Digjitalizohen shërbimet konsullore të Shqipërisë. Prej disa javëve është e mundur që për to të aplikohet online, madje shumë prej shërbimeve mund të merren pa qenë nevoja të shkohet në Romë, Milano apo Bari
Romë, 9 mars 2017 – Nga 15 janari 2017 deri më 8 mars 2017 në zyrën konsullore të Shqipërisë në Romë dhe në konsullatat e përgjithshme të Shqipërisë në Milano e Bari janë dhënë 5.115 shërbime konsullore. Më saktësisht, në Romë, janë bërë 1.112 aplikime; në Konsullatën e Përgjithshme në Milano, 3.638 aplikime; në Konsullatën e Përgjithshme në Bari, 365 aplikime. Është herë e parë që nga Ministria e Jashtme arrijmë të marrim të dhëna kaq të freskëta (shifra e kërkuar ministrisë nga Shqiptariiitalise.com më 8 mars, u dha pas pak orësh pasditen e të njëjtës datë) dhe kaq të sakta. Merita është e gjitha e platformës së re Shërbimi Konsullor Online, SHKO, që është futur në funksionim prej 15 janarit 2017, përmes së cilës kalon çdo shërbim i ofruar nga konsujt e Shqipërisë në të katër anët e botës.
Si ishte deri tani? Sikur të mos e dimë e që askush të mos ndihet i fyer prej nesh, po e themi me fjalët e vetë ministrit të Jashtëm Bushati: “Fatkeqësisht, për dekada me radhë, shërbimi konsullor ishte në një amulli totale. Korrupsion, radhë të gjata, dokumentacion i mbajtur si mos më keq në qitapë të dalë nga pluhuri i një epoke të paharruar. Shërbim i atrofizuar dhe në amnezi institucionale, shëmbëlltyrë e një tranzicioni konstant. Korrupsioni ka fytyrë. Deri dje ai mbante fytyrën e konsujve të korruptuar që shfrytëzonin gjendjen komatoze të shtetit për përfitime personale, në kurriz të qytetarëve, të dorëzuar para faktit se nuk i deshën as në atdhe dhe nuk i duan as jashtë atdheut”.
SHKO është një revolucion në shërbimin konsullor, që nga njëra anë duhet t’u lejojë qytetarëve një akses më të lehtë, më të shpejtë dhe me më pak shpenzime në shërbimet konsullore, nga ana tjetër të uniformojë praktikat konsullore të përfaqësive të vendit në mbarë botën dhe të mundësojë që çdo shërbim të jetë i gjurmueshëm qoftë nga qytetari (përmes kodit që i jepet pas përfundimit me sukses të çdo aplikimi) qoftë nga vetë ministria e Jashtme e zyra të ndryshme të administratës publike.
Praktikisht çdo shërbim i konsullatave të Shqipërisë nëpër botë mund të kërkohet online, mjafton të kesh një kompjuter, një lidhje interneti dhe një adresë poste elektronike. E natyrisht të kesh disa njohuri bazë të lundrimit në ueb, përndryshe duhet gjetur dikush që të japë një ndihmë, ose duhet vazhduar të shkohet drejtpërdrejt në konsullatë. Në plaformën SHKO arrihet përmes faqes internet të ministrisë së Brendshme të Shqipërisë si edhe nëpërmjet portalit e-Albania. Për disa shërbime, pas aplikimit online është e nevojshme të shkohet në konsullatë për të pasur shërbimin e nevojitur e për këtë do t’i jepet takim qytetarit gjithmonë përmes komunikimit me postë elektronike. Ai i pajisjes me pasaportë biometrike, për shembull, është një prej rasteve kur prania e qytetarit para konsullit është e pashmangshme, ndaj pasi konsulli të ketë bërë verifikime paraprake, do t’i japë një takim të interesuarit me datë e orë duke i kujtuar edhe çfarë duhet të ketë me vete. Por për shumicën e shërbimeve, 23 ndër 36, gjithçka mund të bëhet online e me postë. Aplikohet përmes platformës, merret një mail nga konsulli me udhëzimet e nevojshme, paguhet tarifa e shërbimit dhe ajo e postës për dërgesën e dokumentit në shtëpi, i nisen këto konsullatës dhe ajo brenda disa ditëve dërgon dokumentin për të cilin qytetari aplikoi në adresën e dhënë prej këtij të fundit.
