in

Parahistoria e luftës dhe e “çlirimit”

Nga Eugjen MERLIKA

Po i afrohemi 29 nëntorit, të cilin këtë vit Shqipëria zyrtare do ta festojë me një zell të veçantë si vit jubilar, 70-vjetor i “çlirimit”, sinonim i vendosjes në Tiranë të “gubernës komuniste” të Enver Hoxhës e të diktaturës së pashembullt gjysëm shekullore që e pasoi.

Do të evokohen “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës, nën drejtimin e “komandantit legjendar”, sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kurorëzohen me një shifër imagjinare të 28.000 dëshmorëve, lista e të cilëve nuk pa kurrë dritën në historiografinë 70-vjeçare, si për të dëshmuar faktin se ishte një gjetje e bukur e imagjinatës së ndonjërit që vendosi t’i japë çdo kilometri katror të truallit shqiptar një martir të luftës për komunizmin.  

Për afër gjysëm shekulli nëntori për shqiptarët qe muaji i shumëpritur i festave. Festoheshin me radhë të gjitha datat e shënuara të lindjes e të fitores së komunizmit. Fillohej nga dita e grushtit të shtetit bolshevik të 1917-tës në qytetin e Pjetrit të parë, për të pasuar në përkujtimin e themelimit të partisë komuniste shqiptare nga Miladin Popoviçi, i dërguari i posaçëm i Josif Broz Titos për Shqipërinë. Muaji përfundonte me festën e madhe të “çlirimit” të 29 nëntorit, që eklipsonte atë të një dite më parë, e vetmja ditë me të vërtetë e shënuar në historinë e gjatë të Vendit. Pas komunizmi, që vazhdoi të ushqejë rrënjët e origjinës me mungesën e dënimit të krimeve e pasojave të tyre, duke i paguar një farë pengu “ndryshimeve demokratike”, i hoqi nga qarkullimi zyrtar festat e 7 dhe 8 nëntorit.

“Nëntoriada” qe për dhjetëvjeçarë me rradhë burim frymëzimi për poetë e artistë të të gjitha përmasave e festat e nëntorit gjithmonë burim shprese për qindra e mijra  të burgosur politikë që prisnin me ankth vite me rradhë një gjest “zemërgjërësie” të Zeusit të Olimpit në drejtim të tyre. Për gjithë periudhën e gjatë të sundimit komunist historia u shkrua simbas orekseve të fituesve, u tjetërsua e u interpretua simbas shijeve dhe interesave të tyre. Kështu komunistët qenë të parët që luftuan e u sakrifikuan për të çliruar Vendin, qenë të parët që ju kundërvunë pushtuesve nazifashistë,  qenë të vetmit  që luftuan në mënyrë të papajtuar me “armiqtë më të mëdhenj të lirisë së njerëzimit”, fashistët italianë e nazistët gjermanë. Ndofta  shumëkujt spontanisht gjatë asaj kohe i vinin pyetje që ngelnin pa përgjigje ose akoma më keq mbeteshin të pashprehura. Shifrat dhe ngjarjet nuk përkonin me të vërtetën e jetuar prej shqiptarëve, kurse historia e shkruar fliste për gjysmën e dytë të periudhës së pushtimit, duke vënë në gjumë letargjik gjysmën e parë të saj, parahistorinë.

Dihet se Shqipëria u pushtua më 7 prill 1939, kur ende lufta e dytë botërore nuk kishte filluar. Do të kalonin ende disa muaj para se korridori i Gdanskut të bëhej shkëndija e atij zjarri të stërmadh që do të pushtonte Evropën. Nga 1939 deri më 1941 qëndresa kundër italjanëve ishte diçka sporadike dhe e paorganizuar. U krijuan aty këtu çeta luftëtarësh, kryesisht me orientim monarkist, që nuk pajtoheshin me pushtimin. Kuptohet se efektiviteti i veprimit të tyre ishte tepër i vogël, si pasojë e ndryshimit të madh të raportit të forcave në fushë. Komunistët që, për gjysëm shekulli, kanë rrahur gjoksin e kanë stërfolur për meritat dhe vetmohimin e tyre në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, i anashkalojnë historisë dhe ngjarjeve të atyre dy viteve, që në terma kohe përbëjnë  gjysmën e gjithë  “epopesë”  së shkruar. Është folur e shkruar për demostrata të mëdha të zhvilluara në Tiranë e qytete të tjera e të drejtuara nga komunistët e personalisht nga Enver Hoxha. Nuk i përgjigjen së vërtetës këto pohime, mbasi udhëheqësi i ardhshëm i partisë në atë periudhë englendisej në librarinë Flora dhe në rrethet shoqërore të borgjezisë, ku pranohej në sajë të lidhjeve farefisnore. Qetësia relative, pothuajse miratuese, e komunistëve në këta dy vite shoqërohej me argumentime teorike, simbas të cilave pushtimi kishte dhe anët e tij pozitive mbasi do të jepte ndihmesën e tij në krijimin e klasës puntore, si pasojë e futjes së marredhënieve kapitaliste në prodhim. Më vonë këto teori u konsideruan disfatiste e ju veshën atyre komunistëve që nuk pranuan të venë në qafë kularin e Miladin Popoviçit.

