in

Papa drejt Romës: “Shqipëria është vend evropian, për kulturën e bashkëjetesës dhe historinë e saj”

Në avionin që e kthen në Romë, Papa Françesku vazhdon të flasë për udhëtimin e sapopërfunduar në Shqipëri me gazetarët që e shoqërojnë: “Dua të jap një sinjal me nisjen e udhëtimeve në Evropë nga Shqipëria”. “Shqiptarët janë më shumë se tolerantë, e kjo shihet në bashkëjetesën dhe bashkëpunimin mes tre besimeve fetare, që është një marrëdhënie mes vëllezërish”.

Pse Papa ka nisur udhëtimet e tij në Evropë nga Shqipëria, një vend që nuk është në BE? “Është një sinjal që dua të jap” u është përgjigjur gazetarëve Papa në avionin Alitalia që e solli në Romë. “Mesazhi i këtij udhëtimi – ka nënvizuar sërish ai – shkon përtej Shqipërisë, që ka nisur një rrugë bashkëjetese dhe bashkëpunimi mes besimesh fetare dhe kulturave të ndryshme që i kapërcen kufijtë e saj në vende të tjera që kanë të njëjtat rrënjë”.

Duke folur me gazetarët, Papa ka saktësuar se “edhe pse Shqipëria është një vend me shumicë myslimane, ajo nuk është vend mysliman por evropian për kulturën e bashkëjetesës, për historinë që ka pasur”. “Nuk mund të ndryshoj gjeografinë” ka thënë duke qeshur.

Papa ka pohuar se është dokumentuar gjerësisht para se të nisej për Shqipëri lidhur me historinë e martirizimin e të krishterëve shqiptarë gjatë shekullit të shkuar. “Prej dy muajsh – ka thënë – po studioj atë periudhë dhe rrënjët kulturore të Shqipërisë, rrënjë të hershme e që e kanë treguar se kanë qenë të forta në atë periudhe të egër, gjatë të cilës mizoria arriti nivele të paimagjinueshme: janë goditur edhe ortodoksë e myslimanë. “Nuk duhet të besosh në Zot” u thonin. E nëse ti përgjigjeshe “unë besoj” kishe marrë fund”.

“Vuajtjen që keni hequr e pashë nga afër” i ka thënë Papa një gazetari të TVSh-së. “Shqiptarët janë më shumë se tolerantë, e kjo shihet në bashkëjetesën dhe bashkëpunimin mes tre besimeve fetare, që është një marrëdhënie mes vëllezërish”.

Së fundi, Papa u ka rrëfyer gazetarëve emocionet e tij të forta gjatë takimit pasdite në Katedralen e Tiranës me motra e priftërinj që kanë vuajtur dhunën për të mos tradhtuar besimin e tyre. “Ju pamë të përloteni për të parën herë” i ka kujtuar një gazetare (është fjala për dëshminë e Dom Ernest Simonit që ka prekur thellë Papën). “Të dëgjosh një martir që flet për persekutimin e vet është prekëse” është përgjigjur shkurt Papa.

Dëshmitë e Dom Ernest Simonit dhe Motër Maria Kaletës përlotin Papën

Vizita e Papës. Ministria e Brendshme falënderon qytetarët