in

Pasaporta e letërnjoftimi në konsullatë. 100 euro për person

Shuma që do të paguajnë emigrantët në konsullata do të jetë plot 100 euro: 85 për pasaportën që i shkojnë koncesionerit, 5 për Ministrinë e Jashtme për transportin dhe për përpunimin e të dhënave, dhe 10 euro të tjerë për letërnjoftimin. Kjo del në dritë nga sqarimet e dhëna në parlament, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nga zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, në prezantimin e projekt-ligjit të miratuar përfundimisht në parlament më 23 shtator lidhur me aplikimin për pasaportë biometrike në Romë, Milano, Selanik dhe Athinë.

pasaporta biometrikeLigji i sapomiratuar në Kuvend mbi “Për ratifikimin e shtesës së kontratës koncesionare me Sagem Securite dhe Fondit Shqiptaro – Amerikan të Ndërmarrjeve” është paraqitur fillimisht në Komisionin për Çështjet Ligjore e më pas në seancë plenare nga zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni. Nga pyetje e deputetëve të ndryshëm të opozitës dhe nga përgjigjet e zëvendësministrit dalin në dritë disa aspekte të aplikimit që deri më sot nuk ishin të qarta për publikun.
Ja disa pasazhe nga procesverbalet e Kuvendit lidhur me këtë temë që tregojnë pak a shumë edhe mënyrën e aplikimit, koston për qytetarët dhe për shtetin, e të tjera detaje të vlefshme.

Pasi dëgjojnë parashtrimin e zv.ministrit Poni të projektligjit, parlamentari Damian Gjiknuri shtron pyetjet: “Për sa i përket zyrave të aplikimit që do të hapen për emigrantët jashtë vendit, do të bëhet edhe aplikimi për kartë identiteti edhe për pasaporta. Pra, njëherë do të aplikojnë për kartën e identiteti, do të vijë karta, dhe pastaj do të aplikojnë për pasaportë? Do të ketë dy aplikime për këto dy dokumente apo do të bëhen njëkohësisht edhe për kartë identiteti edhe për pasaportën?”

Zëvendës ministri i brendshëm kësaj pyetjeje i përgjigjet: “Edhe në Shqipëri sistemi lejon aplikimin njëherësh për të dy dokumentet. Pra, mund të aplikohet në të njëjtin moment për të dy dokumentet. Ne kemi bërë një çedim nga rregulli, në kuptimin që të prodhohej karta fillimisht, për efekte zgjedhore e kështu me radhë dhe prandaj e lejon këtë rifreskim teknologjik. Nëse emigrantët do të duan, mund t’i bëjnë të dyja njëkohësisht dhe çmimi i letërnjoftimit është i njëjtë me atë që është në Shqipëri”. Pra duket se emigrantët, në zyrat konsullore, do të aplikojmë njëherazi për të dyja dokumentet. Madje për letërnjoftimin elektronik do të paguajnë po aq sa ç’kushton në Shqipëri. E pyetja pasuese është e natyrshme: po për pasaportën biometrike sa duhet të nxjerrin nga xhepat? E në Fakt Gjiknuri vazhdon me pyetjet: “Çmimi që ju keni përcaktuar do të jetë 85 euro pa tvsh, në mos gaboj. Dua të di për diferencën, sepse çmimi i pasaportës në kushte normale (me aplikim në Shqipëri) është 40 euro pa tvsh, kurse çmimi i një pasaporte lëshuar në një konsullatë në këtë rast është 85 euro, 45 euro më shumë në mos gaboj. 5 euro janë kostot që do të mbulojë Ministria e Jashtme për transportin dhe për përpunimin e të dhënave atje nga punonjësit e saj. Pra, gjithë ky shërbim shtesë është 45 euro? Çfarë mbulon ky shërbim shtesë? Cilat janë zërat që mbulon ky shërbim shtesë dhe për sa kohë?”.

