in

Përtërihet marrëveshja e konvertimit të patentave shqiptare

Nga 25 dhjetori 2014, për pesë vjet të tjerë

Romë, 17 dhjetor 2014 – Një lajm i mirë arrin më në fund për emigrantët shqiptarë në Itali Marrëveshja mbi konvertimin e lejeve të dhënies së makinës, e skaduar në mes të gushtit të shkuar, është përtërirë. Nga 25 dhjetori 2014 do të jetë sërish i mundur konvertimi i patentave shqiptare në italiane, dhe meqë zyrat e Motorizimit Civil janë të mbyllura për festa e hapin më 29 dhjetor 2014, aplikimi i marrëveshjes do të fillojë nga kjo datë e vetëm në këtë datë do të pranohen kërkesat e konvertimit edhe për patentashqiptare që skadojnë më 25, 26, 27 apo 28 dhjetor 2014. Përtëritja e marrëveshjes bëhet për pesë vjet, pra do të vlejë deri më 25 dhjetor 2019.

Praktikisht vlejnë thuajse të gjitha rregullat e mëparshëm. Para së gjithash, vlen të përmendet që konvertohen (tashmë prej disa kohësh) vetëm patentat shqiptare në formatin card që në Shqipëri lëshohen prej 1 korrikut 2005. Duhet mbajtur gjithashtu parasysh që konvertohen patentat shqiptare që janë marrë para vënies së rezidencës në Itali, dhe se patenta duhet konvertuar brenda vitit të parë të rezidencës në Itali, pasi këtu mund t’i jepet makinës me atë shqiptaren vetëm vitin e parë të qëndrimit, më pas të gjithë duhet të kenë patentën italiane, ose, natyrisht të mos ngasin makinën.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturave dhe Transporteve, konvertimi i patentave shqiptare është njësoj si ai i patentave të vendeve të tjera jo anëtare të BE-së që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Italinë, ashtu si Shqipëria. Në fakt në faqet zyrtare të kësaj ministrie, i vetmi shënim për Shqipërinë është që marrëveshja është e vlefshme për pesë vjet, duke filluar nga 25 dhjetori 2014 deri më 25 dhjetor 2019.

Procedura dhe dokumentet e nevojshme për konvertimin

Kërkesa e konvertimit duhet bërë pranë një zyre provinciale të motorizimit civil duke paraqitur këto dokumente:

– Kërkesa në formularin TT 2112 (që jepet në sportel) e përpiluar dhe e nënshkruar;
– Dëshmia e derdhjes së 32 eurove në llogarinë rrjedhëse postare 4028;
– Dëshmia e derdhjes së 9,00 eurove në llogarinë postare 9001. Buletinet e llogarive rrjedhëse të gatshme mund të gjenden në zyrat e postës ose në Zyrat Provinciale të Departamentit të Trasportit tokësor. Nuk mund të përdoren buletine të tjera përveç këtyre të gatshme;
– Patenta shqiptare në origjinal dhe fotokopja e saj në të dyja anët;
– Përkthimi me pullë-taksë me 16,00 euro i patentës shqiptare, i bërë nga një përkthyes i betuar. Përputhshmëria e përkthimit me tekstin shqip duhet të certifikohet nga përfaqësia diplomatike (konsullatat) shqiptare në Itali. Kjo certifikatë duhet të legalizohet më pas në Prefekturë;
– 2 fotografi format tesera, njëra prej të cilave e autentikuar;
– Certifikata mjekësore me pullë-taksë me fotografi (bëhet në ASL dhe nga mjekë të autorizuar) e gjashtë muajve të fundit;
– Fotokopja e kodit fiskal;
– Fotokopja e lejes apo e kartës së qëndrimit e paskaduar, ose kuponi i përtëritjes.

Keti Biçoku

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Marrëveshja për modifikimin, përditësimin dhe përtëritjen e “Marrëveshjes mes Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane lidhur me konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve”:

Agon Channel. Drejtori i lajmeve Caprarica jep dorëheqjen

Rama në Beograd: Njihni Kosovën, çlirohuni nga kjo barrë