in

Pasaportat biometrike. Mbi 150 mijë lëshuar të miturve po skadojnë

Janë ato të lëshuara në prill 2009-korrik 2010, që në vend që të kishin afatin 5-vjeçar janë lëshuar për 10 vjet. Të shumtë ata që nuk e dinë. MPB: “Problemi i mbartur nga qeverisja e mëparshme”

Tiranë, 18 gusht 2015 – Është ngritur sërish në mediat shqiptare problemi i pasaportave të të miturve të lëshuara në periudhën prill 2009 – korrik 2010, që në vend që të ishin të vlefshme për vetëm 5 vjet siç parashikon ligji në këtë rast, kanë vlefshmëri të gabuar për 10 vjet. Nuk janë pak, siç dihet tashmë prej më shumë se një vit, është fjala për 156.231 pasaporta biometrike lëshuar të miturve nën 16 vjeç.

Të hënën, ministria e Punëve të Brendshme nëpërmjet një deklarate për shtyp sqaron sërish se “afati i vlefshmërisë së pasaportave për këtë kategori shtetasish është 5 vjet, në përputhje edhe me standardet ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit”. Por “në qeverisjen e shkuar” thekson ministria, “gjatë periudhës prill 2009 – korrik 2010, për këta shtetas janë lëshuar pasaporta me afat vlefshmërie të gabuar”.

“Me ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e 2013, Ministria e Punëve të Brendshme duke konstatuar problematikën, mori masa për menaxhimin dhe zgjidhjen e tij. – vazhdon komunikata – MPB propozoi shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave me një vit shtesë, duke i bërë këto pasaporta të vlefshme për 6 vjet, në mënyrë që t’u lihet kohë shtetasve të marrin masat për pajisjen me pasaportë të re biometrike. Propozimi i MPB-së është miratuar në Kuvend në prill 2014”.

Problemi që ngrihet sot është se shumë mbajtës të këtyre pasaportave me afat të gabuar, që shpesh janë emigrantë e bijtë e tyre, nuk kanë mundur të mësojnë që pasaporta që kanë nuk është e vlefshme edhe pse aty është shkruar që skadon në vitin 2019 apo 2020.

Pavarësisht se i kujt ishte gabimi, i qeverisë Berisha dhe jo i qeverisë Rama, qytetarët kanë të drejtë të mos pranojnë justifikimin e “gabimit të mbartur” pasi nuk e lëshojnë partitë pasaportën por qeveria shqiptare e ajo, e cilësdo ngjyrë politike qoftë, duhet të mbajë përgjegjësi për gabimin.

Dy rrugë kishte: ose ato pasaporta duheshin lënë të vlefshme deri në skadencën e shkruar në to, ose duhet të ishte bërë një fushatë e fuqishme informimi e qytetarëve në mënyrë që t’u jepej koha për ribërjen e pasaportës. Kjo e dyta nuk u bë e për këtë jemi dëshmitarë. As Bota Shqiptare, e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në Itali, dhe  as Shqiptariiitalise.com (që këtë lajm sidoqoftë e dhanë që prillin e vitit të shkuar kur MPB nxori në dritë këtë “gabim”) nuk u kontaktuan asnjëherë nga ministria e Brendshme për të sensibilizuar mbi këtë temë lexuesit.

E nëse qytetarët do të ishin lajmëruar në kohë, nuk mund flitej për dëm ekonomik pasi qoftë për pesë e qoftë për dhjetë pasaportat të njëjtin çmim kanë. E me thënë të vërtetën, kur qeveria (e mëparshmja e kjo e tanishmja) nuk pagoi haraç për ato mijëra pasaporta që për vite me radhë lëshoi me toponimi të gabuara, duke u hapur jo pak telashe emigrantëve, as që mund të mendohej se do të mbante përgjegjësi për këtë “gabimin” e afatit.

Qytetarëve nuk u mbetet veçse të shpresojnë që të mos ndërrojnë prapë pasaportë e t’i detyrojnë sërish të gjithë të pajisen me të re e të mos i ngrenë më çmimin kësaj të tanishmes. 

Lexo edhe:
150 mijë pasaporta biometrike lëshuar fëmijëve duhen ribërë

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lamtumirë Kapedan!

Të zhgënjyer nga Gjermania. Drama e azilkërkuesve zbret në Rinas