Deklarata e përbashkët e Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë mbi zgjidhjen e çështjes së toponimeve. “Gjatë periudhës tranzitore, deri në përgatitjen e dokumenteve të reja, do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve në kufirin e dy vendeve”
Romë, 13 maj 2014 – Ministria e Brendshme publikon një deklaratë të përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, me të cilën paralajmëron zgjidhjen e problemit të shkrimit të toponimeve greke në dokumentet shqiptare, që jo pak probleme u ka hapur vitet e fundit shqiptarëve emigrantë. Mbi këtë çështje duket se ministrat e Jashtëm janë ndalur “gjatë takimit tonë të fundit në Selanik, më 8 maj 2014, në kuadër të takimit të ministrave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.
Edhe pse në deklaratë parashtrohet se “natyrisht, është e qartë se përdorimi i ekzonimeve [emrat gjeografikë të një vendi tjetër të shkruar sipas gjuhës tënde], sipas praktikës së derisotme, nuk paragjykon sovranitetin apo integritetin territorial të vendit fqinj”, ministrat kanë rënë dakord në Bruksel ku janë takuar më 12 maj “se është e nevojshme që këto toponime të shprehen në një mënyrë uniforme, me qëllim që të shmanget konfuzioni që mund të krijohet nga format e ndryshme të përkthimit ose shqipërimit të emrit të një vendi të dhënë”.
Më në fund, ministrat vendosin t’u drejtohen “katalogëve zyrtarë që secili vend ka paraqitur tek mekanizmat përkatës në OKB [Kombet e Bashkuara kanë një ent të posaçëm që merret pikërisht me standardizimin e emrave gjeografikë – UNGEGN-United Nations Group of Experts on Geographical Names] dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe, veçanërisht, standardet ICAO [International civil Aviation Organization]”. Sepse pranohet se “janë mënyra më e sigurt dhe e duhur për zgjidhjen e kësaj çështjeje, që, megjithëse e thjeshtë, ka rezultuar me probleme të shprehura administrative për një numër të konsiderueshëm shtetasish”.
Deri më sot, këtë problem “të thjeshtë”, siç thuhet sot, e kanë vuajtur në radhë e kthime mbrapsht emigrantët. Mund ta vuajnë akoma deri në 1 janar 2015 kur ministrat kanë premtuar se kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht. Por, frika është se edhe zgjidhjen mund ta paguajnë gjithnjë emigrantët, kësaj here në parà, sepse mund t’u duhet të ribëjnë dokumentet “e reja” biometrike. Në fakt deklarata e përbashkët mbyllet me paragrafin: “Gjatë periudhës tranzitore, deri në përgatitjen e dokumenteve të reja, do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve në kufirin e dy vendeve bazuar në praktikën ekzistuese të “moratoriumit”. Ministrat angazhohen të ndërmarrin “të gjithë hapat/masat ligjore dhe administrative për zbatimin e kësaj procedure, jo më vonë se data 1 janar 2015”.
Të shpresojmë që ndonjë vendim qeverie të thotë se kjo frikë është e pajustifikuar, që nëse do të jetë e nevojshme të ndërrohen dokumentet e lëshuara kohët e fundit kjo do të bëhet jo në kurriz të qytetarëve. E mbi të gjitha të shpresojmë që çështja të zgjidhet vërtet, pasi që në shkurt, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Evangelos Venizelos, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati deklaronte: “Kemi gjetur gjuhën e përbashkët në parim për të konsideruar çështjen e toponimeve si një çështje të një karakteri të qartë teknik, dhe përsa na takon do të trajtohet si çështje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.