A ishte i rastësishëm pasiviteti i komunistëve shqiptarë në këta dy vite, ishte pasojë e mosorganizimit, e grindjes mes grupeve të ndryshme, siç është servirur në libra e në propagandë? Po të hedhim vështrimin më larg, në marredhëniet ndërmjet komunizmit botëror me qëndrat e tij drejtuese Kremlinin dhe Kominternin, me Boshtin qëndror e kryesisht Gjermaninë hitleriane, do të kuptojmë më mirë arsyen e vërtetë të atyre qëndrimeve. Më 23 gusht 1939, vetëm dhjetë ditë më parë se të shpallej lufta, në Moskë ministri i jashtëm gjerman, baroni fon Ribentrop nënëshkroi një  

“pakt mossulmimi” me kolegun e vet sovjetik Molotov. Ai nuk ishte thjesht një angazhim i ndërsjelltë i dy shteteve më të fuqishme diktatoriale të kontinentit për të mos sulmuar njëri tjetrin, por ishte një marrëveshje banditësh për të rindarë territore e skllavëruar popuj. Efektet qenë të menjëherëshme me ndarjen e Polonisë dhe pushtimin e republikave pribaltike.

Ai traktat ishte përfundimi i një sërë konsideratash e llogarish që, në strategjinë e dy diktatorëve më mizorë të shekullit, do të ndryshonte historinë dhe gjeopolitikën e Kontinentit e të globit. Ai traktat u pasua nga të tjera marrëveshje të fshehta e të hapura, që filluan të ndryshojnë dhe qëndrimin zyrtar të dy Vendeve e propagandave përkatëse karshi njëri tjetrit. Stalini kishte lavdëruar luftën “ antikapitaliste “ të Gjermanisë kundër Anglisë e Francës, “ shkaktarët e vërtetë të luftës”,simbas Molotovit. Më 7 shtator 1939 Stalini i njoftonte Dimitrovit, sekretar i parë i Kominternit, se “ nuk do të ishte keq nëse Gjermania do të dobësonte pozitat e kapitalistëve më të pasur (veçanërisht të Anglisë )”. Si pasojë e strategjisë së re të BS e të Stalinit direktiva e Kominternit qe e prerë : “Qëndrimi i mbrojtjes kombëtare është i papranueshëm për komunistët në këtë luftë (…) çështja e fashizmit luan sot një rol të dorës së dytë, çështja kryesore përfaqësohet nga lufta kundër kapitalizmit, origjina e të gjitha luftrave. Taktika e Frontit popullor nuk është më e zbatueshme.” Të gjithë morën nga Moska udhëzimet për “t’i çjerrë maskën legjendës së natyrës antifashiste të luftës”. Filluan në seri autokritikat aspak dinjitoze, në stil shqeto komunist  të udhëheqësve të partive komuniste, që gjithmonë kishin zbatuar direktivat, por që tani duhet të merrnin mbi vehte barrën e ndryshimit të tyre…Francezët pranuan se kanë gabuar në të besuarit e “legjendës së karakterit antifashist të luftës”, ndërsa ajo kishte karakter imperialist me pikësynim diktaturën e kapitalit!!?? Palmiro Toliati pranonte se Musolini ka përmirësuar kushtet e punonjësve në Itali dhe deklaronte: “Un nuk vë në qendër luftën për të rrëzuar Musolinin”. Ishte 7 mars 1941!!!

Kur në prill të 1940-ës Gjermania pushtoi Danimarkën dhe Norvegjinë, shtypi komunist, si gjithmonë zëdhënës besnik i partive komuniste, i ngarkonte përgjegjësinë kryesore jo Gjermanisë, por kundërshtarëve të saj dhe vetë viktimave të agresionit, ndërsa Qeveria sovjetike i uroi privatisht Gjermanisë “sukses të plotë në nismat e saj mbrojtëse”. Më 25 nëntor 1940, plot 74 vite më parë, Molotovi thirri ambasadorin e Gjermanisë në Moskë për të firmosur një marrëveshje historike. BS kishte vendosur të bashkohej me boshtin Romë-Berlin-Tokio për të thyer fuqitë pluto – judaike – masonike,  siç quheshin rëndom në propagandën komuniste e fashiste demokracitë e Perëndimit. Ky vendim ishte përgjigje e kërkesës së Hitlerit bërë verbalisht Molotovit gjatë vizitës së tij në Berlin disa ditë më parë.    

