in

Përtërihet kontrata kolektive e punës për bashkëpunëtoret familjare

Arrihet marrëveshja mes sindikatave dhe përfaqësuesve të punëdhënësve. Parashikon edhe rritje rroge dhe dyfishimin e periudhës së paralajmërimit nëse nxirret nga puna një punonjëse pas lejes së lindjes. Firma përfundimtare në fund të qershorit

Romë, 12 prill 2013 – Më në fund arrihet në një pikë të përbashkët. Sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve kanë rënë dakord mbi përtëritjen e kontratës kolektive të punës shtëpiake, që mes figurash profesionale të quajtura colf, babysitter, badanti e të tjera, ka të bëjë me dy milionë punonjës e punonjëse, në shumicën dërrmuese të rasteve, imigrantë në Itali.

Filcams Cgil, Fisascat Cisl, Uiltucs Uil dhe Federcolf kanë nënshkruar më 9 prill në Romë me Fidaldo dhe Domina një akt-verbal  marrëveshjeje (këtu teksti i plotë) që përmban edhe dy pikat e fundit që kishin mbetur pezull, të kthyera në molllë sherri pas dy vjetëve negociata: rritje e rrogave minimale dhe mbrojtje e punonjëseve pas shtatzënisë.

Rritja do të jetë me tri shkallë, që do të nisin në fillim të viteve 2014, 2015 dhe 2016, dhe do të ndryshojnë në varësi të kategorisë së punonjësit (livello di inquadramento del lavoratore). Për shembull, për punonjësit që bashkëjetojnë me punëdhënësit që kujdesen për fëmijë e të moshuar të vetëmjaftueshëm dhe bëjnë edhe punë si pastrimi dhe gatimi (niveli B super) parashikohet një ngritje rroge me 19 euro (7+6+6).

“Rritjet e rrogës të parashikuara nga marrëveshja – shpjegon një komunikatë e përbashkët e sindikatave – shkojnë për rikuperimin e fuqisë blerëse siç përllogaritet nga ISTAT. Kontrata kombëtare e punës shtëpiake parashikon, në fakt, një mekanizëm përshtatjeje vjetore të rrogave minimale që garanton rikuperimin me 80% të inflacionit: pra objektivi është të rikuperohet edhe 20% që rroga mbetet pas vit pas viti”.

Për sa i përket tutelës së mëmësisë, marrëveshja ndërhyn në kohën e paralajmërimit në rast pushimi nga puna. Dyfishohet në rast se “punëdhënësi paralajmëron pushimin nga puna brenda 31 ditëve nga mbarimi i lejes së lindjes”. Do të thotë, për shembull, që në këto raste, nënat e reja me të paktën pesë vjet eksperiencë pune dhe të punësuara me të paktën 25 orë në javë do të kenë të drejtën e paralajmërimit për dy muaj, ose të një dëmshpërblimi të barabartë me rrogën e asaj periudhe.

Mes propozimeve të sindikatave ishte edhe ndalimi i heqjes nga puna së nënave të reja për një vit të tërë pas lindjes (mbrojtje që vlen për të gjitha kategoritë e tjera të punonjëseve në Itali), por punëdhënësit lëshuan vetëm sa u tha më lart. Por pranimi legjislativ nga anë e Italisë e Konventës  Ndërkombëtare ILO nr. 189 mbi punën shtëpiake dinjitoze e që barazon punën shtëpiake me të tjerat, mund të sjellë në një të ardhme të afërt risi të tjera në këtë aspekt.

Federata italiane e punëdhënësve shtëpiakë ka njoftuar se në kontratën e re kolektive kombëtare do t’i jepet “vëmendje maksimale asistencës së ofruar personave jo të vetëmjaftueshëm. Është menduar për korrigjime në sistemin aktual që të mundësojnë një asistencë të plotë e të vazhdueshme (për 7 ditë në javë), duke u dhënë mundësi punëdhënësve të punësojnë – me kosto të ulët – një punonjës shtesë për shërbime të kufizuara që të mbulojë ditët e pushimit javor të punonjësit titullar të asistencës”.

Tani që marrëveshja ekziston, kontrata e re duhet hedhur në letër. Në akt-verbalin e nënshkruar më 9 prill, palët e interesuara (përfaqësues të punëdhënësve e sindikatat e punonjësve) janë angazhuar të përpilojnë një tekst përfundimtar për në fund të majit, në mënyrë që t’ia nënshtrojnë konsultimeve në territor gjatë muajit qershor e të arrijnë në nënshkrimin përfundimtar në fund të të njëjtit muaj.

“Edhe pse në sezon të vështirë – pohojnë organizatat sindikale – përtëritja e një kontrate kolektive kombëtare që përfshin mbi 2 milionë punonjëse e punonjës është një sinjal i rëndësishëm përgjegjësie të Palëve sociale, sinjal që urojnmë të kapet nga Qeveria me qëllim që të vlerësohet gjithnjë e më shumë ky profesion, kaq i fshehur por gjithnjë e më i rëndësishëm në një periudhë reduktimi progresiv të mirëqenies publike”.

Elvio Pasca

Il caso. “Vuoi il posto di lavoro? Devi toglierti il velo”

“Vieni in Comune e diventa italiano”. Milano scrive alle seconde generazioni