Kursimi i udhëtimeve në Milano, në Romë apo në Bari (në rastin e Italisë) dhe i parave është i padiskutueshëm. Edhe afati brenda të cilit premtohen shërbimet përmes SHKO duket shumë i mirë, mjaft që të mos rritet me kalimin e kohës e përgjigjja që sot premtohet në 5 ditë të mos bëhet 5 javë, siç ndodhi për shembull me prenotimet e takimeve për të aplikuar për pasaporta biometrike në konsullatën e Milanos që arritën të jepeshin edhe për pas disa muajve.
Tani për tani, platforma përdoret ende pak nga qytetarët. Në fakt, kur nga Ministria e Jashtme na japin numrin e përgjithshëm të aplikimeve, njëkohësisht saktësojnë që nga mijëra shërbimet konsullore të kryera, vetëm për disa dhjetëra prej tyre qytetarët kanë aplikuar drejtpërdrejt përmes SHKO-së, 19 në Romë, 34 në Milano dhe 5 në Bari, të tjerat janë bërë nga vetë konsujt me të interesuarin në sportel. Të njëjtën gjë konfirmojnë për Shqiptariiitalise.com në Zyrën konsullore të Romës: “Akoma nuk përdoret gjerësisht, dhe e dimë që nuk do të jetë e lehtë, ndaj për njëfarë kohe do të lejohet paralelisht me aplikimin në sistem, edhe shërbimi i zakonshëm në sportel. E megjithatë, edhe me përdorimin e sotëm të pjesshëm që i bëhet platformës, SHKO është gjë shumë e mirë për transparencën e kontrollin mbi dokumentet e lëshuara pasi gjithçka është online që në çastin që konsullatat ofrojnë shërbimin”.
Është e kuptueshme që duke qenë diçka krejtësisht e re, platforma SHKO mund të shfaqë ndonjë problem. E pranon edhe ministri që, gjatë ceremonisë për prezantimin e platformës nga mesi i shkurtit, u shpreh: “Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve mbi vështirësitë e mundshme teknike, sikundër dhe mirëpresim sugjerimet tuaja në përmirësimin e shërbimit”, duke përfunduar se gjithsesi, “jemi ende shumë larg asaj ç’ka meritojnë qytetarët tanë. Por ky është një fillim i mbarë drejt një objektivi tonë: për një shërbim modern konsullor për shqiptarët kudo që ndodhen”.
Një tjetër angazhim, për të cilin burime nga ministria thonë për Shqiptariiitalise.com se “po merren ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme, se është gati edhe një formular e po diskutohen detajet”, por që gjithsesi deri tani akoma nuk është kthyer në realitet, as me platformën SHKO, ka të bëjë me regjistrimin e emigrantëve sipas ligjit 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Regjistrimi është i rëndësishëm për të mësuar më në fund as janë e ku jetojnë shqiptarët në botë e për të mundësuar një ditë edhe të japin votën e tyre pa iu dashur të shkojnë në Shqipëri (natyrisht as që bëhet fjalë për zgjedhjet e qershorit të ardhshëm, edhe pse u premtua shumë para zgjedhjeve të shkuara). Rëndësinë e këtij regjistrimi nuk harron ta përmendë as ministri i cili, gjithnjë gjatë inaugurimit të platformës SHKO, pohon: “Shërbimet konsullore digjitale do të ecin krah për krah zbatimit të ligjit për regjistrimin e shtetasve shqiptarë, proces që ne do ta nisim së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme… Në këtë mënyrë, ne do t’i japim fund hamendjeve mbi numrin ekzakt të shtetasve tanë që banojnë jashtë atdheut”.
Ndoshta një ditë do të realizohet edhe kjo… Tani për tani, realitet është vetëm ofrimi i shërbimeve konsullore online. Dhe nuk është pak.
Keti Biçoku / Shqiptariiitalise.com
23 shërbime që do të kryhen tërësisht online dhe dokumenti i kërkuar do t’i dërgohet qytetarit me postë në adresën e shënuar: |
13 shërbimet që do të kryhen online dhe qytetari do të paraqitet vetëm një herë në zyrat e Përfaqësive diplomatike dhe konsullore për të firmosur në prani të konsullit: |
Aplikim për Asistencë për shtetasit shqiptar të ndaluar ose të burgosur |
|
Aplikim për Leje Martese (Nulla Osta Matrimonio)- vetëm për Italinë |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Aplikim për Legalizimin e dokumenteve të lëshuara nga Institucione të huaja |
|
|