“Këtë vit parashikohet të shkoj në Shqipëri. Thonë se Papa e ka në stilin e tij të nisë gjërat nga periferia, por shkoj në Shqipëri për dy arsye të rëndësishme”. Me këto fjalë nis Papa Françesku përgjigjen kur e pyesin mbi udhëtimet e ardhshme, sot në mbrëmje në një konferencë shtypi, brenda në avion sapo ka mbërritur në Ciampino nga vizita disaditore në Korenë e Jugut.
Dhe ja cilat janë arsyet e Atit të Shenjtë: “E para, sepse ia kanë dalë të bëjnë – dhe është fjala për në Ballkan – një qeveri bashkimi kombëtar mes myslimanësh, ortodoksish dhe katolikësh, me një këshill ndërfetar që jep një ndihmë të madhe dhe është i ekuilibruar dhe harmonik, e kjo është gjë e mirë. Prania e Papës atje u tregon të gjithë popujve që mund të punohet sëbashku. Unë mendova se kjo do të ishte një ndihmë e vërtetë për atë popull fisnik…”.
Ndërsa si arsye të dytë Papa jep historinë komuniste të popullit shqiptar: “Po të mbajmë parasysh historinë e Shqipërisë, ka qenë i vetmi ndër vendet komuniste që e kishte në Kushtetutë ateizmin praktik, ku ndjekja e meshës ishte antikushtetuese. Një nga ministrat më thonte se janë shkatërruar 1820 kisha. Shkatërruar! Ortodokse, Katolike. E të tjera janë kthyer në kinema, teatër, salla vallëzimi”.
“E ndieva që duhet të shkoj, është pranë, bëhet në një ditë”, mbyll me thjeshtësinë që e karakterizon kapitullin e udhëtimit të tij të ardhshëm në Shqipëri më 21 shtator 2014.
Lexo edhe:
Papa Françesku vizitë në Shqipëri më 21 shtator 2014
Papa në Shqipëri. Mesha në sheshin Nënë Tereza
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)