Shkodër, 7 dhjetor 2010 – Pas përmbytjeve nga shirat e dendur, fryrjes së liqenit dhe lumenjve të Bunës, Drinit e Kirit, kanë nisur shenjat e para të përmirësimit, ku konstatohen rreth 25 centimetra të tërheqjes së ujit në lagjen Bahçallëk ne banesat dhe njësitë tregtare në anë të rrugës. Situata mbetet problematike ne zonat e Nënshkodrës, lagjet Xhabiej e të tjerat buzë liqenit dhe lumit Buna. Në Harkun e Bërdicës niveli i ujit është larguar nga aksi rrugor Shkodër-Tiranë dhe lejohet qarkullimi i automjeteve, ndërsa mbetet e bllokuar aksi Shkodër-Velipojë. Edhe rruga Ura e Bunës drejt qytetit është i mbuluar tërësisht me ujë. Komunat Berdicë, Dajç, Bushat, Ana e Malit dhe Velipojë vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Lezhë – Argjinatura e Torovicës në lartësinë që ka arritur, dhe puna që vazhdon të bëhet, kanë shmangur rrezikun e një përmbytjeje, që nuk do të ishte thjeshtë për gjithë zonën e fushës së Torovicës dhe Lezhës, por dhe më tej. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli tha për ATSH-në se “argjinatura duket në një situatë më se të qëndrueshme, jo vetëm se niveli i ujit ka filluar të bjerë, por edhe nga përforcimi mjaft i mirë që i është bërë”. Ndërsa ministri Transportit, Sokol Olldashi u shpreh se “jemi duke mbajtur nën monitorim të rreptë dhe po vazhdojmë punën për përforcimin e saj”. Ai falënderoi të gjitha firmat e mëdha të ndërtimit për gatishmëri dhe pjesëmarrje në mbrojtjen e argjinaturës.
Vlorë – Situata e krijuar nga reshjet intensive të shiut në rrethin e Vlorës është normalizuar plotësisht. Prefekti i Qarkut të Vlorës, Eduart Veçani, njëherazi kryetar i shtabit të emergjencave civile, tha për ATSH-në se “prurjet e Vjosës janë në parametra normalë dhe ujërat janë tërhequr nga zonat e përmbytura në komunën e Novoselës dhe në afërsi të Bashkisë së Selenicës”. Nga vlerësimi i situatës, rezulton se gjendja në këto diga është normale dhe niveli i ujit është në parametra normalë. Në rrethin e Vlorës, funksionojnë 7 ujëmbledhës potencialë.
Korçë – Situata e përmbytjeve në fushën e Maliqit, në rrethin e Korçës është përmirësuar ndjeshëm pas ndërprerjes të reshjeve. Niveli i prurjeve të lumit të Devollit ka rënë me 50 cm, çka ka mundësuar tërheqjen e ujërave nga sipërfaqet e përmbytura. Ndërkohë, është ndalur depërtimi i prurjeve të lumit Devoll në kolektorin e Sovjanit dhe Bordi i Kullimit po punon me mjetet e veta, për çarjen e kanaleve kulluese në fshatrat Sovjan, Vreshtas dhe Sheqeras. Normale është situata dhe në rrethin e Devollit dhe sipërfaqja e përmbytur në tokat e komunës Qendër Bilisht vazhdon të kullojë.
Korporata Energjetike shqiptare – Në hidrocentralet e kaskadës mbi lumin Drin sot vërehet ulje e lehtë e niveleve të prurjeve dhe shkarkimeve të ujërave. KESh njofton se në HEC-in e Fierzës niveli i liqenit është në kuotën 291,22 metra, prurjet 750 m3 /sek, shkarkimet 1065 m3/sek. Në HEC-in e Komanit niveli liqenit ka arritur 170,12 metra, prurjet 1321 m3/sek dhe shkarkimet 1389 m3/sek. Në HEC-in e Vaut të Dejës niveli i ujit është 74,11 metra, prurjet 1586 m3/sek dhe shkarkimet 1439 m3/sek. Në HEC-in e Ulzës niveli liqenit ka arritur 128.44 metra, prurjet 150 m3/sek dhe shkarkimet 163 m3/sek. Në HEC-in e Shkopetit niveli i ujit është 74,4 metra dhe shkarkimet 167 m3/sek.
Ndihmat – Në përgjigje të kërkesës së qeverisë shqiptare drejtuar vendeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në ndihmë të situatës në veri-perëndim të vendit, kanë mbërritur në vend sasitë e para me ndihma ushqimore, krahas mjeteve të tjera për operacionet e evakuimit, si dhe shpërndarjes së ndihmave për banorët e prekur nga përmbytja. Në Portin Detar të Durrësit kanë mbërritur me traget nga Italia pesë kamionë të tonazhit të rëndë. Austria, Italia, Greqia dhe Turqia kanë ofruar mbështetjen dhe ndihmën e tyre, me mjete logjistike, duke dërguar helikopterë për shpërndarjen e ushqimeve në zona e përmbytura.
Ministria e Brendshme njofton mbi përmbytjet