“U thye një tabu. Sot filluam të flasim”. U nisën bisedime në nivel ministrish, por në këtë drejtim rruga është e gjatë dhe e vështirë me vende si Italia e Greqia. Është i vetëdijshëm edhe ministri Veliaj që për premtimet elektorale, veçanërisht shkollat shqipe, të drejtën e votës dhe pensionet, thotë për Shqiptarin e Italisë se “është herët për të bërë bilanc. Por nëse deri dje as që flitej për pension, sot unë jam në Romë për të diskutuar me homologun italian mbi këtë çështje. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë edhe prova që edhe premtimi ynë kryesor mbi votën e emigrantëve do ta mbajmë”.
Çështja e pensioneve të shqiptarëve në Itali, për herë të parë ka qenë në qendër të vëmendjes. Në nivel institucional, në një takim të posaçëm ministrit shqiptar të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, me homologun italian Giuliano Poletti, dhe në takimin e hapur që Veliaj mbajti në Romë me komunitetin.
“Sot ne kemi arsye për të qenë entuziastë, kemi thyer një tabù. Çështja e pensioneve të emigrantëve në Itali është një çështje që është neglizhuar për 23 vite. Sot filluam të flasim. Kemi gjithashtu një konkluzion konkret, secila palë do të përgatisë një raport që do të përmbajë pretendimet që ne kemi për shifrat përkatëse të qytetarëve italianë dhe shqiptarë në vendet tona dhe të dimë koston financiare për këtë operacion. Ky është një hap i parë shumë i mirë dhe pasi të përballemi me pasqyrat që secila ministri do të sjellë, gjykoj që sot kemi bërë një hap shumë të mirë përpara”, janë fjalët e ministrit Veliaj pas takimit me homologun italian.
Por ta themi që në fillim, asgjë nuk është arritur, është hedhur vetëm një hap, shumë i vogël, në rrugën e gjatë e të përpjetë të njohjes së viteve të punës në Shqipëri për emigrantët në Itali. Për këtë është i vetëdijshëm edhe ministri Veliaj. Mbetet sidoqoftë pozitive thyerja e tabusë, nisja e diskutimit mbi këtë çështje. “Që pala shqiptare, – siç shpjegon ministri për Shqiptari i Italisë, – ka nisur me “agresivitet” me vende të ndryshme të BE-së, madje edhe ka përmbyllur me sukses me disa prej tyre”.
Shqiptari i Italisë: Zoti ministër të shkojmë drejt e në thelb, ç’po bëhet për pensionet e emigrantëve?
Ministri Erion Veliaj: Po e nis me lajmet pozitive. Me Belgjikën, jo vetëm kemi mbyllur negociatat por edhe kemi firmosur e kemi ratifikuar në Kuvend marrëveshjen, praktikisht që vitin e ardhshëm marrëveshja hyn në fuqi e mund të përfitojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë ate.
Mund të them se lidhur me pensionet po punojmë në të gjitha frontet. Nga njëra anë po reformojmë sistemin e pensioneve në shtëpi, nga ana tjetër po tregohemi shumë “agresivë” në lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe mbi mbrojtjen sociale qoftë me vendet e BE-së qoftë me të tjera.
Këtë muaj mbyllim marrëveshjen me Kanadanë që është një lajm shumë i mirë për emigracionin shqiptar në atë vend.
Për t’u kuptuar, nuk zgjedhim ne me kë të lidhim më parë marrëveshje. Fakti është që vende që nuk vuajnë krizën ekonomike i kanë negociatat më të thjeshta, me dy ose tre takime që mund të jenë me peridicitet një në vit apo një në tre muaj e ne po ecim me këtë ritmin e fundit. Sepse në dallim me ç’kanë bërë qeveritë e mëparshme, i kemi hyrë seriozisht zgjidhjes së këtij problemi dhe po tregojmë maksimumin e interesit.
Kemi shprehur dëshirën tonë për këto marrëveshje me 28 vendet e BE-së e sapo një vend na përgjigjet ne nisim menjëherë negociatat. Pra dua të them se nuk jemi ne që i japim përparësi një vendi apo një tjetri. Si ministri jemi gati t’i lidhim që nesër me të 28 vendet, por këto negociata janë si tangoja, që nuk mund ta kërcejmë vetëm, na duhet edhe pala tjetër që në rastin tonë janë vendet e tjera.
Italia, për shembull, duke qenë në krizë ekonomike, dekadën e fundit nuk ka lidhur asnjë marrëveshje të tillë, jo vetëm me Shqipërinë por me asnjë vend të botës. Sepse institucionet italiane janë kujdesur të stabilizojnë financat publike. Në këtë situatë ne kemi detyrë të bëjmë mirë e me forcë 50% të punës që varet nga ne që në fakt është shumë më e mirë se më parë kur as nuk kishte kalendar.
