in

Pensionet e emigrantëve. Marrëveshje Gjermani-Shqipëri për njohjen e viteve të punës

Kush ka periudha sigurimesh shoqërore në të dyja vendet, tani mund t’i mbledhë ato për efekt pensioni. Akoma asgjë e re në këtë aspekt nga Italia apo Greqia ku jetojnë pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë

Tiranë, 25 shtator 2015 – Pas një viti kontaktesh të vazhdueshme mes qeverisë shqiptare me atë gjermane, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe Sekretari i Shtetit Gjerman, Jörg Asmussen, kanë nënshkruar më 23 shtator në Tiranë marrëveshjen për “mbrojtjen sociale” që mundëson njohjen e periudhave të punës dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore në të dyja vendet për efekt të përllogaritjes së pensioneve.

Sipas Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në Tiranë, nga kjo marrëveshje mund të përfitojnë rreth 15 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe kanë bërë derdhjen e sigurimeve sociale për efekt pensioni. “Përmes kësaj marrëveshjeje ne u japim atyre të drejtën që këto pensione të njihen në të dyja vendet dhe përllogaritja e kontributeve dhe e viteve të punës të mos humbasin”, tha pas nënshkrimit të marrëveshjes ministri Klosi.

“Kjo është një ditë shumë e gëzuar për të gjithë emigrantët shqiptarë në Gjermani, ata të cilët kanë punuar prej shumë vitesh në Shqipëri e tashmë vazhdojnë të punojnë në Gjermani, apo ata që kanë punuar në Gjermani dhe tani janë kthyer në Shqipëri – sqaroi ministri kategoritë e shqiptarëve që përfitojnë nga marrëveshja. – Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ne u mundësojmë atyre që këto vite pune e kontributesh të mos u shkojnë dëm por të jenë të gjitha të vlefshme për pensionin”.

Marrëveshja bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punonjësve. “Rregullat e nënshkruara në marrëveshje garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe familjarët në ngarkim dhe të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke u fituar. Bashkimi i periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme do të merren në konsideratë për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre”, shtoi ministri Klosi.

Në dhjetor të vitit 2013, një marrëveshje e tillë u nënshkrua me Belgjikën, ndërsa me disa vende të tjera vazhdohet të negociohet në këtë aspekt. Synimi i MMSR-së për këtë proces të rëndësishëm është rritja e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes shoqërore veçanërisht me vendet fqinje Itali dhe Greqi, ku jeton edhe pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, por fatkeqësisht asgjë nuk është arritur deri tani.

Eurostat: 17.665 shqiptarë kanë kërkuar azil në BE gjatë tremujorit të dytë 2015

Shtetësia italiane. Automatikisht të lindurve në Itali nëse prindërit kanë kartën e qëndrimit