in

Pasaportat, pushime të hidhura Pashke për emigrantët

Për gjysmë milioni emigrantësh është rikthyer tortura e radhëve dhe e pritjes pa fund për verifikimin e identitetit për të aplikuar më pas për pasaportë

Me një qetësi për t’u pasur zili, qeveria njoftoi dhjetorin e kaluar se do të nxirrte të pavlefshme në mënyrë të parakohshme rreth gjysmë milion pasaporta që shqiptarët i kishin në duart e tyre. Këtyre gjysmë milion shqiptarëve iu kërkua të merrnin një pasaportë të re, me teknologji të re dhe natyrisht, më të shtrenjtë. Qeveria nuk e mori mundimin të japë ndonjë shpjegim se çfarë e shtynte të ndërmerrte këtë hap. Por burime të mirinformuara thonë se arsyet ishin thjesht tregtare. Kompania që prodhon kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, ALEAT, ka një koncesion që përfundon në vitin 2013. Pas mbarimit të koncesionit, do të duhet të kryhet transferimi i teknologjisë te Ministria e Brendshme. Për rrjedhojë, për gjysmë milioni shqiptarë që nuk i kanë ende pasaportat biometrike, paratë për pajisjen, 6 mijë lekë secili ose minimalisht 30 milionë dollarë në total, do të merreshin nga buxheti i shtetit. Por duke i nxjerrë të pavlefshme këto pasaporta që në mars të këtij viti, shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e kanë shansin të presin deri më 2013-n kur mbaron koncesioni, por do të detyrohen të paguajnë kompaninë private, e cila sakaq ka arkëtuar mbi 150 milionë dollarë nga shitja e mbi 2,5 milionë pasaportave dhe mbi 3 milionë kartave të identitetit.

Vendimi i qeverisë për anulimin para kohe të pasaportave u ndërmor pa asnjë shpjegim për ndonjë arsye të logjikshme se pse shqiptarët po detyrohen të paguajnë dhjetëra milionë dollarë. Në fund të fundit, qeveria ka bërë sakaq shumë keqbërje të kësaj natyre dhe nuk ka nevojë të krijojë ndonjë përrallë mbi të mirat e një vendimi të tillë.

Ndërkohë, nëpër të gjitha komisariatet e vendit janë kthyer radhët e shumta, njerëzit që bërtasin dhe që ankohen për vonesa të shumëfishta, ndërkohë që nëpër zyrat e kompanisë koncesionare përsëritet e njëjta gjë.

Makth për emigrantët

Disa mijëra emigrantë u kthyen këto ditë për pushimet e Pashkëve dhe disa dhjetëra mijëra pritet të kthehen për pushime vere. Shumë prej tyre nuk janë pajisur me pasaportë biometrike, sepse nuk e kanë pasur të nevojshme. Për ta, qeveria ka përgatitur një kurth perfekt, përfitimet e të cilave do t’i marrë koncesionari privat.

Emigrantët kanë të drejtë të përdorin pasaportën jobiometrike për të hyrë në Shqipëri, por jo për të dalë prej saj. Rrjedhimisht, me të mbërritur në pikën kufitare, detyrohen t’i kalojnë pushimet duke mbajtur radhë, ndërkohë që duke qenë se janë me pushime, nuk kanë kohë për të pritur procedurat e zakonshme. (…)

Shqipëria dha me koncesion prodhimin e dokumenteve të identitetit në vitin 2008, përmes një tenderi ku nuk munguan akuzat për favoritizëm dhe parregullsi. Për të fshehur problemet, kontrata koncesionare u klasifikua si sekret shtetëror dhe nuk u publikua kurrë. Me një ligj të veçantë shqiptarët u detyruan të paguajnë 1.200 lekë për një kartë identiteti dhe 6.000 lekë për një pasaportë biometrike. Ndryshe nga Shqipëria, Kosova kreu një tender ku kompanive private iu kërkua vetëm shërbimi i procedimit të të dhënave personale dhe prodhimit të pasaportave biometrike dhe qytetarëve të Kosovës, këto lloj pasaportash i kushtuan vetëm 11 euro copa, ose katër herë më lirë se sa Shqipëria.

Pasaportat biometrike premtonin një mrekulli të shtrenjtë për shqiptarët, mes të cilave, fundin e manipulimeve zgjedhore me dokumente të rreme dhe fundin e radhëve e sorollatjeve. Katër vjet më pas, këto mrekulli nuk ndodhën. Në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor pati akuza të shumta për lëshimin e kartave të identitetit me të dhëna të falsifikuara, ndërsa vjedhja e identitetit u bë një fenomen i përsëritur gjatë muajve të fundit. Për rrjedhojë, këtë vit Ministria e Brendshme riktheu procedurën e identifikimit të aplikantëve nga rrjeti i komisariateve, e cila kërkon shpesh shumë ditë radhë e që me raste, kërkon ndonjë lek nën dorë për ta përshpejtuar.

Të gjitha këto tortura, shqiptarëve po u imponohen nga qeveria e vet, për llogari të një kompanie koncesionare tërësisht private.

Nga Gjergj Erebara, lexo artikullin e plotë në Shqip

Lexo edhe:

Lega Nord. “Cellulari per noi! Cellulari per voi”

Çiljeta Xhilaga në koncert live në Romë