Deri tani kemi mbyllur me Çekinë, Rumaninë, Luksemburgun, me Maqedoninë jemi në mbarim e sipër. Veç këtyre edhe Kanadanë dhe Belgjikën që kujtuam më lart. Kemi nisur negociatat me Austrinë, Spanjën, Bullgarinë
Duhet të themi se deri para tetë muajve ishim në nivelin 0 nuk ekzistonte asnjë nga këto marrëveshje. E di që ndonjë cinik mund të thotë se këto janë vende të vogla me emigracion të ulët shqiptar e për rrjedhojë të parëndësishme në zgjidhjen e problemit. E vërtetë që në këto vende ka relativisht pak emigrantë shqiptarë por këto marrëveshje të arrira deri më sot na rrisin argumentin ndërsa ballafaqohemi mbi të njëjtën temë me vende të tjera si Italia apo Greqia. Sepse kur ulemi të negociojmë me to u themi se të tilla marrëveshje i kemi edhe me gjashtë vende anëtare të BE-së, fakt ky që rrit kredibilitetin tonë si palë që kërkon të arrijë këtë gjë me lojtarë edhe më të mëdhenj. Ndaj unë them që rëndësia e marrëveshjeve të lidhura deri më sot është e madhe, natyrisht edhe për ata pak emigrantë që jetojnë aty, aq sa janë, por veçanërisht për të forcuar pozitat tona kur bëjmë këto negociata me vende të rëndësishme si Italia e Greqia. Pra dua t’ju them se ne kemi hapur 28 fronte njëkohësisht, puna është se duhet bindur edhe pala tjetër se kjo është çështje e dobishme shoqërore.
Dua të them edhe një gjë. Në negociatat me Italinë nuk jemi vetëm ne që kërkojmë marrëveshjen dypalëshe mbi pensionet. Janë edhe komuniteti italian që punon sot në Shqipëri. Mijëra persona që duan që ato vite pune t’u njihen edhe këtu në Itali. Ministria jonë ka dhënë këtë vit rreth 19 mijë leje pune për italianë të punësuar në Shqipëri. Kjo do të thotë që presioni që ushtrojmë mbi institucionet italiane tani është i dyanshëm jo vetëm nga shqiptarët e Italisë por edhe nga italianët e Shqipërisë.
Kush janë italianët e Shqipërisë?
Gabimisht, kur flitet për italianët në Shqipëri mendohet vetëm për ata që kanë bizneset e veta. Nuk është kështu, ka shumë që punojnë në sektorin bankar, në bankat Sanpaolo dhe Veneto, ka shumë që punojnë për bizneset italiane por që janë pjesë e stafit, jo sipërmarrës. Gjatë panairit të punës, përshembull, kishte të rinj italianë e portugezë që filluan punë në call center meqë studiojnë në Shqipëri te Zoja e Këshillit të Mirë e punojnë part time. Ka shumë kuzhinierë italianë që punojnë në restorantet e hapur nga shqiptarë që janë kthyer nga Italia, për shembull, e që kanë punësuar italianë.
Një nga premtimet tuaja ka qenë vota e emigrantëve nga atje ku jetojnë. Ç’po bëhet në këtë aspekt?
Është premtim dhe mbetet projekt i yni për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, patjetër. Kjo do të na mundësonte disa gjëra në favor të emigrantëve. Nëse ne do të kemi në parlament përfaqësues të zonave elektorale Itali e Greqi, për shembull, ata do të lobojnë për interesat e zgjedhësve të tyre, siç ndodh sot që deputetët lobojnë për zonën e tyre elektorale. Për t’u shpjeguar më mirë: një nga kritikat që pata kur u ndanë fondet e rajoneve ishte “Si ka mundësi që Gjirokastra mori katër projekte ndërsa vende të tjera asnjë”. U mbrojta duke thënë se kjo është “job description”, detyra e një deputeti, të lobojë për zonën e vet. Për zonat e tjera duhet të lobojnë me forcë deputetët e zgjedhur atje. Me këtë logjikë unë them se kur komuniteti shqiptar në Itali të ketë në parlamentin shqiptar përfaqësuesin e vet ai do të këmbëngulë me ministrin e punës, kushdo qoftë ai që të ndjekë sa më mirë çështjen e marrëveshjes, në këtë rast. Pra mendoj se me përfaqësimin e emigrantëve në Kuvend do të kemi një kujdes konstant ndaj tij që nuk do të varet më nga dashamirësia e ndonjë deputeti.
Kosova ka gjashtë vjet shtet dhe kosovarët që janë jashtë votojnë për Kuvendin e tyre, ndërsa shqiptarët akoma jo. Se e shpjegoni këtë gjë?
Që politika kosovare mori vendimin e duhur. Por ju them se edhe ne e kemi marrë vendimin tonë. E kam të vështirë të përgjigjem për çfarë ndodhte deri para tetë muajve. Unë ju them vetëm që pas tre vjetëve edhe shqiptarët do të votojnë nga vendet ku jetojnë. Ne po vlerësojmë disa opsione. Natyrisht votimi klasik me postë është një prej tyre dhe me kosto të arsyeshme, sigurisht edhe votimi pranë komunave italiane është një tjetër opsion që e kanë bërë disa vende të tjera e gjëja pozitive e këtij lloj votimi është që njerëzit janë të mësuar të shkojnë në një vend fizik për të votuar. Por meqë teknologjia po ecën shumë shpejt, e meqë shqiptarët tashmë kanë pasaporta biometrike edhe votimi online është një tjetër opsion i mirë dhe i sigurt.