Rritjen kaq të lartë të çmimit, ministri e justifikon duke thënë: “Për sa kohë që është kontrata koncesionare dhe për sa kohë që plotësohen kushtet e përcaktuara edhe në këtë shtesë kontrate, në sensin që për sa kohë që kjo marrëdhënie tregtare është shëndetshme apo shteti vendos ta mbajë si një marrëdhënie ndoshta me humbje, sepse edhe kjo është e parashikuar, por ai mendon që duhet mbajtur, është ky çmim 85+5 euro, që bëhen 90 euro pa tvsh-në. Më duhet të them që është për shkak të ofrimit të shërbimit, të kualifikimit, të mirëmbajtjes së sistemit, kontrollit të herëpashershëm të elementeve të sigurisë, nxjerrjes së certifikatave etj. Pra, për të gjithë procesin teknologjik që shoqëron procesin në Shqipëri, atë që ndodh këtu, por që do të ndodhë edhe atje. Kjo kuptohet do të jetë në kushte të tjera. Pra, nuk do të mirëmbahen më në Kashar, në Durrës, por do të shkohet në Selanik, në Athinë e kështu me radhë. Këtu përfshihet edhe transporti që është shumë i veçantë. Në kushtet e kontratës koncesionare, ne i kemi kërkuar koncesionarit që të paraqesë një çmim për dokumentet. Ka paraqitur një çmim që ishte pak më i lartë se ky që kemi këtu, por ne jemi shumë të kënaqur që çmimi i sotëm i pasaportave biometrike për qytetarët që do të aplikojnë jashtë vendit, është më i ulët se çmimi aktual”.
Me pak fjalë, ajo çka do të paguajnë emigrantët në konsullata do të jetë plot 100 euro: 85 për pasaportën që i shkojnë koncesionerit, 5 për Ministrinë e Jashtme për transportin dhe për përpunimin e të dhënave, dhe 10 euro për letërnjoftimin.

Deputeti Gjiknuri vazhdon të ngulë këmbë se çmimi që duhet të paguajnë emigrantët i duket shumë i lartë, e për më tepër këto para nuk përfundojnë as në arkat e shtetit por të një firme private: “45 euro [diferenca mes çmimit të pasaportës që kërkohet në konsullatë dhe atij të pasaportës së kërkuar në Shqipëri]. A mund të ma sqaroni, aq më tepër që thatë që do të lidheni online, sepse është një diferencë e madhe. Është çmimi i dy pasaportave. Në momentin që do të jetë online, si do të justifikohet diferenca prej 45 eurosh? Pra, nëse të dhënat do të transmetohen online, nuk do të ketë shërbime ekstra për t’i hedhur të dhënat në një disk dhe për t’i transportuar. Ministria do ta ketë postën, por e mbulon me taksën e vet. Pra, janë 45 euro mbi çmimin 40 euro që ka koncesioneri. Unë thashë, 1000 në muaj, në vit i thonë 600 mijë euro. Pra, 600 mijë euro në vit për një zyrë ekstra. Sikur ajo zyrë të ishte në Shqipëri, përveç faktit që zhvendoset dhe kostot e personelit… Unë po them se çfarë kosto ekstra ka koncesioneri, lëre se çfarë bën shteti. Shteti le ta vërë edhe 1000 euro, po të shkojnë në buxhetin e shtetit, por ky 85 euroshi shkon te koncesioneri. Ky është shqetësimi im, prandaj doja sqarime. E mira është që të ishte një ofertë e detajuar. Kur jepet një ofertë, jepet me zë, që kjo është kostoja ekstra, për shërbim interneti, për trajnim, për këtë etj. Pra, të zbërthehen. Në çdo ofertë ekonomie ka zbërthim të kostos”.

Por edhe zëvendës ministri Poni vazhdon të quajë më të mirën marrëveshjen e arritur me firmën koncesionare dhe më të arsyeshmin çmimin për qytetarët: “Është një çmim jashtëzakonisht i arsyeshëm dhe shumë i mirë. Ne shohim se sa paguajnë qytetarët dhe jo sa fitime po bën shteti. Edhe vetë shteti nuk mund ta bënte këtë marrëdhënie kaq të mirë, të arrirë dhe të konsoliduar teknologjike. Kjo kontratë është firmosur nga të dyja palët dhe unë sapo dhashë një sqarim për çfarë po ndodh. Kompania koncesionare nuk është se e ka pasur edhe aq qejf, por ka qenë insistimi i ministrit, Kryeministrit që ky proces të ndodhte në zyrat konsullore dhe në zyrat e tjera. Është skeptike të thuash nëse do të arrihen njëmijë aplikime në muaj, kur do të arrihen dhe nëse nuk arrihen çfarë do të ndodhë e kështu me radhë. Kjo është një marrëdhënie tregtare, ne nuk mund të themi se kush duhet të humbë dhe kush duhet të fitojë, siç ka ndodhur rëndom për një vit e gjysmë në kurriz të tyre”.

Lexo edhe: Pasaportat, kur do të nisë aplikimi në konsullata

Emigrantët dhe bankat: 1,5 milionë llogari bankare

Pasaportat. Kur do të nisë aplikimi në Konsullata