Synimet e BS në këtë situatë idili dhe sinkronizimi me Gjermaninë naziste gjatë viteve 1939-41 ishin në përfitimet territoriale në pjesët e perandorisë britanike që konsiderohej në shpërbërje e sipër, në shtimin e influencës në Ballkan e në përpjekjet për kontrollin e ngushticave, pika strategjike me rëndësi të jashtzakonëshme në kohë lufte e paqeje. Gjermania ishte e interesuar t’a kishte në anën e saj kollosin rus për të gjunjëzuar qëndresën angleze e në shërbim të këtij synimi Ministria e propagandës naziste ndaloi çdo “ qëndrim kundër marksizmit dhe bolshevizmit në shtyp dhe në propagandën gjermane “ si pasojë e një protokolli shtesë të fshehtë të paktit Ribentrop-Molotov. Më 19 korrik 1940, në një fjalim të mbajtur në Rajshtag, Fyhreri deklaronte:  “Marrëdhëniet ruso-gjermane janë përcaktuar përfundimisht… çdo shpresë se mund të lindin tensione të reja  është foshnjarake.” Autoritetet gjermane theksonin faktin se “për Gjermaninë dhe Rusinë punët kishin vajtur mirë gjithmonë kur kishin qënë mike dhe keq kur kishin qënë armike”.

Kjo ishte atmosfera e marredhënieve mes dy sistemeve totalitare në dy vitet e para të luftës. Ajo u prish me sulmin rrufe të gjermanëve, për të cilët traktatet ktheheshin në copa letre të grisëshme, sapo t’ua kërkonte interesi, më 22 qershor 1941. Çfarë nuk vazhdoi të funksjononte në mekanizmin koordinues të strategjisë globale të dy diktaturave? Deliri i plotfuqishmërisë së Hitlerit që mendoi se në pak kohë do të asgjësonte, nëpërmjet forcës, kërkesat, gjithnjë në rritje, të Stalinit për pushtet në skakjerën botërore. Si drita e diellit është e qartë se nuk ishin motivet e idealevet apo të ideologjisë ato që përcaktuan ndarjen mes dy tiranëve, qenë çështje interesash e vlerësime të gabuara të forcave. Marrëdhëniet e ngushta mes dy tiranive ishin shprehje dhe rezultat i përkimit të interesave. Gjithshka tjetër, që propaganda e kohës motivonte, ishte një fletë fiku që shërbente për të mbuluar të vërtetën e për të trullosur dhjetra milionët që do të bëheshin mish për top.

Kështu lufta për “ mbrojtjen e lirisë së popujve dhe idealeve të demokracisë” që, për më shumë se një gjysëm shekulli, bota  komuniste e shpalosi pa prerë si motivin kryesor të sakrificave e të fitores mbi nazifashistët, ishte një mashtrim i përbindshëm në dritën e së vërtetës historike, të fakteve e dokumentave. Po ashtu ishte një tjetër mashtrim “lufta kundër komunizmit”, që propaganda nazifashiste e kishte vënë në qendrën e argumentave të saj për të justifikuar tragjedinë më të madhe të historisë së kontinentit.

Në këtë kontekst mungese parimesh e idealesh dhe komunistët shqiptarë nuk mund të bënin përjashtim. Ata soditën të kënaqur frutet e bollëkut që solli Italia deri në vjeshtën e vitit 1941, ishin në letargji derisa Titoja, prokonsulli i Stalinit për Ballkanin, nëpërmjet të dërguarit të tij të posaçëm, Miladin Popoviçit, do t’ju kujtonte se kishte ardhur koha të organizoheshin e të luftonin mbasi  “atdheu i socializmit” ishte në rrezik. E gjithë vepra e tyre konsistoi në zbatimin e urdhërave që sillnin nga shtabi qëndror i ushtrisë jugosllave Popoviçët, Mugoshët, Stojniçët, Tempot etj emisarë të druzhe Titos. Dëshmi e këtyre qëndrimeve janë themelimi i partisë komuniste në tri ditë mbas tre vite kundërshtish e mosmarrëveshjesh të grupeve komuniste, vënia në krye të saj e një personazhi të lakueshëm e të paaftë kur në orbitën e botkuptimit komunist shqiptar kishte personalitete të forta si Llazar Fundo, Zef Mala, Sejfulla Malëshova, Sadik Premtja etj., prishja e njëanëshme e marrëveshjes së Mukjes, asgjësimi gradual e sistematik i elementëve të shëndoshë e atdhetarë në gjirin e lëvizjes, thika e ngulur mbas shpine çështjes kombëtare nëpërmjet mungesës së këmbënguljes për thirrjen e referendumit për vetëvendosje në Kosovën e pasluftës, kompromiset e heshtjet kriminale në kurriz të mijra viktimave të vëllezërve të Kosovës.

Po t’i shtojmë kësaj tablloje gjysëm shekulli terrori nën hijen e kultit të Stalinit, mungese lirie, varfërie skajore, prapambetje proverbiale, sakrificash pa fund për të ndërtuar bunkerë më duket se festat e nëntorit, duke përjashtuar ditën e ndritur të Pavarësisë, meritojnë të kthehen në ditë zie.

 

Për çfarë jeni krenar zoti Rama?

Ministri Ahmetaj ambasadorit italian: Hiqni taksën për transportuesit tanë