in

Për çfarë jeni krenar zoti Rama?

Nga Mark MARKU

Kryeministri Rama mund të kishte shprehur dje gjithfarë sentimentesh: indinjatë për masakrën e ndodhur, dhimbje për viktimat e shkaktuara, shqetësim për gjendjen e rendit dhe pasigurinë e qytetarëve të tij, mëri për deputeten e PS-së që me statusin e deputetes apo forma të tjera korruptive kishte ndikuar vendimet e Gjyqësorit, përgjegjësi për faktin që një gjykatës i vendit që ai qeveris kishte dënuar me dy vjet burg një të akuzuar për vrasje, i cili, pasi del nga burgu gjendet i akuzuar si shkaktar i katër vrasjeve të tjera…

Vetëm krenari nuk duhej të kishte shprehur. Madje as për arsye etike politike ai nuk kishte pse t’i shprehte kaq shumë solidaritet deputetes së vet që qante para syve të tij teksa jepte dorëheqjen, akt ky i vetmi normal në gjithë këtë histori të tmerrshme dhe indinjuese. Kryeministri Rama duhej të shprehte solidaritetin e tij me qytetarët e vendit të tij të tromaksur nga masakra e një dite më parë. Kishte plot arsye që ai t’u gjendej pranë qytetarëve të vet pasi masakra nuk kishte ndodhur rastësisht sikur në këtë pleksje rrethanash të mos ndodhej pikërisht deputetja e tij e dorëhequr dhe për të cilën ndihej krenare, e zgjedhur po prej tij si kandidate për deputete fill pas implikimit të saj dhe familjes së saj në një histori të dhimbshme me pasojë vdekjen e një qytetari dhe lirimin e të akuzuarit kryesor për ngjarjen. Tek e fundit, Kryeministri i një vendi që synon të ndërtojë shtetin ligjor nuk duhet të ndihet krenar për cilindo qytetar që bashkëpunon në fshehjen e një krimi duke korruptuar njëherësh sistemin e drejtësisë, e jo më për deputeten e vet.

Masakra e djeshme, ku u vranë katër qytetarë dhe u plagos një i pestë, mund të mos kishte ndodhur nëse i dyshuari kryesor për vrasjen e viktimave, Kostandin Xhuvani, do të ishte duke kryer dënimin për një krim tjetër të kryer po nga ai vetëm dy vjet më parë. Nëse prokuroria dhe gjykata do të kishin qenë prokurori dhe gjykatë që i shërben ligjit, me siguri Kostandini do të ishte dënuar aq sa ç’e meriton të dënohet një njeri që kryen një vrasje, e pakta njëzet vjet burg. Por ja që Drejtësia jonë nuk është e tillë dhe Kostandini, i akuzuari për vrasjen, nuk ishte një djalë i zakonshëm që kryen një krim, por djali i deputetes së PS-së, Luiza Xhuvani. Me statusin e deputetes ajo ka ndikuar mbi trupin gjykues dhe prokurorin e çështjes që djali i saj i akuzuar për vrasjen e një adoleshenti të merrte të njëjtën masë dënimi që meritonte një njeri që kishte vrarë një rosë në një rezervat ku ndalohej gjuetia.

Është pra e shpjegueshme pse opinion publik, i shprehur nëpërmjet mediave sociale, ka shpërthyer në një irritim të pazakontë për masakrën e djeshme.  Ka parë në këtë masakër pikërisht atë që duhet të shohë, autorët e vërtetë të masakrës së djeshme: disa adoleshentë që kanë qëlluar mbi viktimat duke u shkaktuar vdekjen atyre, një trup gjykues, një prokuror që ka ndjekur çështjen dhe një deputete të PS-së. Dhe që opinioni publik të qetësohet dhe të mos bjerë në një depresion të pashpresë, duhet që kjo çështje të mos trajtohet më si një vrasje e thjeshtë, si mijëra vrasjet që ndodhin në këtë vend. Duhet që së fundi të ndodhë ajo që duhej të kishte ndodhur me mijëra raste të tilla: të përfshihen në hetim të gjithë autorët e vërtetë të krimit.

Një hetim real i rrethanave të masakrës kërkon hetim të pakompromis të të gjithë zinxhirit të rrethanave që e prodhuan atë. Krijuesit e këtyre rrethanave janë të gjithë të sipërpërmendurit: prokurori, gjykatësi dhe deputetja socialiste që ka ushtruar presion ndaj tyre për të mos zbatuar ligjin. Për këtë arsye duhet që para drejtësisë të paraqiten bashkë me ekzekutuesit edhe prokurori, edhe gjykatësi, edhe deputetja socialiste, madje edhe avokati i çështjes. Vetëm kështu opinioni publik mund të gjejë pak qetësi dhe pak shpresë se në këtë vend qytetarët e pafajshëm nuk janë të dënuar të jetojnë me të fajshmit, se jeta e tyre respektohet nga drejtësia e vendit të tyre më shumë se jeta e një rose, se jeta e tyre mbrohet me ligj, se ligji nuk dhunohet nga ata që duhet ta mbrojnë më shumë: prokurorët, gjykatësit deputetët.

Besoj ka ngelur shumë pak durim te qytetarët për të dëgjuar deklarata të tjera propagandistike nga Kryeministri Rama dhe ministri Tahiri për vendosjen e rendit publik dhe për reformimin e Drejtësisë. Drejtësia dhe rendi publik nuk vendoset me propagandë. Sepse besoj edhe ata tashmë e kanë kuptuar se sa shpejt shfryhen tullumbacet e propagandës nga plumbat e krimeve. Kryeministri Rama do ta ketë të vështirë të bindë njeri se e ka me gjithë mend reformimin e sistemit gjyqësor nëse nuk ndëshkon të parët deputetët e tij që komprometojnë sistemin gjyqësor. Deri tani e ka kamufluar futjen e disa të inkriminuarve në Parlament me nevojën për vota. Por fakti është fakt dhe tashmë njerëzit kanë të drejtë të pyesin: Me çfarë çmimi i ka kërkuar zoti Rama votat dhe me çfarë çmimi është gati ta mbajë rreth vetes shumicën e fituar? Me çmimin e shkeljes së ligjit? Me çmimin e jetës së qytetarëve? Me çfarë?

Jashtë përgjegjësisë së këtij rasti nuk përjashtohet as Presidenti Nishani. Është detyrë e tij që të mbledhë urgjentisht Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe të marrin në shqyrtim gjykatësin dhe tërë trupin gjykues që ka gjykuar rastin e vrasjes së dy vjetëve më parë për të cilën është akuzuar Kostandin Xhuvani. Kryeministri Rama, ministri Naço dhe ministri Tahiri duhet të nxisin institucionet e varura prej tyre që të nisin një hetim për gjykatësin që e ka liruar të dyshuarin. Gjykatësi duhet të jetë vetë një i dyshuar për vrasje. Dhe deputetja socialiste nuk duhet trajtuar një nënë që si gjithë nënat e botës ka synuar të zbusë implikimin e të birit në një vrasje, por si bashkëpunëtore në fshehjen e një pjesëmarrësi në krim. Vetëm nëse nis një gjykim i tillë do të mund të kemi ende shpresë se mund të jetojmë në një shtet ku sundon ligji. Vetëm në këtë rast opinioni publik do të gjejë pak prehje.

Gazeta Panorama

Zbardhet ekspertiza e 4 vrasjeve. Të gjithë plumbat kaluan nga Edison Jaho

Parahistoria e luftës dhe e “çlirimit”