shenjtë
19.45 CEREMONIA E LARGIMIT në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës
20.00 NISJA me avion nga Tirana drejt Aeroportit të Roma Ciampino-s
21.30 MBËRRITJA në Aeroportin e Roma Ciampino-s.

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Pasaportat biometrike. Nga 1 janari 2015, çmimi do të rritet me 25%

Vjedhja në Bankën e Shqipërisë. Arrestohen nëntë persona