in

Për ndeshjen që vazhdon

Nga Ardian VEHBIU

Nuk e pashë lojën (atë gjysmë loje) Serbi-Shqipëri, por ndoqa më pas disa prej videove të shumta që qarkulluan, ku dëshmohej dhuna krejt haptazi, më parë verbale pastaj edhe fizike, e turmës së tifozëve serbë kundër lojtarëve të Shqipërisë dhe ngjyrave të kombëtares shqiptare.

Një dhunë që më kujtoi, edhe pse nuk kisha nevojë, sa i shëmtuar mund të bëhet nacionalizmi i organizuar, kur vihet t’u ofrojë alibi instinkteve shtazarake të njerëzve që jetojnë të kapur peng nga miti, ose më mirë përralla e tyre etnike.

Në këtë prizëm, nuk e kuptoj deklaratën e kreut të FIFA-s, Blatter-it, se “futbolli nuk duhet të përdoret për mesazhe politike”; nuk e kuptoj sepse futbolli është gjithnjë edhe politikë, sa kohë që angazhon turma nën simbole etnike; sepse në ndeshje të tilla si Serbi-Shqipëri futbolli nuk mund të jetë veçse politikë; dhe sepse ai stadium ku u fut të luante kombëtarja e Shqipërisë nuk ishte arenë e një feste sportive në Europë, por një ferr anti-shqiptar i organizuar rrathë-rrathë, me parulla politike fashiste (“vdekje shqiptarëve”) dhe ku tifozeria shqiptare nuk ishte lejuar të futej nga policia – ose nga po ajo polici që dështoi të vinte nën kontroll incidentet që pasuan.

Dhe këtu i vjen radha edhe të ashtuquajturit “flamur”, që për disa shërbeu si shkëndija shpërthyese e fuçisë së barutit.

Të gjithë e pamë në ekran – më shumë se flamur, ishte fjala për një hartë të Shqipërisë Etnike, të pikturuar në pëlhurë; dhe të shoqëruar nga foto të dy figurave kyçe të Pavarësisë së Shqipërisë: Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit; dhe një mbishkrim naiv në anglishte.

I kujt ishte ky flamur, pra?

Shqipëria dhe Kosova kanë flamujt e tyre shtetërorë; ndërsa ai kombëtar i shqiptarëve është kuqezi, me shqipen dykrenare.

Ky që u valëvit mbi stadium nuk ishte aq flamur, sa projeksion i një dëshire foshnjore të nacionalizmit shqiptar; dhe shëmtitë që është në gjendje të prodhojë nacionalizmi folklorik i turmave i pamë mbrëmë, edhe një herë, te serbët – interpretues virtuozë të kësaj histerie kolektive.

“Flamuri” nuk mund të dallohej si i tillë nga tifozët – por vetëm në ekran. Ngaqë kishte të shkruar një fjalë anglishte (“authochthonous”), dukej se i drejtohej publikut ndërkombëtar, televiziv. Harta e Shqipërisë etnike, që ishte vizatuar atje, nuk është simbol kombëtar i shqiptarëve – dhe ata që e quajnë kështu, duan t’ia dorëzojnë ndjenjën kombëtare, ose shqiptarinë, skalioneve kombëtariste ekstreme, të cilat nuk mungojnë mes shqiptarëve, dhe veçanërisht mes tifozerisë.

I parë nga afër, objekti i valëvitur mbi fushë dukej si projekt punë-doreje i ndonjë nxënësi të së mesmes: me hartë dhe foto historike. Ndonjëri mund ta quajë edhe instalacion: le ta shëtisim pra bienaleve, dhe ta heqim nga pjacat dhe picat e nxehta të politikës!

Përndryshe lojtarët tanë në fushë e mbajtën veten mirë dhe treguan profesionalizëm dinjitoz; kushedi me përjashtim të njërit që u sul “të mbronte flamurin”, ose “të mos e lejonte serbin…” etj.; natyrisht, lojtarët serbë kishin të drejtë të hiqnin nga fusha një objekt që po pengonte lojën; por, në atmosferën e rëndë të krijuar në stadium, ku mijëra vetë thërrisnin për vdekje të shqiptarëve dhe ku asnjë flamur yni nuk ish lejuar të valëvitej “në emër të sigurisë”, edhe një gjest në dukje foshnjor, nëmos histerik, e merr racionalitetin që përndryshe do t’i mungonte.

Si edhe herë të tjera, dyshi në sjellje dhe profesionalizëm u shkon mediave në Tiranë – të cilat mbetën në nivelin e “radio tifozeria shqiptare”; celebruan “flamurin” dhe “betejën në fushën e sportit”, përfshi edhe “grushtin e Lorikut”; dhe pastaj gëzuan bashkë me të tjerët, për diçka që nuk kish arsye të gëzohej: “fitoren”.

Nuk di ç’kanë bërë me këtë rast mediat e Beogradit, por e marr me mend.

FIFA dhe UEFA mbajnë përgjegjësi kryesore për çfarë ndodhi; dhe sidomos për çfarë mund të ndodhte. Marrëzia e turmës së tifozëve serbë mund të kish shkaktuar edhe viktima – mes futbollistëve të Shqipërisë. Duke qenë klima në Beograd e mirënjohur anembanë Europës, së bashku edhe me traditën brutale të tifozerisë serbe, kjo ndeshje nuk duhej të lejuar që të luhej në Beograd; dhe as u duheshin bërë lëshime pastaj forcave të rendit atje dhe anti-mikpritjes të vendësve, në emër të sigurisë.

Sa për palën tonë, bën mirë ta harrojë sa më shpejt “flamurin” dhe sentimentalizmin juvenil të “mbrojtjes së flamurit” – pse ajo pëlhurë me harta të ngjyrosura dhe fotografi shkollore, që u shpalos në stadiumin e Beogradit nuk i përfaqëson shqiptarët si komb; por është edhe ajo nën-produkt, nëse mund të shprehem kështu, i klimës nacionaliste toksike, që shoqëron eventet futbollistike.

Ka qarqe të caktuara, në Serbi, në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, që do t’i hipin ngjarjes së mbrëmshme si të ishte kalë, për ta kalëruar politikisht. Asgjë e mirë nuk do t’u vijë shqiptarëve nga kjo, sikurse nuk u ka ardhur serbëve vetë, që prej një shekulli. Përkundrazi, kemi shans të tregojmë, edhe një herë, se nuk na mungon as qytetërimi as largpamësia, dhe të përpiqemi ta përdorim, edhe këtë incident, për t’i treguar botës, madje edhe serbëve vetë, se refuzojmë të mbetemi peng i historisë së dhunshme të Ballkanit. Kushedi atëherë edhe Europa do t’i këshillojë fqinjët tanë kaq të prapambetur dhe brutalë, që të kthejnë sytë nga Shqipëria, për të marrë mësime.

Marrë nga blogu Peizazhe të fjalës

“Agli extracomunitari è vietato sedersi” A Padova arrivano i dissuasori

Grosseto. Vrasësi i Klevis Kukës dënohet me rreth 15 vjet burg