Mazhoranca jonë e ka marrë vendimin e saj politik me kohë, kur të nisin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme një nga pikat që do të shqyrtojmë është pikërisht zgjedhja e opsionit më të mirë për mënyrën e votimit nga emigrantët.
A ka qeveria një vizion për emigrantët që po kthehen në Shqipëri?
Qeveria ka ofruar një paketë lehtësirash për biznesin. Për shembull për ata që janë investitorë fasonësh, Shqipëria është kthyer në një vend shumë atraktiv. Cilido shqiptar, pra edhe të kthyerit, që dëshiron të hapë një biznes të vogël, që do të thotë vende pune, ka mbështetjen e Fondit të Punësimit që subvencionon me 12 muaj sigurime shoqërore dhe me 4 rroga çdo punonjës të ri të punësuar plus këtu edhe ndihma të tjera nëse punëson të rinj apo persona me aftësi të kufizuara. Kjo është për ata që kthehen e hapin një punë, ndërsa për të gjithë ata që kthehen e aplikojnë për punë vlejnë të gjitha rregullat e vlefshme edhe për shtetasit e tjerë. E nuk mund të jetë ndryshe pasi për një vend pune nuk mund të diskriminohet një shqiptar për një tjetër. Unë di që shumë prej të shkolluarve mirë në Itali kanë fituar konkurse e zënë sot vende të rëndësishme në administratën shtetërore. Për shembull, Ismail Ademi është sot drejtor i Fondit të Konvertimit të Borxhit me Italinë. Por ka edhe shumë anëtarë të kabinetit që kanë studiuar në Itali, janë kthyer e sot janë të angazhuar në Shqipëri. Por unë nuk dua të trajtoj emigrantët si mish i huaj, si diçka më vete. Kush është i zoti, nga diaspora apo Shqipëria, e ka treguar veten e ka çarë qoftë në biznes, në media e administratë.
Po për mësimin e gjuhës shqipe nga bijtë e emigrantëve çfarë po bëhet. Në Itali është akoma në bazë vullnetarizmi, në dorë të shoqatave që që bëjnë një punë të admirueshme për nga vullneti i mirë e këmbëngulja. Por shkollat janë të një niveli jo të mirë, ndoshta ndonjë edhe më keq se në fillimet e veta.
Kjo çështja e shkollave shqipe në emigracion varet nga ministria e arsimit por dua të them diçka në këtë aspekt. Personalisht, edhe si ish emigrant, kam dashamirësinë maksimale që për mësimin e gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë të bëhet më shumë. Por duhet mbajtur parasysh që kemi gjetur një situatë financiare shumë të vështirë. Gjetëm ndihmë ekonomike të papaguar prej muajsh, kompensime për aftësinë e kufizuar të papaguara prej muajsh, të përndjekur të papaguar prej vitesh, dhe këtyre u është dhënë përparësia. Unë mendoj se duhen vlerësuar shumë të gjithë ata që po merren në mënyrë vullnetare me mësimin e gjuhës shqipe dhe që në momentin e parë të tregohet ndaj tyre vëmendje financiare. Dua mirëkuptimin e emigrantëve për vështirësitë ekonomike në të cilat gjendemi. Do të tregojmë më shumë vëmendje, edhe financiare ndaj këtyre problemeve sapo të shëndoshim pak ekonominë e vendit. Unë jam i bindur se emigrantët, që kanë në Shqipëri njerëzit e tyre që kanë nevojën e pensionit, të marrin ndihmën ekonomike apo kompensimin e për aftësitë e kufizuara, e çmojnë faktin se qeveria i ka dhënë përparësi zgjidhjes së problemeve të atyre që jetojnë në Shqipëri. Me siguri kur ministria e Arsimit të bëjë buxhetin e vitit të ardhshëm, pasi të ketë shlyer borxhet e gjetura, mund të caktojë një pjesë të vogël të tij për shkollat shqipe në emigracion por për këtë vit të parë të qeverisjes tonë kjo gjë ishte e pamundur.
Zoti ministër, mos vallë kanë qenë të tepruara premtimet elektorale?
Aspak. Para së gjithash dua të sqaroj se nuk kemi premtuar se do të zgjidhnim gjithçka për tetë muaj. Bilanci i tanishëm që ju mund t’i bëni punës tonë është i nxituar, nuk ka kaluar as një e pesta e mandatit tonë.
Së dyti, fakti që unë jam sot këtu është pjesë e përmbushjes së premtimeve tona për vëmendje të veçantë ndaj imigracionit. Deri dje as që flitej për pension, sot unë jam në Romë për të diskutuar me homologun italian mbi këtë çështje. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë edhe prova që edhe premtimi ynë kryesor mbi votën e emigrantëve do ta mbajmë.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Nga takimi në Romë: