in

Paralimpiada Londër 2012. Presidenti Nishani i dorëzon flamurin Haki Dokut

“Sot, kam nderin t’i dorëzoj Flamurin Kombëtar jo vetëm një sportisti të talentuar, por mbi të gjitha një njeriu që mbart dhe përçon vlera njerëzore, një shembull që na tregon se aftësitë e kufizuara fizike nuk i kufizojnë dot pasionet dhe dëshirat e mira të njeriut”  shprehet presidenti Nishani teksa i dorëzon flamurin atletit Haki Doku, i cili do të marrë pjesë në Lojrat Paraolimpike Londër 2012

Tiranë, 27 gusht 2012 – Presidenti i Republikës Bujar Nishani i dorëzoi sot Flamurin Kombëtar atletit Haki Doku, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Paralimpike Londër 2012.

Në një ceremoni të posaçme zhvilluar me këtë rast, në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicolas Cannon, Presidentja e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Ela Tase, Drejtori i Fondacionit Vodafone, Albi Greva.

Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, të pranishmit u përshëndetën nga Drejtori i Fondacionit Vodafone, i cili është dhe donatori kryesor për atletin paraolimpik shqiptar, paraçiklistin Haki Doku, si dhe Ambasadori britanik në Shqipëri, Nicolas Cannon.

Gjatë përshëndetjes së tij, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nikolas Kanon u shpreh ndër të tjera se “Kjo ceremoni demonstron qartë që kjo është një fushë ku Shqipëria po ndryshon me hapa të shpejtë. Publiku po bëhet me i ndërgjegjshëm për nevojat dhe dëshirat e personave me aftësi të kufizuar. Jam i kënaqur që Këshilli Britanik ka qenë aktiv në adresimin e këtyre nevojave. Dua të përgëzoj gjithashtu punën e Fondacionit Vodafone nëpërmjet programit “Bota e Ndryshimit”, i cili nëpërmjet një game të gjerë projektesh mbarëkombëtare përshin njerëzit me aftësi të kufizuara”.

Momenti kulmor dhe simbolik i kësaj ceremonie ishte kur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi Flamurin Kombëtar paraçiklistit Haki Doku, duke i përcjellë urimet më të përzemërta për suksese në Lojrat Paraolimpike Londër 2012. “Sot, kam nderin t’i dorëzoj Flamurin Kombëtar jo vetëm një sportisti të talentuar, por mbi të gjitha një njeriu që mbart dhe përçon vlera njerëzore, një shembull që na tregon se aftësitë e kufizuara fizike nuk i kufizojnë dot pasionet dhe dëshirat e mira të njeriut. Dëshiroj të të falenderoj mbi të gjithë ty Haki, për pasionin tënd, sakrificat e tua dhe shembullin që ti sjell duke nderuar dhe mbajtur lart flamurin tonë kombëtar!” është shprehur presidenti Nishani.

Kryetari i Shtetit shprehu bindjen se atleti Haki Doku falë punës dhe sakrificës së tij do ta përfaqësojë denjësisht Shqipërinë dhe do ta mbajë lart flamurin shqiptar me nder dhe përgjegjësi.

Lexo edhe: Shqipëria në Paralimpiadë falë këmbënguljes së Haki Dokut

Mëse 225 mijë shqiptarë në timon me patentë italiane

Shqiptarët e Serisë A zbresin në fushë